Presidenti i FSHF-së ka folur për gjithë vitin 2017 për futbollin shqiptar. Që nga ekipet e kampionatit e deri te Kombëtarja, ku është ndalur në veçanti te zgjedhja e trajnerit të ri të Shqipërisë.
E quan zgjedhjen e duhur Panuçin, ndërsa thotë se ka refuzuar Sedorfin apo dhe Di Kanion. Tashmë është luks, më parë Shqipërinë e refuzonin dhe tashmë është Shqipëria që refuzon.
Çfarë ndodhi në momentin e divorcit me De Biazin, pas ndeshjes me Luksemburgun? Konferenca për shtyp… Ai erdhi në zyrën tuaj… na trego diçka më tepër që publiku nuk e di? U duk sikur e bindët…
Nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë. Humbja me Luksemburgun, fatmirësisht që ishte miqësore. Ishte ndaj një skuadre të vogël në letër, por që faktikisht është rritur shumë. Për gjithë këto rezultatet e viteve të fundit, për ne ishte e papranueshme. Edhe për De Biazin ishte e papranueshme sepse gjatë kohës që ishte trajner i Shqipërisë, e thoshte me shaka: Ju kam gjetur kur ju rrihte Luksemburgu. Dhe faktikisht, e la kur na mundi Luksemburgu (qesh…).
Në futboll ndodh gjithçka, pavarësisht se është e dhimbshme një humbje ndaj një skuadre të vogël, por nuk duhet bërë dramë. Nëse e bën të tillë, ajo mund të sjellë pasoja akoma më negative. Ajo humbja, mbase i bëri mirë periudhës së rënies së skuadrës, pasi edhe vetë çunat, me të cilët kemi diskutuar gjatë në Antalia para ndeshjes me Izraelin, e kuptuan që thika po shkonte në kockë. Ndofta ajo e Luksemburgut i bëri që ta ndjejnë thikën në kockë dhe të reflektojnë që në ndeshjen me Izraelin dhe kanë bërë mirë, besoj pas kësaj ndeshje.
Shumë shpejt e gjeti punën De Biazi, por shumë shpejt e humbi… Vetëm tetë javë në krye të Alaveshit?
Duhet me qenë i duruar në futboll. Edhe ata duhet të ishin më të duruar dhe të prisnin më shumë. Nëse ne do të bënim të njëjtën gjë me De Biazin, duhet ta kishim larguar në vitin e parë. Mendoj që bëmë mirë që ishim të duruar.
Zgjedhja e trajnerit të ri…
“Në atë kohë, janë publikuar emrat. Kanë qenë kandidatë që ne i kemi intervistuar: Sedorf, Zenga, Ish-trajneri i Udinezes. Vërtetë që ishin trajnerë të mirë me karakteristikat e tyre. Sedorf, për mua, ishte një nga njerëzit më intelektualë, më i përgatitur, i superedukuar, me gjithë të mirat që mund të ketë një person. Nga më të mirët që unë kam parë në botën e futbollit. Por, nuk më bindte për postin e trajnerit.
Është një tjetër gjë. Nëse do ta zgjidhja për çdo gjë tjetër, ishte një super intelektual. Më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Dhe nuk e mendoja që mund të vinte një ditë, që ne përfaqësuesit e Shqipërisë, do t’i thoshim jo, ose do të refuzonim një kandidaturë të tillë, kaq të madhe, kaq të përgatitur dhe kaq intelektuale.
Edhe të tjetër gjithashtu. Di Kanio, një njeri me shumë eksperiencë, shumë i përgatitur dhe shumë i qetë. Edhe ai mund ta ndihmonte skuadrën. Por, Panuçi më ka bindur me një dëshirë dhe pasion shumë më të madh se të tjerët. Me grintë shumë më të madhe dhe këto janë të rëndësishme për mua në futboll. Edhe De Biazin e kam zgjedhur për të njëjtat karakteristika”, tha Duka.
A e vendosi titullin e vitit të kaluar arbitri Enea Jorgji?
“Nuk besoj se ka ndonjë ndryshim negativ për arbitrimin, nga 2016 te 2017. Për mua, siç kanë ecur të gjitha gjërat në futboll, ka ecur edhe arbitrimi, pozitivisht. Nuk mund të them në asnjë rast që janë eliminuar gabimet njerëzore apo jo njerëzore. Këto ekzistojnë, prandaj ekzistojnë edhe të gjithë njerëzit që merren me përgatitjen, përmirësimin, trajnimin, kontrollin e arbitrave.
Që gabimet e tyre të minimizohen sa më shumë. Niveli i arbitrimit në Shqipëri, është i barabartë me nivelin e futbollit. Nuk është gjë e veçantë. Për sa e mbaj mend unë lojën dhe për sa kam lexuar, si dhe për sa të ekzistojë, pjesëmarrësit në garë dhe ata që e ndjekin, do të kenë kontestime për arbitrin. Është lojë e gabimeve arbitrare, futbollistike, teknike. Kemi me plot trajnerë që e pranojnë se mbas ndeshjes: Është lojë, gabova”, deklaroi Duka në “Supersport”.
Një emër i madh i futbollit shqiptar si Tirana, ra nga kategoria. Komenti juaj për këtë ngjarje?
Patjetër që është një ngjarje, pasi për herë të parë në histori, fatkeqësisht, një ekip i madh me shumë trofe, me më shumë trofe në Shqipëri, ra nga kategoria. Kjo është një lojë, që duhet të kontribuohesh, organizohesh mirë, të luash mirë dhe në fund të kesh edhe pak fat. Nuk mund të themi që Tirana ishte skuadra më e dobët e kampionatit.
Por, ndofta edhe fati nuk e ndihmoi dhe e thashë fatkeqësisht. Unë personalisht kam keqardhje. Jam munduar me të gjithë mundësitë e mija, jo sportive, pasi nuk kam mundësi sportive të kontribuoj që Tirana të mos binte nga Kategoria ose të ringrihet. Realisht, që Tirana të ringrihet dhe të kthehet aty ku ka qenë, duhet të bëjë mirë gjithçka nga ana organizative, manaxheriale e sportive. Duket se këtë vit po i bën mirë dhe uroj që vitin e ardhshëm të kemi një Tiranë më të mirë.
Uroj që të mos kemi një skuadër tjetër me emër po kaq të madh si Tirana… Të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore që janë në fundin e klasifikimit dhe që luftojnë realisht për mbijetesë, janë vërtetë skuadra me shumë histori në Shqipëri. Për çdo njeri të futbollit do të jetë dhimbje koke a keqardhje në fund të sezonit, nëse ndonjë nga këta do të bjerë nga kategoria. Kjo është mënyra, ekonomia e tregut. Nuk ka më klube të mëdha, apo të vegjël, por ka klube që organizohen mirë dhe keq.
