Vuani nga kapsllëku, 7 këshilla për ta parandaluar

Pranvera Kola

Konstipacioni, ose siç njihet në gjuhën e përditshme “kapsllëku”, është një ndër shqetësimet më të shpeshta të shëndetit që shfaqet pothuajse tek të gjitha grupmoshat gjatë përditshmërisë.

Kemi të bëjmë me këtë gjendje në rastet kur vëreni se nuk keni më shumë se tre defekime (jashtëqitje) gjatë një jave.  Ka shumë trajtime për kapsllëkun (kostipacionin), por e rëndësishme është që ato të bazohen mbi trajtimin e shkakut themelor që ka çuar në shfaqjen e tij. Kështu, në çdo rast trajtimi i kapsllëkut varet nga shkaqet, ashpërsia dhe kohëzgjatja e gjendjes.

Në përgjithësi mund të parandalohet me dietat e pasura me fibra, përdorimin e ujit dhe lëngjeve të tjera në sasi të mëdha dhe ndryshimeve të caktuara që duhet të bëni në mënyrën e jetesës. Këto ndryshime mund të jenë të suksesshme për lehtësimin e shenjave dhe parandalimin e përsëritjes së tij. Për rastet më të rënda duhet që të jeni të kujdesshëm dhe të ndiqni vetëm përshkrimet e rekomanduara nga mjeku specialist që ka kryer vizitën përkatëse.

Në vijim të shkrimit do të gjeni edhe një sërë këshillash të rekomanduara të cilat ndihmojnë në qetësimin e simptomave të kësaj gjendjeje.

7 këshillat parandaluese
• Mënyra më e mirë është duke shtuar në dietën e përditshme sa më shumë fibra, pra sa më shumë fruta dhe perime. Fibrat përbëjnë një nga shtyllat e trajtimit të konstipacionit. Një burim tjetër i njohur i fibrave janë edhe ekstraktet e mjaltit.

• Megjithatë, të gjitha fibrat, pavarësisht burimit të tyre mund të shkaktojnë fryrje barku si rezultat i çlirimit të gazrave. Këto gazra çlirohen pasi bakteret që merren me procesin e tretjes në zorrë mund të mos jenë të afta plotësisht për tretjen e fibrave kur ato merren në sasira të mëdha. Prandaj është e rëndësishme që edhe fibrat të merren në porcione të vogla, po të ndara gjatë gjithë ditës. Kështu edhe sasia e gazrave të prodhuara do të jetë e shpërndarë gjatë gjithë ditës me mundësi më të mëdha eliminimi në sasira të vogla.

• Për konstipacionin është i rëndësishëm përdorimi i ujit 2-3 litra në ditë. Edhe ky duhet marrë në porcione të vogla gjatë gjithë ditës për të mos rënduar punën e veshkës. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për personat që vuajnë nga diabeti pasi ata e kanë të përcaktuar sasinë e përdorimit të drithërave dhe frutave për shkak të përmbajtjes së sheqerit.

• Mjaft efikase rezulton përdorimi i kumbullave të thata. Ato janë të pasura me fibra dhe të varfra në kolesterol. Ato janë të sigurta për një përdorim afatgjatë.

• Jeta aktive dhe me aktivitete sportive nxit lëvizshmërinë e zorrëve duke luftuar konstipacionin. Kujdes në këtë rast duhet të bëjnë veçanërisht moshat e treta të cilat janë edhe më pak aktive.

• Sigurisht që kur konstipacioni bëhet problematik kërkohet përdorimi i medikamenteve, të cilat mund të merren vetëm me këshillimin mjekut. Asnjëherë nuk duhen përdorur barna pa recetën e mjekut sepse mund të gjendemi përballë të papriturave të ndryshme.

• Kujdes duhet bërë me përdorimin e kafes dhe koka-kolës sepse vërtet mund të nxisin motorikën e zorrës por, ato kanë më të shprehur efektin diuretik (nxisin urinimin) duke larguar kështu ujin dhe vështirësuar defekimin.

p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *