Shërim nëpërmjet frikës: Njihni një faqe të çuditshme të historisë së mjekësisë dhe… aviacionit

editor

“Kur pacienti çohet në 300-400 metër apo dhe më shumë dhe kur avioni bën një pikiatë, apo xhiron e vdekjes, ata që vuajnë nga histeria me shumë mundësi, do t’i harrojnë problemet e tjera.”

Kështu e përshkruante në intervistë në nje gazetë të vitit 1921 “kurën e avionit” një nga shpikësit e saj, mjeku amerikan Charles McEnerney – raporton DITA.

Duket e pamundur të besohet sot, por në fillimet e epokës të aviacionit makinat fluturuese shfrytëzoheshin dhe për fuqi terapeutike.

Siç shpjegon një artikull i revistës Smithsonian, për disa dhjetë vjeçarë mes viteve ’20 dhe ’30 të 1900, në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe u përhap moda e fluturimeve kurative për shqetësimet fizike dhe psikologjike, veçanërisht për memecërinë dhe mosdëgjimin.

Një nga pacientët e parë të McEnerney ishte një i mbijetuar i Luftës së Parë Botërore, i cili ish kthyer në shtëpi dhe nuk fliste më.

Pasi provoi kura të ndryshme, për të zgjidhur problemin pacienti ju drejtua mjekut McEnerney, i cili vlerësoi se bëhej fjalë për një traumë psikologjike dhe si kurë dha një fluturim në avion.

“Por vetëm se ishte mjeti më i leverdisshëm në dispozicion”, i tha ai një gazetari: “i njëjti efekt mund të përftohet edhe duke e lidhur pacientin në binarët e trenit”.

Sado absurde mund të duket, moda u përhap dhe “kura në avion” nisi të këshillohej edhe për shqetësime të tjera. “Fluturimet e të shurdhërve”, siç quheshin në vitet ’20 u bënë një trend për të cilat shkruanin gazetat, revistat e specializuara të aviacionit, por dhe ato që i drejtoheshin një kategorie pacientësh.

Mes pilotëve që ofronin këtë shërbim, ishte para se të bëhej i famshëm edhe Charles Lindbergh (në foto), piloti amerikan që në 1927 kreu kalimin e parë të Oqeanit Atlantik. Tarifa e tij, siç raporton një biograf ishte 50 dollarë, të cilët janë të barazvlefshëm me 700 dollarë të sotëm.

Në fillim rezultatet e kësaj terapie ekstravagante dukeshin premtuese. Gazetat tregonin rastet e suksesit dhe raportonin me detaje historitë e pacientëve të shurdhër, të cilët ishin ulur në tokë me dëgjim të rekuperuar disi.

Më pas, lindi dyshimi që përmirësimet, nëse ishin, ishin minimale, apo nuk ishin fare. U verifikuan incidentet e para gjatë këtyre fluturimeve dhe disa prej tyre përfunduan në tragjedi. Revista mjekësore Jama, mjek të ndryshëm, psikologë dhe shoqata nisën të shpreheshin se praktika nuk kishte baza shkencore dhe ishte vetëm një rrezik i kotë. Përveç skepticizmit në frenimin e praktikës pati rëndësi dhe fakti që pilotët kishin gjetur punë me rrogë fikse.

Në fund të viteve ’30 kjo faqe e çuditshme e historisë së mjekësisë dhe të aviacionit u mbyll.

o.p. / dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *