Shehi fantastik në portë, Skënderbeu e mbyll pa gola

anazapta

 Skënderbeu hodhi një hap të madh drejt kualifikimit në Champions League, teksa barazoi pa gola në Bakú, kundër kampionit të Azerbajxhanit, Neftchi. Portieri Orges Shehi ishte heroi i ndeshjes, pasi mbajti në lojë kampionët e Shqipërisë me një numër pritjesh të mrekullueshme, veçanërisht në pjesën e dytë. Ka rezultuar i drejtë parashikimi i trajnerit Mirel Josa, i cili u shpreh se kualifikimi do të vendoset vetëm në Korçë, ku të dyja skuadrat janë në pozita të barabarta, falë rrjetave të paprekura mbrëmë. Vështirë të thuash se Skënderbeu është favorit, nisur nga fakti që luan në fushën e tij, pasi në pjesën e dytë azerët dominuan dhe u mungoi vetëm lojtari gol, ndërkohë që edhe në pjesën e parë humbën një rast të pabesueshëm, dy-tre metra larg vijës së portës.

Skuadra korçare e nisi pa komplekse takimin, duke i sfiduar që në fillim vendasit, madje duke rrezikuar e para. Mesfusha është në ditë mjaft të mirë, ku shkëlqejnë Orelesi e Lilaj, që thyejnë aksionet kundërshtare e nisin menjëherë përpara sulmet korçare. Skuadra u përmbahet fjalëve të Josës, i cili kishte premtuar se Skënderbeu nuk do të bënte sehir në mbrojtje, por do të sulmonte. Në pjesën e parë loja ishte pothuajse e barabartë, megjithatë rastet më të pastër i kishin vendasit. Pjesa e dytë ishte tjetër melodi, me mbrojtje të kujdesshme nga ana e korçarëve, ndërkohë që azerët kërkonin të depërtonin. Vuajtjet e vërteta të Skënderbeut nisën në njëzet minutat e fundit, atëherë kur Neftchi u hodh me të gjitha forcat përpara, duke e vënë me shpatulla për muri Skënderbeun.

Aty dolën në pah vlerat e një portieri fantastik, me pritje të panumërta, deri nga ato të pabesueshmet. Në fund korçarët mendojnë ekskluzivisht vetëm për t’u mbrojtur dhe ia dalin më së miri, por ndeshje e kthimit do të jetë një tjetër histori. Nuk ka humbje për të përmbysur, por as rezultat pozitiv për t’u mbrojtur. Gjithçka është e hapur dhe Skënderbeut do t’i duhet patjetër të shënojë për t’u kualifikuar, duke mos llogaritur këtu ankthin pa fund të penalltive në rast se shifrat mbeten edhe një herë të bardha.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *