Dilema e fundvitit: Gëzim apo dhimbje?

Ornela

 Çapajev Gjokutaj

Më bëjnë përshtypje fotografitë e moçme. Në to njerëzit shfaqen shumë seriozë, të zymtë dhe gati-gati hakërryes.

Ashtu duhet të ketë qenë dhe jeta, i them vetes. Me pak gëzime dhe shumë mungesa e mundime.

Por pas një çasti zë e ndruaj nëse ky arsyetim qëndron. Sado e vështirë të jetë jeta, njeriu nuk ia del dot pa çaste gëzimi, buzëqeshjeje, relaksimi. Se e ka të pamundur të vuajë nga mëngjesi në mëngjes, nga e hëna në të diel. Edhe të parët qeshnin, bënin humor e shprehnin dhembshuri. Se ndryshe njeriu ikën nga soji i vet dhe shkon tek i bishës.

Pranuar kjo, mbetet pyetja: përse kur ndodheshin para fotografit, të parët tanë prireshin të mos shfaqnin çaste të tilla? Për më tepër se fotot bëheshin shumë rrallë, shpesh vetëm një herë gjatë gjithë jetës. Dhe ajo pamje, që fiksonte një çast, i ndiqte gjithë jetën, madje edhe në pasvdekje, për t’u thënë pasardhësve: ky ishte filani. Pse duhet të mbeteshin në kujtesë të zymtë, të trembur dhe hakërrues?

Mbase i trembte aparati fotografik, gjë e rrallë dhe enigmatike. Para tij ndiheshin si përpara të huajit, përpara autoritetit, zyrtares, ndaj duhej të ishin seriozë, pse jo edhe të ndruajtur e të frikësuar. Njerëzit kurdoherë kanë buzëqeshur e janë gëzuar, thotë Angus Trumble, autori i ‘A brief history of the smile’, por kjo ndodhte përgjithësisht në sferën private, shfaqja në publik kërkonte seriozitet. Aq më tepër në një shoqëri tradicionale, si kjo jona.

Shpjegime të tilla më kënaqin një çast, por zbehen e zhbëhen kur kujtoj se para një shekulli, sidomos në këto skërka, jeta ka qenë shumë më e varfër dhe më e ashpër se sa sot. Dhe, ajo që ngjan më e rëndësishme: ligjërimi i përditshëm duket se ka qenë shumë më i prirur për ta theksuar e nxjerrë në dritë skamjen dhe dhimbjen.

‘Mos e shkel, he të shitofshin zanat!’, mallkonte malësori i Migjenit. ‘E derdha a m’u derdhtë gjaku!’, mallkonte veten malësorja e jugut. Dhe këto mallkime fatale bëheshin për ca kokrra misri, a për ca pika vajguri.

Varfëria ekstreme ngrinte në apoteozë materialen dhe sakrifikonte gëzimin. Përpiqej ta bënte jetën të zymtë e pa ngjyra si një foto bardhë e zi, të krisur e të zverdhur nga koha.

‘Do blej një çikë farmak e pastaj do mblidhem në gërmadhë’, thoshte gjirokastriti. Farmaku ishte buka, gërmadha – shtëpia.

‘Ku po shkon a i vrarë?’, ‘ç’bën, o derëzi?’, ‘ç’thua kështu, a i shuar!’, ‘bëj kujdes, o rrënjëdalë!’. Janë trajta që përdorte labi për t’iu drejtuar tjetrit, për të komunikuar me të, për t’i shprehur afri e solidaritet.

Të gjitha këto më kujtoheshin hera-herës këto ditë, gjatë ndërrimit të viteve, kur urimi ‘gëzuar’ shërbente si fjalë kyç e gjithë ligjërimit festiv. Por do t’u kthehesha më me nge dje, kur shfletova on line numrin e fundit të ‘Time’ dhe lexova editorialin e Bill Gates me përsiatje rreth pyetjes: a po bëhet bota më e mirë?

Gates anon nga ata që e shohin gotën gjysmë plot dhe sjell fakte e argumente bindës. Por në anët tona varfëria dhe padrejtësitë vazhdojnë të jenë me shumicë. Për to do folur e bërë shumë dhe përditë.

Por po kaq e rëndësishme është mbase të mbajmë ndezur pishtarët e gëzimit dhe të shpresës. Se jeta bëhet më humane kur e flasim në gjithë ngjyrat e saj. Se monotonia dhe tonet e muzgëta riprodhojnë veten dhe, kur bëhen mbisunduese, gjenerojnë pasivitet e depresion. Individual e shoqëror.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Profesor Çapajevi, mjeshter i tekstit te shkruar, te zhdervjellt e te kursyer. Nje shkolle se si duhet shkruar duke ekonomizuar fjalet, fjalit, paragrafet dhe duke percjelle maksimumin e mendimit dhe te ndjenjes… Kenaqesi per mua tw lexoj, çfarw shkruan prof. Gjokuataj.

  • Profesor Çapajevi, mjeshter i tekstit te shkruar, te zhdervjellt e te kursyer. Nje shkolle se si duhet shkruar duke ekonomizuar fjalet, fjalit, paragrafet dhe duke percjelle maksimumin e mendimit dhe te ndjenjes… Edhe tematika e perzgjedhur e vecante, prekje aty shoqeria e ka tw nevoshjshem perkujdesjen. Kenaqesi per mua tw lexoj, çfarw shkruan prof. Gjokuataj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *