Testimi i mjekëve të rinj që garojnë përgjatë këtij sezoni për të fituar lejen e ushtrimit të profesionit në specialitetin ku dhe janë diplomuar do të zhvillohet me datën 11 dhjetor. Pas verifikimeve të bëra nga dorëzimi i dosjeve, Qendra e Shërbimeve të Arsimit, ka zbardhur emrat e 119 mjekëve që plotësojnë kushtet për të dhënë provimin e shtetit, rezultatet pozitive të të cilit, pajisin këta kandidatë me licencën profesionale. Provimi i informatizuar do të zhvillohet me tre turne në ambientet e kësaj qendre.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar orarin e testimit të përcaktuar për secilin prej këtyre kandidatëve që do të marrin pjesë në këtë provim. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës.
Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit.
Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.
Ditën e testimit duhet të paraqiteni në ambientet e kësaj qendre 30 minuta para fillimit të provimit të shtetit. Ndërkohë që duhet të keni detyrimisht me vete këto dokumente: “Kartë Identiteti për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal si dhe kopje të tyre), faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë”. Duhet të bëni kujdes, pasi mungesa e një prej këtyre dokumenteve ju penalizon duke ju lënë jashtë testimit.
Lista e 119 mjekëve të rinj që garojnë me 11 dhjetor për licencën
