Me rastin edhe të 73 vjetorit të Ditës së Çlirimit është çelur sot në “Sheshin Nënë Tereza” në Tiranë, panairi më i madh i produkteve bujqësore vendase, “Shqipëria Punon Tokën – Konsumo Shqip”. Më shumë se 520 fermerë e biznese që aktivitetin e tyre e kanë përqendruar te agrobujqësia, kanë prezantuar prodhimet e tyre bio dhe autentike, ndërkohë që qytetarët kanë mundësi të blejnë dhe të shijojnë produkte cilësore.
Panairi është vizituar nga kryeministri, Edi Rama, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave, bankave që kanë fokus të tyre mbështetjen e bujqësisë. Pasi kanë vizituar nga afër stendat e shumta të këtij panairi, kryeministri, Edi Rama dhe drejtuesit e tjerë që e shoqëronin kanë zhvilluar edhe një bashkëbisedim me fermerë dhe biznesmenët pjesëmarrës në këtë event.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mbështetjen për produktet vendase si një mundësi për të gjeneruar edhe zhvillimin lokal të ekonomisë. Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se bujqësia përballet në këto kohë me tre sfida, sikurse është ajo urbane, kulturore dhe ajo infrastrukturore.
“Besoj që është problem kulturor dhe sfidë për të gjithë ne. Shumë vende në botë vuajnë nga ajo që quhet ksenofobi, urrejtje për gjërat e huaja, ne në Shqipëri kemi problem komplet tjetër, kemi ksenofili, një dashuri të pashoqe për çdo gjë që vjen nga jashtë shtetit, kjo do të thotë edhe për mallrat sepse mendojmë se është më cilësor, më i mirë ndërkohë po e mbipaguajmë një mall që nuk justifikon detyrimisht diferencën në cilësi sa është diferenca në çmim.
Ka ardhur koha që gjithë këtë dashuri për mallin e huaj ta analizojmë pak. Unë besoj se nëse ne edhe kulturalisht do të ishim të predispozuar që t’i jepnim prioritet një malli të vendit ku vërtet ndoshta, le të mos jemi naiv, mund të mos këtë të njëjtën cilësi, por diferenca është aq e paktë sa e justifikon çmimi shumë më i ulët i mallit të vendit”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë vlerësoi se tashmë Tirana ka dhënë shembujt e parë të orientimit drejt ekonomisë vendase me qëllim rritjen e potenciale. Kreu I Bashkisë përmendi disa prej zonave të kryeqytetit të cilat kanë potenciale të mëdha të zhvillimit të bujqësisë dhe që falë orientimit të duhur dhe mirëmenaxhimit kanë rritur edhe ekonominë vendase.
