Talentet kuqezi, “këmbën zvarrë” për Prishtinën

anazapta

Skuadra e të rinjve të Prishtinës do të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Ruhr Cup 2013”, me ftesë të Borusias së Dortmundit. Klubi gjerman dhe ai kosovar kanë pasur një bashkëpunim të dendur muajt e fundit dhe nënkampionët e Evropës janë të bindur se në Prishtinë ka lojtarë të talentuar, të cilët mund të luajnë kudo. Tre prej tyre, Enis Gavazaj, Lorik Aliu dhe Liridon Latifi, lojtarë të Shqipërisë U-19, tashmë kanë luajtur më parë në turne ndërkombëtarë me verdhezinjtë, madje duke spikatur si futbollistë me vlera. Borusias i mjaftuan tri vizita në Prishtinë për të marrë vendimin për ta ftuar skuadrën U-19 në turneun ku marrin pjesë skuadra të kësaj moshe nga Gjermania, Anglia, Spanja, Greqia, Rusia si dhe kombëtarja U-19 e Kinës.

“Nuk ishte aspak e vështirë për ne si organizatorë të turneut që t’i bënim ftesë Prishtinës për pjesëmarrje në këtë turne. Kanë mjaftuar disa vizita në Prishtinë dhe takime me presidentin Ejupi që ftesa të kompletohet dhe ta shohim Prishtinën në Dortmund”, tha Heinz Keppmann, zyrtar i Borusias dhe njëri prej organizatorëve të turneut. Ajo që ia ka shtuar besimin e gjermanit se Prishtina e meriton të jetë në mesin e klubeve të mëdha evropiane është edhe mentaliteti e numri i madh i talenteve të futbollit.

“Në Prishtinë ka mentalitet futbolli dhe, çka është me rëndësi, ka talente të shumtë. Për këtë na kanë bindur tre talentet prishtinas që ishin pjesë e Dortmundit për disa javë në stërvitje dhe në dy turne të zhvilluara në Zyrih dhe Dortmund. Të tre ata kanë lënë përshtypje shumë të mira, jo vetëm për ne si klub, por edhe për të gjithë të tjerët që e kanë pasur rastin t’i shohin”. “Loriku ishte lojtari më i ri në turneun e fundit dhe njëri nga më të mirë. As kjo nuk ka kaluar pa u vënë re. Kjo do të thotë se ju nuk jeni larg Evropës, por ju duhet një mbështetje që jam i sigurt se do ta keni nga ana jonë”. Keppmann ka thënë se të gjitha këto kanë bërë që FC Prishtina të ketë të sigurt pjesëmarrjen edhe vitin që vjen në këtë turne.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *