Vizita mjekësore derë më derë te banorët e prekur nga përmbytja

Pranvera Kola

Ekipet e mjekëve të Urgjencës Kombëtare Mjekësore kryen sot vizita në qendrat e evakuimit dhe vizita shtëpi më shtëpi në familjet e prekura nga përmbytjet masive të ditëve të fundit në Fier dhe Vlorë, për monitorimin e situatës shëndetësore të këtyre banorëve.

Në Fier, në Shkollën “Rakip Kryeziu” ku ende ka disa familje të evakuara nga Shën Pjetri, në Njësinë Administrative Topojë, mjekët e Urgjencës Kombëtare kryen vizitat mjekësore tek të gjithë të evakuarit dhe dërguan në spital një prej banorëve që shfaqte probleme kardiake.

Vizitat shtëpi më shtëpi u kryen edhe në fshatin Bashkim, afër Vjosës, një zonë e prekur nga përmbytjet në Levan, ku mori trajtim shëndetësor një grua e porsaoperuar, e cila nuk kishte mundësi të aksesonte spitalin.

Vizita mjekësore vijuan edhe në Novoselë, në fshatin Fitore, më i prekuri nga përmbytjet masive të ditëve të fundit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bwn me dije se po vijon monitorimin e situatës shëndetësore të banorëve të prekur nga përmbytjet për të evituar një rritje të mundshme të sëmundshmërisë, pas përmbytjeve masive që prekën disa zona të vendit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *