Nga Sefer Pasha
Si lapsi im….kush vizaton?!
Pa më përgjigjet lapsi vet’
(Se lapsi im ka gojë e flet):
-O, jo, pa dorën tënde unë
Nuk do të bëja asnjë punë.
(Xhevat Beqaraj)
Mote të shkuara, që kur ishte gjallë poeti Odise Grillo, të dy diskutonim tek ballkoni i tij në pallatin ballë për ballë me stadiumin “Selman Stërmasi”. Po flisnim për librin tim, “Drenicë, vaj dhe kënga ime”, të cilin po e redaktonte Odisea e që në atë kohë punonte tek botuesi i “Toenës” Fatmir Toçi.
Në një çast Odiseja ma ndërpreu fjalën. E njeh atë burrin që po kalon përbri “Ujvarës” më tha ai. Jo, iu përgjigja. Nuk e kam parë ndonjëherë. Është Xhevat Beqaraj belbëzoi me zë të ulët. Nuk e lashë që Odise Grillo të vazhdonte më tutje. Kisha dëgjuar për Xhevat Beqaraj dhe e kisha lexuar veprën e tij.
Por portretin e Xhevat Beqarajt e përfytyroja ndryshe. Poeti nga Kuta e Mallakastrës është fqinj me fshatin tim. Nuk ishte ai Xhevati, që kisha imagjinuar në bazë të artit, të cilit ia kisha lexuar çdo rresht. Nuk kishte asgjë nga erërat e serta të Kutës që vijnë nga Gryka e Kalivaçit e s’ecte me zhurmë si zhgabat e malit të Gribës përballë vendlindjes së poetit.
Nuk po ia ndaja vështrimin. Xhevat Beqaraj ecte qetë – qetë e mua më solli ndërmend valët e lumit të tij të dashur, Vjosës. Ato në pranverë i bien violinës lehtë – lehtë, që të mos i “lëndojnë” zejet në të dy brigjet. Nga ky kënd e kam parë për herë të parë poetin Xhevat Beqaraj, ku atë perëndim dielli, Odise Grillo nuk e lëshonte nga goja. Ai e quante vlerë kombëtare.
Më vonë jam takuar shumë herë me poetin e botës së fëmijëve Xhevat Beqaraj. Këto ditë isha në Kutë të Mallakastrës, ku ka lindur poeti. Vështroj “sarajet” e atit të tij Mersin Zenelit, i cili ka qenë një “aga” i vogël siç thonë edhe tani në Kutë.
Fshatarët më tregojnë dhe shtegun kur dikur vinte i hipur në kalë Bilbil Klosi, i cili ishte nip në Zenelaj. Unë qëmtoj udhët ku hodhi hapat e parë e vazhdoi shkollën poeti i ardhshëm.
Nën ullinjtë e të atit, Mersinit, ai lexoi poezitë e Naimit dhe të Migjenit. Në odën me oxhak dëgjoi gjithashtu përrallat, legjendat dhe këngët e motmotit. Nëpër trarët e odës siç i thoshte nëna lëvizte gjarpri i shtëpisë, por dhe vitat e zanat që vinin nga gryka e Vjosës.
Ashtu i imët nga trupi afrohej me shokët në bregun e Vjosës e nën hijen e shelgjeve shpesh i vetmuar dëgjonte poezitë që ia lexonte lumi legjendë. Mbase aty kanë ngjizur vargjet e poezisë së e ndjerë: – /Tej fushës Vjosa gjarpëron/ dhe ecën shkum’e valë/ “E bukur dita kur agon/ pse s’ çohesh herët, djalë?/.
Në të dy brigjet kur delte Vjosa poeti kureshtar vështronte kaponjtë e Vjosës. Ata rrinin të gatshëm se mos valët e lumit sillnin nga lart ndonjë kufomë të mbytur. Po të mblidheshin kaponjtë kokë më kokë në zallishte njerëzit që kërkonin të mbyturin vraponin tek tufa me kaponj. Kaponjtë ishin “lajmëtarët” për fatkeqin që e kishte nxjerrë lumi.
Edhe kënga, “Po vjen lumi turbull – o, turbull lumi, lumi turbull – o”, thonë se është krijuar nga këngëtari anonim i Kutës në një nga këto gjëmat e Vjosës. Vargjet e para poeti Xhevat Beqaraj i krijoj në fëmijërinë e hershme në brigjet e Vjosës. Krijimtaria e poetit për më shumë se 60 vjet është e gjatë dhe e gjerë sa vetë lumi i Vjosës. Janë me dhjetëra e dhjetëra tituj librash. Nuk kanë të numëruar.
Edhe pse u largua njomëzak nga fshati ku lindi në të gjithë krijimtarinë e tij do të gjesh shqiponjat e Gribës, hënën e malit të Tartarit, fajkojt e malit të Thanës, Yllin e Sabahut që delte mbi kthesat e Vjosës, hingëllimat e kuajve në Fushën e Kutës, legjendat për thesarët me florinj në shpellat e Kalivaçit, djepin e dërguar në Kutë nga Ali Pashë Tepelena, tregimet rreth vashës së bukur me emrin Belece, të cilën e vranë të vëllezërit kot së koti nga që u fol se ajo dashuronte një ushtar nga Austria.
Në kafene e nëpër dasma mbajti vesh këngët që këndonin kutiotët. I ati, Mersini, i tregoi udhët në shpatin e malit përballë, ku kaloi për në Vlorë Selam Musai (të moçmit kishin parë tek kthehej fillikat kali i bardhë i Selamit pa të zotin që u vra në luftën e Vlorës).
Në gjurmët e poetit çap pas çapi nuk e gjetëm dot vjershën e parë të shkruar nga dora e tij anës Fushës së Kutës. Me mundime, por më në fund i mblodha të gjitha vëllimet e qëndisura nga poeti që po mësyn të arrijë shekullin. Librat mbushën plot një stivë. Një kalë nuk i mbante dot.
Qysh nga vëllimi i parë “Kam një harmonikë” e vitit 1965 e në vijim poeti biblik ka shkruar dhe thurur përditë. Poeti është i çuditshëm. Poezitë për fatosa e pionierë janë flori. Xhevat Beqaraj ka ditur se çfarë të thotë. Siç është nga natyra është dhe në art. I qetë, i ndritshëm e i paububushëm. Universal.
Poeti inteligjent i ka poezitë trallisëse truma – truma. Krijuesi këmbëngulës qysh në sprovat e para të subjekteve poetike me shajni ngjyrash gribjane e nxjerr në pah trillin e tij artistik. Edhe pse e ka ushtruar fantazinë në vendlindje poezitë sqimatare janë për të gjithë lexuesit shqiptarë.
Kërkova me ndjesinë e vagëlluar të gjeja yjet që pinin ujë në Vjosë, por nuk gjeta as kafshët që i sillte deti, as baletin e rosave mbi valët e qeta, as karvanin e kurbatëve, as hënën e hipur në kalin e Gribës, dhe as gojëdhënat për komitët që e donin natën më hënë për të grabitur në Fushën e pasur të Kutës (ka dalë hëna për kusarë). Fusha e Kutës më vonë u shkri me Fushë – Kosovën ku botohet poeti.
Paçka se dyshova një grimë nëpër faqet e veprës u gjenda në enciklopedinë shëtitëse të poetit Beqaraj, që ka një poezi të treguari si askush tjetër në letërsinë shqipe. Poeti nuk është pozaxhi për fëmijë. Jo. Ai me tendosje të madhe mendore qysh në vështrim të parë nëpërmjet shumësisë së mjeteve artistike ka mundur të shformojë format dhe me flakën e pasionit është treguar açik usta i bukurisë së poezisë për fëmijë dhe më gjerë.
Në vjershat e tij nuk ka doza egoizmi e as lakadredha e manierizma. Me artin e pastër Beqaraj u ka dhënë bukuri dhe elegancë botës së motiveve në luftë me palëvizshmërinë.
Gjithsesi jeta e poetit Xhevat Beqarajt nuk ka qenë e qetë. Ka shumë ngjashmëri me lumin e Vjosës ku është rritur. Edhe Vjosa e ka jetën të trazuar. Valët e saj sa të ëmbla janë, por gjithashtu vijnë dhe të egra. Megjithëse poeti nuk ka qenë fare i pafat dallgët e jetës e kanë përplasur nëpër intrigat e shkëmbinjve pa e vithisur në humnerë. Kur piktorja Safo Marko bënte ilustrimin e librave të Xhevat Beqarajt poeti dridhej nga dramat e piktores. Një jetë në ankth.
I shoqi Petro Marko në burg dhe më vonë dhe djali i vetëm, Jamarbëri. Shpirti i piktores ishte i ciflosur nga hallet dhe dertet. Kur Safoja kthehej nga Spaçi, ku ishte në burg Jamarbëri, ajo e molloiste poetin për dramën e të birit. Dhe Xhevat Beqaraj megjithëse fliste rrallë e vuante tmerrin e koleges dhe të gruas së mikut të tij Petro Marko. Por nuk ishte vetëm drama e Safo Markos.
Si ajo vuanin dhe të tjerë. Pikërisht për këtë arsye poeti shkruante papushim e me pasion magjepsës. Dhe kjo bie në sy në të gjithë veprën shumë dimensionale. Poezitë dhe tregimet e Xhvat Beqarajt kanë dritë. Ecin nëpër kohëra me këmbë në tokë. Nuk i hodhi dot në greminë as 97 – ta. Lexohen në Shqipëri, Evropë e Amerikë, ku tani jetojnë shqiptarët.
Poezitë e ngjizura nga brumi i Kutës i kanë rrënjët të forta si lisat, degët u bëjnë ballë stuhive, zogjtë ndërtojnë foletë pa merak e loçkat e lëndëve dalin më të forta. Në këto çaste kam përpara në tavolinë vëllimin “Treni ynë” dhe dehem nga magjia e një arti të përkryer (vëllimi “Rruazat e vesës” ishte djegur në Bibliotekën Kombëtare). Poezitë janë të situra qysh në ngjizje. Autori i botës së fëmijëve di të kridhet në kujtimet e vegjëlisë e kur i lexon pas kaq motesh dukesh sikur je nën narkozë prej përsosmërisë. Nuk ka kapitje shpirtërore e as fluturim jashtë realitetit.
Poezitë nuk janë copëza rastësore, por shumësi fabulash të marra nga burimet e kohëve të trazuara. Sqima e poetit është e përligjur. Dashuria me nuancat më të holla për fëmijët shkon metaforikisht gjer në flijim. Në thikë e në pikë poeti Beqaraj pa cicërima e hungërima në të gjithë veprën përvijon profilin dhe esencën e të qenit një poet origjinal dhe i papërsëritshëm.
Poeti Xhevat Beqaraj shkroi dhe shkruan në dy kohë të vështira. Në vitet e socializmit poeti i hodhi hapat të matur, poezitë e tij ishin me qibër, autori u rrinte larg poezive me “parti”, “revolucion”, “kazmë e pushkë”. Ishte kohë e zorshme për të dhe me gjithë intuitën e tij të hollë nuk i shpëtoi dot ndonjë “infeksioni”. Dikur kur unë i çova në shtëpi djalit tim një libër me poezi të Xhevat Beqarajt, ku qe dhe një ilustrim i Safo Markos me portretin e Naim Frashërit, im bir i mblodhi vetullat.
Atij nuk i pëlqeu portreti i Naim Frashërit. Nuk është i bukur Naim Frashëri më tha ai. Dhe kur unë i kërkova me këmbëngulje se përse nuk i pëlqente portreti i Naim Frashërit që ilustronte një poezi të Xhevat Beqarajt djali mu përgjigj se Naim Frashëri nuk kishte pushkë në supe. Ky detaj ka të bëj me psikologjinë e fëmijëve në socializëm. Artisti duhet të luante në artin e vet, ku medoemos i duhej të përdorte pushkën, kazmën dhe grushtin të bashkuar.
Në tërësi Xhevat Beqaraj i shpëtoi kësaj mynxyre. E gjeti çelësin magjik. Ustai qëmtoi atë lëng të jetës dhe ato fabula nga bota e fëmijëve që t’i rezistonin rrebeshit të kohërave. Dhe arti i Xhevat Beqarajt nuk shteroi ashtu si Vjosa ku ai kaloi fëmininë. Kjo ndodh se poeti nuk thuri vargje për përkohësinë, por për paskohësinë. Leximi kritik i veprës me ndjenjë adhurimi, edhe për ato që nuk t’i qet goja, larg frazalogjizmave dhe togfjalëshave, më solli ndërmend thënien e shenjtorit Poatjere i cili thotë: –
“Dhuromë, Zot, kuptim të fjalës, dritë të mendjes, dinjitet të gjuhës dhe saktësi të së vërtetës”. Në fund të fundit poeti Xhevat Beqaraj me këto që ka shkruar është treguar i pakohë. Poeti i vlertë do të lexohet edhe pas 100 vjetësh. Ai është i asaj shejze ku e gjithë vepra shkëlqen në oazin e gjelbër. Poezitë edhe kur janë klithëse nuk janë të ngjyrosura. Ato janë të shëndetshme e natyrale. I gjithë korpusi i poezive flet për përgjegjshmërinë dhe skrupulozitetin e Xhevat Beqarajt, që nuk u thye para trandjeve, kaheve e rrymave. Arti i pashtershëm Beqarjan ka forcë orteku.
Kryeshkronjësi udhëtoi shumë. Ai shkeli në çdo milimetër të Shqipërisë dhe të Kosovës. Intervistoi mijëra fëmijë anë e mbanë vendit. Njohu dramat e tyre e hëngri me ta bukë e shëllirë. Tregojnë se një natë poeti Xhevat Beqaraj u ndodh në një fshat të skajshëm të veriut. Atë natë poeti fjeti tek një malësor, i cili ishte mësues dhe që kishte një djalë të shkëlqyer në klasën e dytë.
Në kullën me oxhak mësuesi i rrëfeu poetit nga Tirana shumë balada dhe atë të arinjve. Ku kishte arinj nuk kishte sëmundje për fëmijë. Të gjitha viruset i thithnin arinjtë me turinjtë si shpella mali, të cilët shqisën e të nuhaturit e kishin të veçantë. Dhe poeti mbajti shumë shënime. Para se të flinin gjumë mësuesi e porositi të birin që ai ta zgjuante poetin nga gjumi pa dalë dielli se vetë do të shkonte në bjeshkë. Poeti Xhevat Beqaraj do të bënte udhë të gjatë në këmbë për të kapur “korierën” e linjës për në qytet. Nxënësi u ngrit më herët se çdo ditë tjetër.
Ai doli tek gështenja e madhe në oborr dhe i thirri shokut të vet: – “Martin, heu bre! Çou se të zu drita”! Poeti Xhevat Beqaraj që flinte përballë bjeshkës e mori vesh se djali i mësuesit e kishte fjalën për të. Ai nuk kishte njohur në jetë “komandë” më të bukur për ta çuar nga gjumi. Djaloshi gjeti mënyrën për ta zgjuar mikun sipas porosisë së atit që qe nisur për në bjeshkë. Poeti Xhevat Beqaraj atë mëngjes zbriste nëpër bjeshkë dhe përsëriste vargun e lashtë sa bota: – “Çohu se të zu drita”!
Vajtje-ardhjet e çosa herëve si të qe ndonjë endacak i dhanë poetit në heshtje lëndën racionale për jetën. Nëse orekset e para letrare ia dha Kuta me sy të parë e kollajllëk më vonë qe e gjithë Shqipëria. Poeti vigjiloi pranë fabulave me sharmin dhe imagjinatën vetjake gur më gur, lule më lule e dramë më dramë. Kësisoj e kësodore ai krijoi suazën e artë e namaitisi poezi me kocka për fëmijë dhe më gjerë.
Fshehtas në shtëpinë e tij nënvizonte atë që kishte lexuar nga Markezi se “Gënjeshtrat e fëmijëve janë shënja talenti të madh”. Xhevat Beqaraj nuk pati kurrë çalltisje e krizë frymëzimi në kohët e mbrothta. Kurrë nuk zgjodhi motive të çakërdisura dhe as u zdërhall në theqafje. Mjeshtëri i gjinisë së fëmijëve me të shkruarën e tij ungjillore është sot e gjithë ditën i paapelueshëm.
Ai vrulltazi bëri përpjekje të epërme dhe vit pas viti me një varg, një fjali, një fjalë, një pikë, një presje, një gërmë, një shtojcë, nëpër kapërcyellet e sistemeve, arriti qiejt më të lartë. Natyrisht që poeti i njihte mirë teknikat e poezisë dhe të prozës për fëmijë të mishëruar në çdo varg, frazë e fjalë. Xhevat Beqaraj ndryshe nga shumë kolegë të tjerë pati dhe ka një mënyrë të veçantë të shkruari.
Ai shquhet për lirinë e gjuhës me fjollë vargjesh, për vlagën e fjalëve, magjepsje të imagjinatës, peizazhet etike, e kur e kur, e dora – dorës, i humanizuar nga dashuria për botën e fëmijëve krijoi “kopenë” e mrekullinë letrare të veprës që është në qarkullim. Poeti është i deshifrueshëm edhe kur ka ndonjë frytshmëri të egër, edhe kur e kanë shtyrë në zgrip të dështimit.
Vështruar nga ky kënd dhe e thënur prerazi poeti narcist i fëmijëve Xhevat Beqaraj në rrokaqiellin shqiptar me dhuntinë e tij mistike pa bërbëlitje vlerësohet si poet i dorës së parë dhe është pa frikë një lartësi e admirueshme.
Sosja e kësaj eseje për poetin Xhevat Beqaraj që shkroi e yshti një art kaq të ndjerë qenka me siklet. Për poetin që lë pas një “pajë” kaq të vyer për kulturën shqiptare askush nuk kujtohet. Ai qe produkt i çuditshëm i kohërave interesante i organizuar në shkallën më sipërore.
E them me mbindjeshmëri se a do të kujtohen kur ai të vdesë? E kam në majë të gjuhës përgjigjen. Poetin dhe prozatorin e kristaltë do ta përcjellin e kujtojnë me esllëk personazhet e veprës së tij për fëmijë që tani janë të thinjur e kanë personalitet. Gjithsesi nishanlliu i botës së madhe të fëmijëve Xhevat Beqaraj hesht. Ai më kujton Stendalin, i cili thotë: “Unë s’qortoj, as miratoj, unë vëzhgoj”.
