Celularët në duart e fëmijëve? Ja rreziku që mbartin

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA

Sikundër ndodh në shumë vende, edhe në Shqipëri përdorimi i celularëve ka pësuar një rritje dramatike gjatë viteve të fundit, ku vëmendja po shkon gjithnjë e më shumë drejt telefonave smart, ku në radhët e përdoruesve po shtohen me ritme shqetësuese edhe fëmijët.

Nuk janë të pakta rastet kur vetë prindërit mendojnë t’i “qetësojnë” fëmijët e tyre duke u dhënë celularin që të luajnë. Praktikë e cila kundërshtohet me forcë nga ekspertët e shëndetit, e kjo për shkak të efekteve të shumta negative që japin ekspozimet e vazhdueshme ndaj energjisë së valëve elektromagnetike (prej të cilave në të vërtetë rrezikojnë të gjitha grupmoshat).

Megjithatë, efektet negative janë më të mëdha tek fëmijët. Specialistët e Zyrës për Mbrojtjen nga Rrezatimet, theksojnë se fëmijët mund të jenë më të rriskuar nga ekspozimi ndaj energjisë së valëve elektromagnetike. Kjo sepse energjia e emetuar nga celularët, mund të ndikojë në një zonë më të madhe të trurit tek fëmijët, ndryshe nga sa ndodh tek truri i më të rriturve.

Po ashtu truri dhe trupi i fëmijës rriten dhe zhvillohen gjatë viteve të adoleshencës. Gjatë kësaj periudhe, trupi mund të ndikohet më lehtë nga energjia e valëve elektromagnetike dhe efektet prej saj mund të jenë më të dëmshme dhe të zgjasin më shumë.

Kështu, një fëmijë që përdor telefon celular do të ketë një periudhë ekspozimi më të madhe gjatë gjithë jetës nga energjia e valëve elektromagnetike sesa një person, i cili fillon të përdorë telefonin celular në një moshë të madhe. Ndaj prindërit duhet të konsiderojnë reduktimin e kohës që fëmijët e tyre shpenzojnë në përdorimin e celularit dhe t‘i inkurajojnë apo këshillojnë ata që t’i fikin këto pajisje veçanërisht gjatë natës.

Po sipas ekspertëve të shëndetit, përdorimi pa kriter i celularëve nga të miturit mund të çojë në humbjen e përqendrimit dhe kujtesës, përveçse të uljes së aftësisë për të kuptuar , shqetësime gjatë gjumit, dhimbje të qafës, etj. “Nuk ka shumë studime në lidhje me efektet e energjisë së valëve elektromagnetike të telefonit celular në fëmijë, apo adoleshentë, por disa studime kanë treguar se mund të ketë efekte të rikthyeshme dhe ulje të mirëqenies së përgjithshme. Këtu bëhet fjalë për studime afatshkurtra. Dëmtimet janë të shumta edhe tek më të rriturit”, bëjnë me dije ekspertët e Zyrës së Mbrojtjes nga Rrezatimet.

Përballë përdorimit masiv të celularëve, specialistët e kësaj zyre mbështesin fuqishëm udhëzimet e Departamentit të Shëndetit Publik të Kalifornisë, rreth rregullave që mund të ndiqen për mënyrën se si mund të zvogëlojmë ekspozimet ndaj energjisë së radiofrekuencave, në të cilat funksionon telefonia celulare dhe pajisjet pa-tel. Kështu në një kohë që përdorimi i telefonave celulare e sidomos atyre “smart” vazhdon të rritet në Shqipëri, sidomos tek fëmijët, Zyra për Mbrojtjen nga Rrezatimet zbardh udhëzuesin me këshillat se si duhet të veprojmë për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj energjisë së marrë nga radiofrekuencat e celularëve. Në vijim të shkrimit gjeni të listuara disa këshilla se si duhet të përdoren aparatet celular për të mbajtur sa më larg që të jetë e mundur ndërlikimet që mund të shkaktojnë në shëndet valët e tyre.

Ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të bindur se hapa të vegjël, si mosmbajtja e telefonit në xhep dhe largimi i tij nga shtrati gjatë natës, mund të ndihmojë në uljen e ekspozimit si ndaj të rriturve, por edhe ndaj fëmijëve”, bëjnë me dije ekspertët e kësaj zyre. Sipas tyre, celularët emetojnë energji të radiofrekuencave kur ata dërgojnë apo marrin sinjale drejt dhe nga stacionet bazë të telefonisë celulare dhe disa shkencëtarë besojnë se kjo energji mund të ndikojë në shëndetin e njeriut.

Për të shmangur dëmet në shëndet çdo individi i rekomandohet:
• Mbajtja e celularit larg trupit, në çantë, apo në vende larg jush.
• Reduktimi i përdorimit të celularit kur sinjali është i dobët (shikoni treguesin e sinjalit të jetë sa më i plotë).
• Reduktim i përdorimit të celularit për transmetimin e sinjaleve audio dhe video, ose për shkarkim dhe ngarkim të skedareve të mëdha.
• Mbajtja e celularit larg krevatit gjatë natës.
• Heqja e kufjeve kur nuk jeni duke kryer një telefonatë.
• Përdorimi i kufjeve, ose përdorimi me zë të lartë duke e mbajtur sa më larg kokës gjatë kohës që përdoret.
• Kur e keni telefonin në përdorim, mbaje sa më larg kokës dhe trupit.
• Dërgimi i sa më shumë mesazheve dhe kryerja e sa më pak thirrjeve.
• Bërja e thirrjeve kur ka sinjal të fortë.
• Mos mbajtja e telefonit celular në xhep dhe poshtë jastëkut.
• Aktivizim i “Airplane Mode” nëse nuk e përdorni, sidomos gjatë natës .
• Mos përdorni telefonin celular kur je në drejtim mjeti në lëvizje.
• Mos përdorni telefonin celular për kohë të gjatë kur je brenda në makinë i parkuar.
• Mos përdorni telefonin kur jeni shumë të lodhur dhe me dhimbje koke.
• Mos bëni gabimin të mendoni se telelefoni me SAR të vogël është pa rrezatim.
• Për sigurinë tuaj, mos përdorni telefonin kur ecni në rrugë makine, në vijat e bardha.
• Fikni çdo pajisje pa tel gjatë natës, kur nuk ju nevojiten.
• Ndikoni tek të afërmit tuaj të ndjekin këto rregulla të thjeshta për zvogëlimin e ekspozimit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *