Pranvera Kola-DITA
Për të siguruar pensione më të larta pleqërie, invaliditeti, apo familjare, krahas skemës së detyrueshme,
mund të përfitoni edhe nga skema e sigurimeve vullnetare.
Nëpërmjet derdhjes së kontributeve vullnetare, ju mund të shtoni të ardhurat që do të merrni nga pensioni, kur të plotësoni kushtet e përfitimit (mosha dhe vjetërsia kontributeve e kërkuar). Në manualin udhëzues të përgatitur nga autoritetet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore saktësohet se nga skema e sigurimit vullnetar për më shumë të ardhura mund të përfitojnë një sërë kategorish.
Konkretisht kanë të drejtë që të jenë pjesë e kësaj skeme që të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë edhe në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkohë që bëhet e ditur se sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura mund të bëhet vetëm për vitin korent dhe jo për periudha të kaluara.
Sa duhet të paguani
Lidhur me masën se sa duhet të paguhet për sigurim vullnetar për më shumë të ardhura, ekspertët e ISSH-së theksojnë se: “Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 24, 000 lekë, ose shumëfishi i asaj mbi të cilin do të paguajnë kontributet, dhe kjo pagë shumëzohet me 21.6 për qind, pra është sigurim me kuotë fikse prej 5 184 lekësh, ose shumëfishi i kësaj kuote.
E njëjta procedurë llogaritjeje ndiqet edhe për të punësuarit, apo edhe punëdhënësit që duan të përfitojnë nga derdhja e kontributeve vullnetare për të siguruar pensione më të larta. Kontributi vullnetar llogaritet në kufijtë e pagës minimale dhe maksimale të caktuar nga Këshilli i Ministrave dhe paguhet nga personi i siguruar në shumën dhe afatin e përcaktuar në kontratën e sigurimit vullnetar, si dhe ka të njëjtin rregull me kontributin e detyrueshëm.
Procedurat që duhet të ndiqni
Për të qenë pjesë e skemës së sigurimeve vullnetare për më shumë të ardhura, personi i interesuar duhet që të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku banon. Nëpërmjet kontaktit me inspektorin e sigurimit vullnetar merr të gjitha të dhënat e duhura në lidhje me dokumentet që duhet të dorëzojë për të përfituar nga kjo skemë.
Tre janë dokumentet bazë që duhet të dorëzoni pranë inspektorit të sigurimeve vullnetare, që janë : Fotokopje të librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve në rast se e dispononi, si dhe fotokopje të letërnjoftimit identifikues. Nëse personi i interesuar bie dakord për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore.
“Duke disponuar këtë “Urdhër veprim” personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën. Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (mandat arkëtimi në asnjë rast nuk i dorëzohet punonjësit të sigurimeve shoqërore. Ai është personal dhe mbahet nga vetë personi i interesuar)”, bëjnë me dije ekspertët e sigurimeve shoqërore.
Po sipas tyre, pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, dhe nëse nuk ka duhet që të hapë një të re.
Kanë të drejtë që të përfitojnë nga sigurimi vullnetar të gjithë shtetasit që:
• Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
• Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të Detyrueshëm.
• Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
• Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
