Hoxha: Pas vrasjes së dy ushtarakëve, komando greke grabiti arsenalin luftarak të repartit

anazapta

Dosja ‘Masakra e Peshkëpisë” nga gazetari investigativ Artan Hoxha. Çfarë ndodhi me nënoficerin e marrë peng deri në kufi nga komandot greke të “Pirro i Parë”. Cilat janë dëshmitë e masakrës së paralajmëruar nga qarqet shoviniste greke dhe pse u neglizhuan ato nga strukturat e shtetit shqiptar. Cilat janë detajet e panjohura të operacionit dhe reagimet zyrtare për masakrën.

 

Artan Hoxha: Pas vrasjes së dy ushtarakëve e plagosjen e dy të tjerëve, komando greke “Pirro i Parë”, mori peng një oficer deri në kufirin grek. Afro 24 orë më pas, më 11 prill 1994 duke u gdhirë e hënë, në redaksinë e gazetës greke “Elefterotipia” kishte mbërritur një faks ku njoftohej se autorësinë e masakrës e merrte përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut)

 

Nga Artan Hoxha

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Gjatë largimit komando mori sërish rrugën drejt kufirit grek. Ata morën me vete municionin e grabitur dhe për mburojë morën peng të lidhur me pranga një nënoficer të repartit. Në kufi, nënoficeri shqiptar u la i lirë. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komando, me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës. Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë shpejtuan t’i jepnin ndihmën e parë shokut të tyre Arsen Gjini dhe komandantit Fatmir Shehu, por gjithçka ishte e kotë. Komando e frontit për çlirimin e Vorio Epirit ia kishte arritur qëllimit.

 

REAGIMI I QEVERISË SHQIPTARE

Të nesërmen, disa orë pas sulmit, qeveria shqiptare e turpëruar nga ky sulm i papritur reagoi ashpër nëpërmjet një note proteste, në të cilën thuhej: “Sot, më 10 prill 1994, në orën 02:40 të mesnatës, një komando terroriste greke, e përbërë nga rreth 8 veta midis të cilëve njëri fliste shqip me theks grek, që ishin armatosur me armë zjarri, me uniformë ushtarake të ushtrisë greke, u fut në territorin shqiptar, në afërsi të fshatit Peshkëpi të rrethit të Gjirokastrës. Duke u futur në thellësi të territorit shqiptar, rreth 4 kilometra në një qendër stërvitore ushtarake të trupave shqiptare vranë në befasi me armë zjarri ushtarin Arsen Llazar Gjini, 20 vjeç, nga fshati Seman i rrethit Fier. Pasi vranë ushtarin, hynë në fjetoren e ushtarëve kur këta po flinin gjumë dhe hapën zjarr kundër tyre. Nga këto veprime kriminale mbeti i vrarë komandanti i stërvitjes, kapiteni i parë Fatmir Sali Shehu, nga Tepelena dhe banues ne Gjirokastër, si dhe u plagosen tre ushtarë.

Mbasi kryen këto akte kriminale kundër tërësisë territoriale dhe ushtarakëve tanë, ata thërrisnin: ‘Këto i kini për Vorio Epirin’, si dhe ‘Mos kujtoni se ne kemi harruar’”…

REAGIMI I QEVERISË GREKE

Disa orë më vonë qeveria greke e ndodhur para faktit të kryer u përgjigj flakë për flakë. Zëdhënësi i qeverisë greke, Evangelos Venizellos, deklaroi se “Qeveria greke u informua e befasuar për ngjarjen që përshkruhet në notën shqiptare, si dhe akuzat që përfshihen në të e drejtohen kundër Greqisë. Qeveria greke njeh vetëm pretendimet e palës shqiptare, të cilat janë kontradiktore, përderisa, nga njëra anë tentojnë t’i hedhin qeverisë greke përgjegjësinë e plotë për një gjoja operacion të planifikuar dhe nga ana tjetër, e ftojnë që të gjejë dhe të dënojë autorët e panjohur. Greqia është faktor themelor paqe, sigurimi dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit, i cili është shndërruar në fushë tensionesh e provokacionesh të shumëllojshme. Në këtë kuadër, synimi i përhershëm i politikës së jashtme është përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve greko-shqiptare. Vetëkuptohet se Greqia kundërshton dhe dënon çdo akt dhune, prandaj nuk do të mund të kishte lidhje me një ngjarje të tillë. Këtë e di mirë komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria shqiptare. Greqia, rrjedhimisht nuk është e predispozuar të durojë asnjë provokacion dhe asnjë akuzë të pabazë kundër saj. Kështu që, është absolutisht e papranueshme çfarëdo tentativë për ta lidhur qeverinë greke me një ngjarje të tillë. Përgjigjja e plotë dhe zyrtare e Greqisë ndaj notës shqiptare, do të jepet nëpërmjet rrugës diplomatike.”

MEDIA PËRCJELL KËRCËNIMIN GREK
Është e qartë se toni i përciptë e njëkohësisht kategorik i deklaratës, nuk mund të justifikohet vetëm me befasimin e qeverisë greke. Afro 24 orë më pas më 11 prill 1994 duke u gdhirë e hënë, në redaksinë e gazetës “Elefterotipia” kishte mbërritur një faks ku njoftohej se autorësinë e kryerjes së masakrës e merrte përsipër organizata MAVI (Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut). Në deklaratën e MAVI thuhej se “Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak. U krye për të dhënë sinjalin e fillimit të luftës sonë, kundër shkeljes së të drejtave të njeriut në vendin tonë. Dhuna, kur godet padrejtësinë dhe autarkinë, përbën një metodë të pranueshme luftarake. Këtë fitore, në operacion të drejtë, ne ua dedikojmë ushtarëve grekë, që derdhën gjakun në malet tona dhe buldozerët shqiptarë ua zhvarrosën eshtrat e ua hodhën qenve. Kërkojmë që të ndërpritet menjëherë terrorizimi i grekëve të Epirit të Veriut nga qeveria shqiptare dhe lirimi i menjëhershëm i aktivistëve të OMONIA-s, në emrin e të cilëve dënohet Greqia dhe e ardhmja e helenizmit të Epirit të Veriut në tokën atërore, funksionimi i pandërprerë i shkollave greke, kudo ku ka persona me origjinë greke. T’i jepet fund pengimit të ushtrimit të fesë dhe rindërtimit të kishave tona. Të ndalohet shitja jashtë shtetit, nga “zyrtarë të lartë” shqiptarë, e thesareve tona të lashtësisë dhe të periudhës bizantine. Të ndalohet kolonizimi i Epirit të Veriut me shqiptarë nga Veriu dhe nga Kosova. T’u jepen pronat pronarëve të vërtetë, me qëllim që të rilindet toka jonë. Ftohet qeveria greke dhe udhëheqja politike që të interesohen më në fund me të vërtetë, për tokën tonë, që të mos shpërngulemi. Ftohet ushtria greke të jetë vigjilente. Jemi të vendosur që, në vend që të shpërngulemi, të ngujohemi në llogoret tona të lira dhe aty, duke luftuar, të presim të vijë ose ushtria greke, ose vdekja.”

 

TRAGJEDIA, E PARALAJMËRUAR

Masakra e komandos së ardhur nga territori grek e ktheu mbrëmjen e 10 prillit 1994 në një natë Shën Bartolomeu për ushtarët e repartit të Peshkëpisë. Në të vërtetë sulmi kishte kohë që ishte përgatitur me kujdes të madh nga nacionalistët ekstremistë grekë. Ekzekutimi perfekt nga skuadra e ashtuquajtur “Pirro i parë” i dha dorën e fundit gjellës që ishte paralajmëruar deri dhe publikisht nga mediet e vendit fqinj. Vetëm pesë javë përpara sulmit, Gazeta nacionaliste greke “Stohos”, kishte dhënë kushtrimin për atë që i priste ushtarakët shqiptarë. Në numrin e datës 2 mars 1994, në faqen e parë të gazetës „Stohos“ shkruhej: “Me gjithë masat e tërbuara të shqiptarëve dhe me gjithë kundërshtimin e politikanëve tanë, të cilët nuk duan të kenë telashe e kokëçarje, grekët e trojeve tona të pushtuara nga Tirana, organizuan me përkrahjen e “Stohos”, që përbën shpresën e fundit për kombin, “Skuadrat e Vetëmbrojtjes”. Mesa duket një nga këto skuadra që shkruan Stohos ishte dhe ajo e mesnatës së 10 prillit kur mbetën të vrarë dëshmorët e atdheut Kapiteni i Parë Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini. Më tej në artikullin e botuar nga gazeta Stohos thuhet:
“Këto skuadra pishtare, që u betuan të derdhin gjakun për mbrojtjen e helenizmit dhe çlirimin e vëllezërve tanë, u formuan në fshatrat Aliko, Vagalat, Dhivër, Dhrovjan, Leshicë, Mursi, Finiq dhe së shpejti do të shtrihen edhe në fshatra të tjera”.

 

TRAGJEDIA, KËRCËNIM TERRITORIAL

Të gjithë fshatrat shqiptarë që u përmenden emrat nga gazeta “Stohos” ndodhen në jug të vendit, përgjatë kufirit me Greqinë, madje përfshihen brenda zonës së ashtuquajtur si Epiri i Veriut.

Kurse botuesi gazetës greke Jorgos Kapsalis, pas ngjarjes së Peshkëpisë shprehej: “Qëndrimi i ‘Stohos’ për ngjarjen në repartin ushtarak shqiptar është i qartë. Ne besojmë se Greqia duhet të shtrihet në kufijtë e saj të natyrshëm, ndër të cilët përfshihet Saranda dhe Gjirokastra. Urojmë që komandoja, e cila kreu aksionin, të jetë frymëzuar nga të njëjtat ide që frymëzohemi dhe ne. Për fat të keq, kemi mbërritur në stadin absurd dhe nacionalisht të rrezikshëm që, nga njëra ana t’u themi ‘Bravo!’ armenëve e kurdëve, që me të drejtë e godasin Turqinë brenda territorit të vet, dhe nga ana tjetër, të mos i mbështesim vorioepiriotët që të zhvillojnë luftën e tyre partizane çlirimtare. Në këtë kontekst, nëse aksioni i komandos në Peshkëpi përbën fillimin e një lufte të tillë çlirimtare, atëherë ne e përshëndesim atë. Greqia e ka braktisur helenizmin, e ka lënë në mëshirë të shqiptarëve. A nuk duhet që njerëzit të organizohen e të përgjigjen? E vetmja rrugë për mbrojtjen e helenizmit është bashkimi i Epirit të Veriut me Greqinë. Kjo do të bëhet. Dhe do të bëhet me luftë”. Çuditërisht ajo që paralajmëroi gazeta greke ndodhi pikë për pikë ashtu, madje brenda një kohe shumë të shkurtër.

 

TERRORISTËT “PIRRO-1”

Skuadra e identifikuar me emrin e koduar “Pirro 1”, iu afrua kufirit shqiptar dy ditë përpara sulmit. Komando që mori përsipër goditjen përbëhej nga 7 persona, të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të pajisur me armatim këmbësorie të prodhimit perëndimor, i njëjtë me atë që përdorte ushtria greke. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës që kishte për detyrë mbështetjen dhe transportin e terroristëve, qëndroi në gatishmëri për çdo të papritur në brendësi të territorit grek, në një zonë mes fshatrave Orino-Pontikates dhe Argirohori. Sigurisht lëvizja e komandos së Frontit për Çlirimin e Epirit të Veriut nuk mund të kryhej pa mbështetjen apo së paku dijeninë e shërbimeve sekrete fqinje. Lëvizja lirisht e mjeteve dhe personave të armatosur në afërsi të kufirit me Shqipërinë, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin acaruar së tepërmi dëshmon se autorët e sulmit kishin marrë garanci të plotë nga përtej kufirit se do ta kishin të sigurt shpinën.

 

DETAJE TË OPERACIONIT

Komando greke pasi kaloi me kujdes vijën e kufirit u vendos në një kodër përballë repartit nga ku mund të mbante nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vend ndodhjen e saktë komando u vu në lëvizje. Sulmi nisi në mesnatë, orë kur reparti shqiptarë me 130 rekrutë të rinj 18-20 vjeçarë kishte rënë në qetësi të plotë. Dëshmori i atdheut 20 vjeçari Arsen Gjini nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e terroristëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip kallashnikov që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi aspak të pa njohut që e dinin shumë mirë se ai s’kishte fishekë. Arsen Gjini u bë viktima e parë e breshërive të komandos greke. Brenda pak çastesh komando greke vërshoi në godinën dykatëshe, dhe me saktësinë më të madhe bllokoi fjetinën e ushtarëve si dhe depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash i gjithë reparti me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit. Oficeri i stërvitjes kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, u vesh nxitimthi dhe u sul drejt shkallëve me një pistoletë tip Tokarev në dorë. Tentativa e tij për të rezistuar mori përgjigje tragjike të nga terroristët e komandos. Kapiteni i parë Fatmir Shehu, baba i dy fëmijëve, u qëllua me breshëri automatiku në sheshpushimin e shkallëve midis katit të dytë dhe katit të parë.

Gjatë largimit komando mori serish rrugën drejt kufirit grek. Ata morën me vete municionin e grabitur dhe për mburojë morën peng të lidhur me pranga një nënoficer të repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komando, me emrin e koduar “PIRRO i parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës.

 

(Vijon nesër)

 

Komando greke ‘Pirro i Parë’
-Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.
-Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke.
-Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor.
-Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik.
-Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.
-Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi.

-Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, vëllai i Harallamb Papas.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e gazetarit investigativ Artan Hoxha: Si nisi dhe si u realizua “Fshesa” greke mbi emigrantët shqiptarë pas masakrës së 10 prillit 1994 në repartin e Peshkëpisë në Gjirokastër.

-Si u përgatit dhe pse dështoi paraditen e 18 marsit 1995 sulmi i dytë i komandos greke, celula e armatosur e organizatës ultra nacionaliste greke “MAVI” mbi postën kufitare shqiptare.

-Operacioni i policisë greke në tokën fqinje për kapjen e komandove terroriste dhe arrestimi i tyre dhe reagimet zyrtare të palëve.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *