Presidenti i Empolit, Fabricio Korsi, ka përsëritur dëshirën e tij për të mbajtur gjysmën e pronësisë mbi kartonin e Elseid Hysajt, të cilin e kërkon Lacio. I intervistuar nga televizioni online i një siti lacial, presidenti i klubit toskan ka refuzuar të flasë për shifra konkrete, të cilat kanë qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve midis dy klubeve. Pa pasur konfirmim zyrtar, në shtypin italian është shkruar se Igli Tare, drejtor sportiv i Lacios, i ka ofruar Empolit 1.8 milionë euro, por pala tjetër kërkon rreth tre milionë për ta shitur Hysajn.
Drejtori sportiv i Empolit, Marçelo Karli, është shprehur më parë se mund të diskutohet edhe për shitjen, por presidenti tani mendon ndryshe. “Nuk flas për shifra. E vetmja gjë që mund të them se preferojmë bashkëpronësinë në vend të shitjes së lojtarit”, thotë Korsi. Presidenti shton se Hysaj, tashmë në grumbullim me skuadrën, është qetë. “Kur të kërkon një klub i rëndësishëm, mund të shpërqendrohesh. Ai është shumë i ri dhe do të ketë shumë mundësi”. Korsi konfirmon atë që ka thënë një ditë më parë Karli, për interesimin edhe nga skuadra të tjera për Hysajn, gjithashtu pa dhënë emra: “Merkatoja është e gjatë. Nuk e di se çfarë rastesh mund të na paraqiten, skuadrat e rëndësishme e shohin si investim”.
