Licencimi i mësuesve të rinj, datat e testimit për 21 profilet

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA 

Testimet për licencimin e mësuesve të rinj nisin javën e ardhshme. Me mijëra kandidatë të diplomuar gjatë viteve të fundit në profile të ndryshme lëndore të mësuesisë, janë në pritje të çeljes së sezonit të provimeve të shtetit për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Edhe për këtë sezon, testimi do të jetë i informatizuar dhe çdo kandidat duhet të paraqitet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit, në ditën e përcaktuar për të plotësuar online testin me alternativa. Për provimin e licencës mund të konkurrojnë mësuesit e arsimit fillor, arteve figurative, biologjisë, biologji-kimisë, edukimit fizik, fizikës, gjeografisë, gjuhës angleze, gjuhës frënge, greke, gjermane, italiane, gjuhës shqipe dhe letërsisë, historisë, histori-gjeografisë, histori-gjeografisë dhe edukatës, informatikës, mësuesit e instrumenteve muzikore, kimisë, matematikës, matematikë-fizikës, matematikës informatike, si dhe mësuesit e shkencave sociale.

Datat e testimeve
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar tashmë kalendarin me datat e testimit për secilin profil, ndërkohë që deri në mbyllje të javës do të shpallë edhe listën zyrtare të kandidatëve që kanë të drejtë të hyjin në testim pasi plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji për profesionet e rregulluara. Për shkak të fluksit të lartë të kandidatëve, provimet e licencës do të vijojnë edhe përgjatë muajit janar të 2018-ës. Konkretisht, të parët që do i nënshtrohen provimit të licencës, janë mësuesit e arsimit fillor, përkatësisht në datat 18, 19 dhe 20 dhjetor sipas orareve të përcaktuara. Më pas testimet do të vijojnë me mësuesit e shkencave sociale, ata të profilit biologji-kimi, etj. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar kalendarin e plotë të testimit për të 21 profilet lëndore.

Rregullat për të mos u përjashtuar
Sipas autoriteteve të QSHA-së, ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim (Kartë Identiteti ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumentin origjinal, si dhe një fotokopje të tyre), si dhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera e pjesëmarrjes në provim. Gjithashtu duhet të paraqisni edhe një kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga Ministria e arsimit, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Mungesa e njërit prej këtyre dokumenteve ju përjashton nga provimi i licencës për ushtrimin e profesionit të mësuesit.

Pikët dhe tarifat e provimit
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Këta kandidatë duhet të presin disa muaj për të hyrë sërish në këtë provim, çka do të thotë se aktualisht këta mësues nuk mund të konkurrojnë për asnjë vend të lirë pune në shkollat e arsimit parauniversitar publik dhe jopublik. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta rijapë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.

Datat e testimit për të gjitha profilet e mësuesisë 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *