Ofendim apo mosmirënjohje?

Ornela

Agim Vinca

Dy ditë pasi Monika Kryemadhi tentoi ta godiste kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, me çizme në parlament, gazetari i “Kohës Ditore”, Adriatik Kelmendi, e goditi me një artikull në gazetë.

“A na ofendoi Edi Rama?”, pyet qysh në titull autori i shkrimit dhe përgjigjet pa hezitim: “ofendim e shkuar ofendimit”! Akuzë e rëndë, s’ka fjalë! Dhe përse? Sepse “nga ndër më të mirët në Kosovë” (se kush dhe si e ka vërtetuar këtë mbetet të shihet!), paskësh zgjedhur katër zëvendësministra nga Kosova. E ç’të keqe ka këtu dhe përse ky veprim qenka ofendim për Kosovën (!) dhe, madje “ofendim e shkuar ofendimit”?! Për arsye se këtë veprim Edi Rama e paskësh bërë, sipas autorit të shkrimit: “për simbolikë, për efekt publik dhe për të përkëdhelur egon e tij si politikan”!

“Argumenti” i vetëm mbi të cilin mbështetet ky konstatim është se: edhe “më të mirët nga Kosova nuk qenkan mjaftueshëm të mirë për t’u bërë ministra!”.

Më vjen keq që më duhet të zbres në nivel të reagimit të gazetës, por ky është një interpretim vërtet keqdashës e tendencioz dhe, në thelb, tejet i padrejtë.

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, në Qeverinë që drejton këtë vend, zgjidhen katër zëvendësministra nga Kosova në katër resorë të rëndësishëm: arsim, kulturë, shëndetësi dhe turizëm. Për herë të parë pas njëqind vjetësh! Vetëm ndonjë vit më parë kjo gjë ishte e paimagjinueshme. Nuk e bënë këtë asnjëri nga pararendësit e Edi Ramës, as “jugori progrek” Fatos Nano, as “veriori patriot”, Sali Berisha, aq i adhuruar një herë e një kohë në Kosovë, e as të tjerët që në këta 27 vjet kanë qenë në krye të Ekzekutivit në Tiranë (për ata para tyre as mos të flasim).

E bëri Edi Rama dhe për këtë do të duhej t’i jemi mirënjohës dhe ta falënderojmë publikisht e jo të kërkojmë, me një zell të paparë, pretekste edhe aty ku kemi të bëjmë me një veprim në thelb të bukur e fisnik. Simbolik apo jo, akti i zgjedhjes së katër zëvendësministrave nga Kosova në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, është një fakt real politik dhe juridik. Se sa do të ketë efekte praktike, kjo nuk varet vetëm prej Edi Ramës, por edhe prej nesh dhe në radhë të parë prej atyre katër “ndër më të mirët”, që paskëshin pasur fatin të zgjidhen në këto poste të rëndësishme (fundja, vlerësimi për punën e tyre do të bëhet në fund e jo në fillim të mandatit).

Nuk e kuptoj përse duhet kërkuar motive shtesë a prapavijë edhe në një veprim si ky i emërimit të katër zv.ministrave nga Kosova në Qeverinë “Rama 2”? Ç’është ky zell për të vënë në dyshim çdo gjest e çdo veprim? Edi Rama si politikan nuk është i pakritikueshëm, përkundrazi, por nuk është hera e parë që ai vihet në thumb të kritikës edhe atëherë kur do të duhej të mbështetej pa rezervë për veprimet që bën.

Edhe kur tre vjet më parë (nëntor 2014) Edi Rama, në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë, i tha copë, midis Beogradi, homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiqit, se Serbia duhet ta njohë realitetin e ri politik të krijuar në Ballkan, pra duhet ta njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur e sovran dhe se sa më parë që ta bëjë këtë aq më mirë do të jetë për të dhe për marrëdhëniet midis dy popujve, disa “analistë” tanë, në Prishtinë dhe në Tiranë, desh e anatemuan pse foli ashtu siç foli, me pretekst se nuk duhej të sillej kështu kryeministri shqiptar në një vizitë të pritur aq gjatë dhe se kësisoj i paskësh dëmtuar marrëdhëniet fqinjësore e dëngla të tjera të ngjashme. Po të kishte vepruar ndryshe, të tregohej inferior ndaj Vuçiqit, siç ndodh me me politikanët tanë dhe po të mos e përmendte fare Kosovën, aq më pak njohjen e saj, të njëjtit njerëz do ta gozhdonin në shtyllën e turpit. Kësaj i thonë: hip se të vrava, zbrit se të vrava!

Edi Rama si politikan ka fajet dhe kusuret e veta, që kanë të bëjnë kryesisht me problemet e brendshme të Shqipërisë si shtet (ekonomike, politike, sociale etj.), por ta akuzosh Edi Ramën pse bëri pjesë të Qeverisë së tij katër zëvendësministra nga Kosova është jo vetëm një veprim mosmirënjohës, por edhe një absurd i vërtetë.

Dëgjon shpesh të flitet e shkruhet ndër ne se Tirana ndaj Prishtinës, në politikë, në kulturë etj., ka qëndrim paternalist. Nuk na pëlqen paternalizmi, sepse jemi shtet dhe si shtet kërkojmë reciprocitet, duke e trajtuar edhe Shqipërinë njësoj sikurse shtetet e tjera fqinje, në mos më keq! Pra, jemi kundër paternalizmit, sepse e ndiejmë veten të fyer, por nuk e respektojmë as kriterin e reciprocitetit kur nuk na konvenon. Pra, herë kështu e herë ashtu! Lidhur me këtë, le të na lejohet të shtrojmë një pyetje heretike: përse Qeveria e Republikës së Kosovës, në armatën e saj prej 70 e sa zëvendësministrash nuk gjeti vend për një zëvendësministër të vetëm, ta zëmë, nga Tirana, Durrësi apo Elbasani? Qoftë edhe për simbolikë, pse jo?

Tjetër. Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë, por edhe kryetar i Partisë Socialiste në pushtet. Po të nisej nga interesat partiake, ai në këto vende do të emëronte katër anëtarë të partisë së tij, siç veprojnë zakonisht kryetarët e partive ndër ne, madje edhe gjetkë.

Dinak apo jo, ai rezervoi katër vende për djem e vajza nga Kosova në kabinetin e tij, me rrezikun që të reagojnë fqinjët (serbët, grekët, maqedonasit) për këtë veprim “shqiptaromadh” dhe ta qortojnë ndërkombëtarët për të njëjtat arsye. Nuk e di a ka pasur reagime të tilla, nëse jo publike, në kanale të tjera, por ja që për zgjedhjen e katër zëvendësministrave kosovarë në Qeverinë “Rama 2” dëgjojmë reagime andej nga më së paku duhet të vijnë: nga Kosova.

Po të nisej nga kriteri krahinor Edi Rama, të cilin në Tiranë ndodh ta akuzojnë edhe si “antiverior”, katërshja zëvendësministrore do të duhej të ishte nga jugu i Shqipërisë, kurse po të nisej nga përkatësia konfesionale, larg qoftë, do të duhej të ishin të krishterë, përkatësisht ortodoksë.

Por ja që nuk janë. Janë katër të rinj nga Kosova, tri vajza e një djalë dhe ne duhet ta përshëndesim atë që ua dha atyre besimin dhe t’u urojmë punë të mbarë e jo të merremi me spekulime e hamendësime tekanjoze.

Edhe po të ishte ashtu siç thotë artikullshkruesi, se Edi Rama na paskësh fyer me veprimin e tij prej politikani dinak, reagimi i tij është i vonuar, sepse në gazetari reagohet menjëherë, brenda ditës, e jo pas dy-tre muajsh. (As koincidenca me skenat e para dy-tri ditëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe jashtë tij, nuk i bën nder autorit të këtij shkrimi).

Po qe se bëhet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë në të ardhmen, qoftë edhe në formën e një unioni mes dy shteteve, proces ky që e kundërshtojnë kategorikisht përveç politikanëve lokalistë edhe disa të ashtuquajtur analistë, atëherë në krye të asaj Qeverie të përbashkët do të kishte, sigurisht, jo vetëm ministra, por edhe kryeministra nga Kosova.

Apo edhe atëherë ndoshta dikush do ta ndiejë veten të fyer, shumë apo pak?

Tani për tani mbetet të jemi një çikë të drejtë dhe të mos i hyjmë tjetrin në hak!

/Marrë nga “Koha Ditore

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Mos prisni fjale te mira nga pinjolle te atyre qe formuan divizionin nazist “Scanderbeg” ne Kosove!
    Nuk thonin kot titistet,qe ne cdo 3 spiune te UDB-se nje prej tyre ishte shqiptar!
    Nuk e di pse e harruan keta kosovaret Masakren e Tivarit?
    Pyes:
    -A kane luftuar kosovaret ne Luften e Dyte Boterore te inkuadruar ne Brigadat Partizane kosovare qe ne fund arriten ne 70 mije luftetare?
    Ne se po,pse nuk mburren me kete kontribut kolosal,qe i siguroi Kosoves statusin e Krahines Autonome?
    Ne Shqiperi jane ndertuar varrezat e ushtareve fashiste italiane,nazisteve,anlezeve,grekeve etj,po ne Kosove,pse nuk kujtohet njeri qe per clirimin e trojeve shqiptare ne ish Jugosllavi dhane jeten 650 deshmore te atdheut?
    Pse nuk ngrihet nje monument per nder ketyre,apo i quajne njelloj si pushtuesit naziste?
    Ja keta jane kosovaret qe urrejne Shqiperine!

  • Adriatikut të Flamurit i paska ardhur radha ta vlerësoj se “Edi Rama na paska ofenduar që ç’ke me të!”
    Çështë e vërteta unë, po edhe shumë shokë e miqë të mi që nuk janë të pakët nuk janë ndierë të ofenduar nga Edi Rama me emërimin e katër zëvendësministrave nga Kosova (a mos deshi Adriatiku të jetë vetë i mëruar?), por jemi ndierë dhe vazhdojmë të ndihemi të fyer si mërgimtarë nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj me emërimin e Dardan Gashit zëvendëskryeministër dhe ministër për diasporën!
    Zgjedhje më të keqe dhe më fyese vërtetë nuk ka mundur të bëjë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *