Sa rrezikojmë nga rënia e sheqerit në gjak? Ndihma e menjëhershme që duhet marrë!

Pranvera Kola

Ulja e vlerave të sheqerit në gjak në më pak se 70 mg/dl çon në shfaqjen e hipoglicemisë, e cila në raste të caktuara përbën edhe urgjencë mjekësore.

Bluzat e bardha të QSUT-së bëjnë me dije se janë të shumta shkaqet që mund të çojnë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, duke nisur nga mos marrja e vaktit ushqimor ose marrja në sasi të pamjaftueshme, marrja e një doze më të lartë të insulinës.

Gjithashtu, kjo gjendje mund të shkaktohet edhe nga aktiviteti i shtuar fizik (kur ecën ose kryen punë të rënda), nga përdorimi i mjekimeve që shtojnë prodhimin e insulinës, nga pirja e alkoolit esëll, të pa shoqëruar me ushqim, si dhe nga kombinimi i mjekimit me insulinë dhe mjekime orale që shtojnë prodhimin e saj.

Simptomat dalluese

Janë një sërë shenjash nëpërmjet të cilave mund të kuptoni se keni të bëni me rënien e sheqerit në gjak. “Shenjat kryesore klinike të hipoglicemisë janë: këputje trupi, djersë të ftohta, dhimbje koke, marrje mendsh, turbullim ose errësim i shikimit, ndjenje urie, gjendje të fikti, humbje e ndërgjegjes deri në koma, axhitim, personi bëhet më nervoz dhe nuk arrin të kontrollojë sjelljen e tij”, bëjnë me dije mjekët e QSUT-së.

Si duhet trajtuar

Në rast se kemi njërën apo disa nga shenjat e mësipërme, duhet të zbatoni rregullin e 15-ës që do të thotë se: “Duhet të marrim menjëherë 15 gram sheqer në formë të ngurtë, ose të tretur në ujë. Mund të merren 3 karamele, 1 gotë pije të sheqerosur (lëng frutash, kola, pepsi, fanta, etj).

“Pasi kemi marrë 15 gram sheqer do presim 15 minuta dhe do bëjmë një matje të sheqerit në gjak të çastit, përmes aparatit tuaj. Kur rezultati është më i madh se 70 mg/dl, kjo do të thotë se e kemi kaluar rrezikun dhe duhet të merrni një mini vakt pas kësaj gjendje (rekomandohet një fetë bukë e shoqëruar me djathë dhe një zarzavate). Në rast se sheqeri në gjak vazhdon të jetë më i ulët se 70 mg/dl atëherë duhet të përsërisim rregullin e 15-ës, duke rikonsumuar edhe njëherë 15 gram sheqer të formës së ngurtë ose të tretur”, sqarojnë mjekët.

Nëse edhe pas përpjekjes së dytë sheqeri vazhdon të jetë po në vlera të ulëta krahasuar me shifrën e përmendur, duhet të kërkoni ndihmën e mjekut ose të paraqitemi në qendrën më të afërt shëndetësore për ndihmë mjekësore.

Shkaktohet nga:

  • Mos marrja e vaktit ushqimor ose marrja në sasi të pamjaftueshme.
  • Marrja e një doze më të lartë të insulinës.
  • Aktiviteti i shtuar fizik (kur ecën ose kryen punë të rënda).
  • Marrja e mjekimeve që shtojnë prodhimin e insulinës.
  • Pirja e alkoolit esëll, të pa shoqëruar me ushqim.
  • Kombinimi i mjekimit me insulinë dhe mjekime orale që shtojnë prodhimin e saj.  p.k/dita
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *