Në harkun e 8 ditëve Juventusi i Massimiliano Allegrit do të luajë tre sfida shumë të rëndësishme që do të vendosin jo pak për fatet e sezonit të bardhezinjve.
Të premten do të jetë Napoli më pas Olympiacos në Champions League ku në lojë është bileta e kualifikimit dhe të shtunën e 3 dhjetorit në Juventus Stadium do të zbresë, Interi i Spallettit.
Ndeshjet merren me rradhë dhe në kampin e kampionëve të Italisë vëmendja është e gjitha te dueli i San Paolos ndaj të kaltrve të Sarrit. Paulo Dybala autori i 12 golave në këtë sezon të Serisë A dhe njëkohësisht ylli i këtij Juventusi beson edhe pse e di që do të jetë e vështirë, sipas sulmuesit argjentinas, bardhezinjtë do të shkojnë në San Paolo për të fituar.
“Do të jetë e vështirë pasi Napoli në shtëpinë e tij, luan një futboll të bukur. Mungesa e Higuain? Shpresoj që të rikuperohet në kohë dhe të jetë i gatshëm për këtë sfidë. El Pipita për ne është një lojtar shumë i rëndësishëm, sezonin e kaluar ka shënuar gol ndaj Napolit dhe shpresoj që të luajë dhe të na ndihmojë me praninë e tij në fushë”, tha Dybala.
Kundërpërgjigjet Mertens
Dries Mertens është një nga liderët e Napolit të Sarrit që në këtë sezon po bën gjëra të mëdha. Sulmuesi belg ka një meritë të jashtëzakonshme që të kaltrit kryesojnë të vetëm Serinë A, pas 14 javëve të para. Mertens ka shënuar 10 gola deri tani në kampionat dhe shpreson të vazhdojë me këtë ritëm. Në një intervistë në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve të Serisë A, ish lojtari i PSV Eindhoven nuk e përmendi fjalën titull, ndërsa u ndal edhe te supersfida ndaj Juventusit që do të luhet të premten.
“2017-ta ka qenë shumë e bukur për ne, shpresoj që 2018-ta të jetë akoma më pozitive. Titulli kampion? Duhet të mos mendojmë shumë për këtë objektiv të rëndësishëm dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje. Kemi bërë mirë deri në këto momente dhe duam të vazhdojmë në këtë rrugë. Rradhën e ka sfida me Juven? Janë këto ndeshjet të cilat dëshirojmë t’i luajmë më shumë. Do të tentojmë të fitojmë ndaj tyre”, tha belgu.
Mertens tregon sekretin e tij, ndërsa shton se në këto momente për të do të ishte e pamundur të luante si sulmues krahu edhe pse është një pozicion në të cilin ka luajtur për vite me rradhë.
“Cili është sekreti im? Pak nga të gjitha. Skuadra më ndihmon shumë, pastaj kam edhe unë cilësitë e mia. Ka ende shumë gjëra të cilat duhet ti mësoj, si për shembull si të sulmoj topin e parë. Megjithatë duhet theksuar që kam vetëm 1 sezon e gjysmë që luaj si qëndërsulmues. Tashmë do ta kisha shumë të vështirë të luaja sërish si sulmues krahu. Të shënosh gola është gjëja më e bukur në futboll dhe të fitosh është diçka akoma më e bukur”.
