“Degradohet” Mavraj, një sinjal largimi

anazapta

Mërgim Mavraj nuk do të jetë më kapiten i Greuther Furth, duke u detyruar të dorëzojë shiritin që e mbante prej një viti. Në shumë skuadra gjermane, kapiteni zgjidhet me votim nga futbollistët, por në disa të tjera është trajneri ai që vendos dhe kjo ka ndodhur edhe në ekipin e ligës së dytë. Trajneri Frank Kramer ka vendosur t’ia heqë shiritin mbrojtësit shqiptar dhe t’ia japë atë portierit Volfgang Hesl. Një lëvizje jo shumë e zakonshme, pasi në shumicën e rasteve trajnerët preferojnë të kenë kapiten një lojtar që lëviz në fushë dhe që është më pranë shokëve të skuadrës në çdo moment, ndonëse edhe portierët kapitenë nuk janë gjë e rrallë.

Mbi të gjitha, ky mund të jetë një sinjal për largimin e mundshëm të mbrojtësit shqiptar nga Greuther Furth. Vitin e kaluar, kur skuadra u ngjit në ligën e parë, Mavraj kishte disa oferta, por klubi e mbajti duke e joshur, ndër të tjera, edhe me shiritin e kapitenit, pasi ai tregon një ndjenjë të lartë përgjegjësie. Të njëjtën gjë ka thënë edhe trajneri Kramer, pavarësisht “degradimit” që i ka bërë kapiteni shqiptar. “Mavraj mbetet një figurë lideri, sepse e ka në natyrën e tij që të marrë përgjegjësi mbi vete”, thotë Kramer.

“Hesl, nga ana tjetër, e ka përvojën e duhur dhe është i pranueshëm nga të gjithë”. Megjithatë, përveç preferencës së mund të ketë trajneri, varianti më i mundshëm në këtë rast është largimi i Mavrajt drejt një skuadre tjetër. Nga Italia, dy ditë më parë, trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka përsëritur se mbrojtësi do të transferohet në një skuadër të Serisë A, por jo te Lacio që u përmend si destinacion i mundshëm në fillim të qershorit.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *