Financat shqiptare vijojnë të jenë në gjendje të vështirë. Asnjë përmirësim treguesish nuk shënohen në gjysmën e parë të këtij viti, madje deficiti buxhetor ka vazhduar të thellohet gjatë periudhës janar-qershor, duke arritur nivelin e parashikuar për të gjithë vitin 2013. Të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave tregojnë se vetëm në gjysmën e parë të vitit qeveria ka shfrytëzuar të gjithë mundësinë që i lejon ligji për buxhetin e shtetit për të krijuar deficit mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Në këtë mënyrë, diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve për 6-mujorin e parë të vitit ka kaluar nivelin 50 miliardë lekë. Referuar të dhënave, të ardhurat nga administrata fiskale vetëm për muajin qershor rezultojnë 12.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, duke e realizuar planin vetëm 92.3 për qind. Ishin parashikuar të mblidheshin rreth 166.1 miliardë lekë, ndërkohë që janë arkëtuar vetëm 153.3 miliardë lekë. Por, edhe pse të ardhurat nuk janë ato të pritshmet vërehet se janë rritur shpenzimet gjatë kësaj periudhe, ku ishin planifikuar 195.7 miliardë lekë, ndërkohë që janë shpenzuar 205.1 miliardë lekë. Me rritje mbi planifikimin rezultojnë edhe shpenzimet kapitale, ku nga 33 miliardë lekë që ishte planifikimi janë shpenzuar 41.2 miliardë lekë. Kjo lidhet dhe me faktin se në të gjithë vendin janë hapur projekte të reja, si dhe janë bërë pagesa për të mbyllur punimet në objektet e nisura një vit më parë, që i shërbyen fushatës elektorale të qeverisjes demokrate të para 23 qershorit. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deficiti buxhetor për këtë periudhë arriti në 51.6 miliardë lekë. Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave, e ka shoqëruar administratën fiskale gjatë gjithë vitit të kaluar. Në programimin vjetor të buxhetit të ardhurat janë llogaritur të jenë në vlerën 360.6 miliardë lekë, shpenzimet në 409.5 miliardë lekë dhe deficiti në vlerën 48.9 miliardë lekë.
