Bedri Islami
Sot, kur po shëtisja rastësisht në tregun e krishtlindjeve, në këtë qytet ku jetoj, pashë se si një grua e vjetër po piqte gështenja.
Nuk e di për të tjerët, por unë, sa herë që shoh gështenja të pjekura, kujtoj dy njerëz, të cilët nuk janë më, por që tek unë kanë lënë një zbrastësi të jashtëzakonshme.
Kujtoj hallën time, e vetmja motër e babait tim, njeriu që na lidhte aq njerëzisht dhe mrekullisht me fshatin malor ku kishte lindur e ishte rritur babai ynë, dhe ku, nëna jonë, megjithëse nuse e re nga Shkodra, bijë e një familje të madhe, shkoi të jetonte atje, të flinte në shtretër me gjethe fieri, të udhëtonte çdo ditë, më shumë se dy orë, vajtje e ardhje, nga lagja Shkrel e Dedajve të Pukës, ku ishin njerëz të mrekullueshëm, për të vajtur në punë, dhe të jetë e lumtur edhe sot për ato vite të gdhendura.
Mua më kujtohen duart e rreshkura të hallës sime, tek kthente gështenjat që piqeshin, me atë merakun e veçantë se ato do të ishin për fëmijët e vëllait të saj,dritës së syve që nuk u rreshtën kurrë nga lotët.
Çdo fillim nëntori halla vinte tek ne, në Shkodër, në shtëpinë e madhe të Gjylbegajve, ku jetonim e ku jetojmë edhe sot. Me vete sillte disa mollë,me erën e pashoqe që kishin, ftohtë e verdhë, të bukur si hënë e plotë, arrat e çuditshme që thyheshin me dorë, pema e të cilave , që ishte pranë patologut të dy qershive të mëdha, nuk është më…dhe gështenja. Të zierat i bënte varg, i përshkonte me perin e hollë, si të përshkonte zemrën e saj. Të pjekurat i mbështillte me një rrobë të pastër, nga ata që punoheshin në avlëmendet e shtëpive, ku lulet dukeshin se ishin flokë bore të ngrira.
Pastaj, gështenjat e pjekura, të qëruara, ndoshta kështu hiqte merakun e saj për ne, i vinte në napën e bardhë të tryezës dhe nganjëherë i vendoste në pëllëmbët e dorës së saj, të rreshkura nga punët e nga zjarret, e të cilat më dukej se më shumë ishin rreshkur nga malli. Gështenjat kishin një shije fantastike, ashtu si mund ta kenë gjërat e rritura me erën e malit, dhe nëpër këtë erë më dukej se e ndjeja pikimin e tyre netëve vonë, dhe të cilat më dukeshin sikur ishin të trokiturat e miqve që po vinin.
Halla ime e mirë,një buzëmbrëmje, mbylli sytë nën pemët e mëdha të gështenjave , aty, në oborrin e saj, pikur nga malli për njerëzit dhe gjithnjë me besimin se në pasjetë do të takohej edhe një herë me vllain e saj, dhe do të kishte qenë më e gëzuar të takohej me të, se me cilindo perëndi, që të paktë kishin qenë në jetën e saj.
Njeriu i dytë që më kujtohet është gjyshja ime, nga nëna. Bijë e një fisi me emër, Gjylëve të Ulqinit, më i njohuri prej tyre kishte qenë Mehmet Gjyli, mbrojtësi i qytetit, sëbashku me Mehmet Becin, nuse në një shtëpi të fisme, Gjylbegajt, ajo kishte mbledhur, si një sfungjer i stërmadh, gjithë mirësinë e kësaj bote, megjithëse ishte e paktë nga trupi.
Edhe ajo na piqte gështenja netëve të dimrit, aty mbi sobën që bubullonte nga zjarri. I përzinte ngadalë me mashën e tymosur, fliste qetësisht dhe , pastaj, i ndante në disa pjesë.
I thoja, ” bëhemi bashkë”, dhe i përzinim gështenjat në një masë të vetme. Ajo na i qëronte ngadalë dhe ndërkohë fliste për gjërat që kishin shkuar, për njerëzit që kishin qenë pjesë e jetës së saj dhe që kishin lënë shumë gjëra nga vetja në jetën e atyre fiseve të mëdhenj dhe me emër.
Mbi gjithçka meraku i saj kishte mbetur tek i vëllai, Esati. Esat Gjyli kishte qenë udhëheqësi kryesor i rinisë antifashiste në Shkodër. I bukur, si drita. Ishte rrethuar nga ballistët, një mbrëmje tetori, në një rrugicë të ngushtë. Ballistëve u printe daja i Esatit. E vranë dhe gjyshja ime kujtonte se kur po ndaheshin prej tij, kishin lejuar vetëm tri gra të ishin në atë ndarje, flokët i kishin rënë mbi ballë dhe dukej sikur do të rizgjohej.
Fliste ngadalë dhe shpupurishte diçka në zjarrin e gështenjave.
Duart e saj të vogla, shamia e bardhë që i mbulonte flokët, ajo ngrohtësia që të përcillte në të gjithë qenien tënde, i ëmbëlsonte gështenjat, ashtu si na e ka ëmbëlsuar jetën.
Të dyja janë në parajsë tani, jam i bindur. Nuk e di në se i kanë takuar njerëzit që i kanë dashur, por kur kujtohem për to, më merr malli për kohrat që shkuan, e pastaj them me vete:
-Çfarë njerëzish të veçantë kanë qenë të parët tanë, që i kujtojmë edhe përmes një gjëje kaq të zakonshme, gështenja që piqeshin në një vend të huaj, të largët, ku dielli, si në baladat tona, “shumë po shndrit, por pak po nxe”.

Urime, na kenaqe me kete shkrim te permalluar ne keto dite reflektimi pragfestash.
Diçka per hallat.
Nuk di si jane hallat neper bote, por hallat shqiptare mbartin dhe transmetojne nje dhimbsuri e kujdes te jashtezakonshem, te paspjegueshemper femijet e vellezerve.
Flm Bedri!
Artikull mbreselenes dhe brilant! Ju pergezoj zoti Bedri!
Krahasoni kete shkrim njerezor me klithmat e korbave shqiptare! Bedriu na fton ne jete! Ne jeten reale e njerezve te ndershem! Por per ku na fton Berisha dhe Lulja me Monen! Ne lufte per te vrare Ramen qe te shpetojne keto dy familje mafioze! Nuk jane 20 jane vetem dy te tjeret jane pjelle e ketyre dy familjeve berisha-meta!
“Shumë po shndrit (atje larg ne bote te huaj), por pak po nxe (ne token qe te lindi)”.
Imagjinoni nje “Migjen” te koheve moderne duke u sjelle rreth e rrotull markates se krishtlindjes me te vjeter (1692) dhe me te vizituar (afro 4 milion) ne Europe.
Pasi i sillet dy-tri here sheshit qe mban emrin e poetit me fame boterore, Schiller, ai hedh nje veshtrim paksa admirues kishes evangjeliste mijevjecare, e cila qendron krenare ne mes te markates. E veshtron me kureshtje kishen, dhe pa tentuar te futet brenda saj, i drejtohet instiktivisht tregut tradicional, me shprese se atje, ne vend te “Weihnachtsgebäck, Kriststollen, und Glüwein” do te gjeje ndonje kokerr geshtenje te sapo-pjekur, te nxehte, qe nxjerr avull dhe plot arome. Geshtenjat i gjen me bollek, por ato jane gjysem te ftohta, te thata, pa shije… Zhgenjehet. Zhgenjimi nuk zgjat shume, se vendin e tij e ze nje ndjenje e forte per te shkuaren. Eshte nostalgjia, eshte malli. Eshte malli per geshtenjat, per geshtenjepjekeset, per familjen, per vendin.
Vetem kaq? Sigurisht qe jo!
“Puna e geshtenjes” ishte… fasada! Esenca fshihet ne detaje. Ate e ka permendur diku midis rreshtave. Ajo ka te beje me “thikat pas shpine”. Tematike kjo qe sot eshte me aktuale se kurre !
Bedriu is back !
Bravo !
I thone qe oxhaku s’behet buxhak.
Kur zgjidhni njerezit qe do ju perfaqesojne mos degjoni se c’thone por shifni nga vijne e c’ka perfaqesojne.