Nëse mishi e ndryshon ngjyrën, a është më i përdorshëm?

Pranvera Kola

Qoftë mish i grirë, biftek, apo tjetër lloj mishi, ajo që të gjithë duam është që mishi që gatuajmë të jetë i freskët. Por, çfarë ndodh nëse mishi ka qëndruar në frigorifer për disa ditë, ose është ngrirë dhe nuk duket më i kuq si më parë? A është ende i sigurt për t’u ngrënë ky lloj mishi, apo duhet ta hedhim atë?

Cilët janë shkaqet pse mishi ndryshon ngjyrën? Nga mishi i kuq tek mishi i shpendëve, ne po sjellim arsyet pse mishi mund të ndryshojë ngjyrë dhe çfarë do të thotë diçka e tillë.

Mishi i kuq

Mënyra se si duket, pa dyshim luan një rol të madh në atë nëse ne e mendojmë një produkt të freskët ose jo dhe në rastin e mishit të kuq, freskia ndoshta barazohet me një ngjyrë të kuqe të ndritshme. Kjo ngjyrë është rezultat i një proteine në mish, të quajtur mioglobin, e cila shndërrohet në oksimioglobin dhe prodhon një ngjyrë të kuqe të gjallë kur bie në kontakt me oksigjenin.

Jo të gjithë llojet e mishit të kuq kanë të njëjtën ngjyrë, edhe pse ngjyra është e ndikuar nga faktorë, si: dieta, seksi, ushtrimi, speciet dhe sidomos nga mosha, e cila mund të bëjë që mishi i prodhuar të ketë ngjyrë më të errët.

Ekspozimi i zgjatur në ajër dhe në dritë e errëson gjithashtu mishin, i cili nga i kuq i ndritshëm fillon të kthehet në gri, por është ende i kuq, ose rozë nga brenda, ashtu si ndoshta e keni parë të ndodhë me mishin e hamburgerit. Ndryshimet në ngjyrë mund të ndodhin në qoftë se mishi është i ngrirë. Në këtë rast mishi mund të humbasë ngjyrën e tij, ose të errësohet.

Mishi i shpendëve

Mishi i shpendëve i papërpunuar, ndonjëherë mund të ketë një hije kaltëroshe në brendësi, apo në lëkurën e ndritshme të verdhë, gjë e cila mund të duket e çuditshme. Ashtu si me mishin e kuq, variacionet në ngjyrë lidhen me ndryshimet e shpendëve në dietë, në racë, në ushtrime dhe në moshë. Mishi i shpendëve gjithashtu mund të ndryshojë ngjyrë kur ngrin.

A janë të sigurt kur konsumohen?

Lajmi i mirë është se, edhe nëse mishi ndryshon ngjyrë, gjë e cila nuk mund të perceptohet si e shijshme vizualisht, mishi i kuq, apo mishi i shpezëve është ende shumë i mirë për t’u ngrënë, nëse është ruajtur siç duhet në frigorifer dhe nëse konsumohet brenda një periudhe të sigurt kohore (deri në dy ditë për mishin e grirë dhe pesë ditë për llojet e tjera).

Ajo për të cilën duhet të tregoni kujdes, më shumë se sa ngjyra e mishit është aroma e tij. Nëse mishi ka erë të keqe, ose është ngjitës kur e prek, atëherë jini të vëmendshëm! Lërini shqisat tuaja të jenë udhëzuesit në këto raste!/shije.al

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *