Duke filluar nga viti 2018, edhe në Spitalin Rajonal të Fierit do të kryhen për herë të parë ndërhyrjet e kardiologjisë invazive për t’i dhënë zgjidhje me metoda bashkëkohore infarkteve akute për 400 mijë banorët e qarkut të Fierit.
Deklarata është bërë sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirli, gjatë vizitës së zhvilluar në këtë spital. “Një milion euro investime për angiografin dhe aparatura të tjera biomjekësore do të fuqizojnë në vitin 2018 spitalin Rajonal të Fierit. Paralelisht, po përgatisim burimet njerëzore, mjekët e specializuar, që do të kryejnë ndërhyrjet e kardiologjisë invazive në këtë spital, duke filluar nga viti i ardhshëm, duke krijuar kështu një hartë të re të ofrimit të këtij shërbimi në vend”, theksoi ministrja Manastirliu.
Gjatë takimit me stafin mjekësor të spitalit Rajonal të Fierit, ministria risolli në vëmendje nismën që bashkë me spitalet universitare të Tiranës po hartohet një plan konkret për të nisur sistemin e patronazhimit të spitaleve rajonale.
“Duke filluar nga muaji Janar do të plotësojmë nevojat me mjekë specialistë këtu në spitalin e Fierit dhe në të gjitha spitalet rajonale përmes një kalendari që jemi duke e përcaktuar me drejtuesit e shërbimeve shëndetësore të spitaleve universitare. Ky sistem i ri do të rrisë formimin profesional të mjekëve kudo në Shqipëri, por së pari, do të garantojë ofrimin e shërbimeve mjekësore aty ku janë nevojat”, u shpreh Ministrja Manastirliu.
Ndërsa Prof. Artan Goda, shef i shërbimit të Kardiokirurgjisë në QSUT u shpreh se hapja e kabinetit të ri të Hemodinamikës është një lajm i mirë jo vetëm për Fierin por për të gjithë jugun e vendit. “Kryerja e ndërhyrjeve me metoda moderne, përveç kirurgjisë tradicionale, do të mundësojë të shpëtohen jetë njerëzish nga infarktet akute”, tha prof.Goda.
