TË DJATHTËN E SHËNDOSHIN REFORMAT DHE JO DEFORMIMET E MËTEJSHME

redaktor

– “Gënjeshtra është më shumë shprehje e frikës që ka njeriu mos dërrmohet nga e vërteta”

                                                                                                                     -Franc Kafka –

Në vend që të mbledhin mendjen e të shikojnë të vërtetën në sy, duke pranuar,  në fillim brenda radhëve të tyre dhe pastaj faqe mbarë popullit e mbarë botës, shkaqet që i shpunë në humbjen rrënuese të 23 qershorit, kupola  drejtuese, që ka marrë peng alternativën e Djathtë të këtij vendi për më shumë se dy dekada, po rreket t’i mbushë mendjen pengjeve dhe mbarë popullit se ajo humbje u erdhi meqë “nuk gënjenin dot aq shumë sa Edi Rama”(!) Dhe ecë po deshe e mos e beso këtë deklarim kaq solemn, kur e lëshon një person, që gënjeshtrën e mbuluar me gënjeshtër më të madhe e ka platformë bazë të  politikes së vet…

Mënyra sesi po bëhet copa ajo kupolë harbute, e sëmurë aq rëndë për pushtet të pakufizuar e të përhershëm, tregon qartë se është e tmerruar nga të vërtetat e rënda që i sollën atë humbje dërrmuese në zgjedhjet e 23 qershorit. Është aq e tmerruar nga ato të vërteta kjo kastë e pushtetit të paligjshëm, kjo kastë e mësuar të tallet me votën e popullit e me ëndrrat e shqiptarëve për shtet të qytetarëve, sa nuk kujtohet ta ndërpresë  njëthërrime revanin e saj propagandistik, as kur brenda 48 orëve vriten tri nëna në mes të ditës e pasi kanë lajmëruar dhe policinë për rrezikun që u rrinte mbi krye(!)

As përpara fëmijëve të mbetur jetimë për mungesën e sigurisë së jetës nën pushtetin e tyre të kalbur nga zullumet, nuk kujtohet të ndërpresë për pakë kohë propagandën e saj bajate kjo skotë pushteti, që përpiqet më kot të mbulojë diellin me shoshë. Nuk kujtohet ta pushojë shfaqjen e saj propagandistike për të mbuluar humbjen si hënën pas gishtit kjo lukuni e babëzitur për pushtet , edhe kur nga pushteti i saj i ka mbetur vetëm sëmundja, sepse plebishiti popullor i la me gisht në gojë e me frikën nga përballja me ligjin, që e kanë shkelur sa herë u është tekur e si u është tekur dhe kanë livadhisur në kurriz të këtij vendi e të këtij populli, si ta kishin Shqipërinë një çiflig të trashëguar e si t’i kishin shqiptarët ca bujkrobër të nënshtruar.

Të ngjethet mishtë e të ikën mendja kur dëgjon që brenda 48 orëve të fundit vriten tri nëna të reja, në këtë Shqipërinë tonë të qeverisur nga inercia e atij palo pushteti, e përsëri kupola e këtij pushteti ka paturpësinë të krenohet se vret qytetarët protestues në mes të sheshit e në mes të ditës e me armët e Gardës së Republikës, që paguhet nga ata qytetarë për t’u siguruar jetën  dhe të drejtën e qytetarëve për të protestuar ndaj zullumeve të pushtetit!

Nuk  të dalin më fjalët për të gjetur emrin që meritojnë msomerë të tillë. Dhe këta të paemër, të dalë nga bota e çitakëve me shumë emra e bodrumeve të errët të zyrave policore për t’u punësuar në politikën shqiptare të tranzicionit, nuk mbulojnë kryet me batanije edhe kur shkojnë të blejnë bukën, por kanë pafytyrësinë kriminale të mburren edhe me vrasjet e qytetarëve protestues e të deklarojnë që mund të vrasin dhe më shumë për të ruajtur pushtetin. Sepse duket që nuk kanë asgjë të përbashkët as me qytetarët , as me politikën e as me ligjet që rregullojnë jetën e një shoqërie normale. Sepse këta lloj çyrykësh duken më shumë si prodhime të Uzinës Dinamo dhe doemos që do të zbatojnë mekanikisht edhe në politikë urdhrat e prodhuesve të tyre. Se me atë gjuhë në mbrojtje të krimeve pushtetare mund të flasin vetëm veglat e verbra të pushtetit, por asesi njerëz normalë, që kanë hyrë normalisht në politikë e për t’i shërbyer normalisht një alternative politike normale dhe një shoqërie normale.

***

Debati  mes dy kandidaturave manekine për demek “kryetar” të PD-së në këto ditë vape, nuk ka asnjë fjalë për arsyet e vërteta të dështimit të tyre me turp më 23 qershor, por është më tepër një garë për të nxjerrë të pafajshëm brigadierin e pushtetit  dhe pronarin e përhershëm të PD-së. Vetëm ai nuk na paska asnjë faj, se ai mund të pranojë vetëm suksese dhe “vitorje pas vitoreje”…

Dhe për ta bërë disi më të besueshme këtë përrallë të pabesueshme as për vetë recituesit e tekstit të këtij debati pa debat, dy kokoroshët e lëshuar në fushë për “kryetarë” e që do të përfundojnë doemos si nënkryetarë, apo më mirë si “mbajtës të armëve të kryetarit të përjetshëm”, i janë lëshuar me tërbim hjumibinësh kryetarit të koalicionit që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit. Është e natyrshme që manekinët e garës pa garë për kryetarë të PD-së të kenë inat të madh e të porositur taze me kryetarin e koalicionit që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit. Sepse në këtë inat nuk besoj se janë të vetëm. Përkundrazi. Janë me shokë të shumtë, se kanë me vete jo vetëm pushtetarët e përmbysur nga plebishiti i 23 qershorit, por kanë me vete edhe opozitën e opozitës, që rastësisht kishte të njëjtat synime dhe po të njëjtat mendime politike me pushtetin e përmbysur nga zgjedhjet e 23 qershorit. Pa kanë pastaj me vete të gjitha mbetjet e diktaturës komuniste, brenda e jashtë gardhit të PD-se e brenda e jashtë gardhit të PS-së apo të bijëzave të tyre të shumta. Dhe kanë të drejtë të gjithë këta të kenë inat të madh me kryetarin e koalicionit fitues të 23 qershorit. Kanë të drejtë sepse ai i vuri të gjithë përpara dhe nuk e mori vesh njeri se ç’pati një popull i tërë që e mbështeti në një masë të paparë deri më 23 qershor 2013.

Mbase kjo është dhe arsyeja kryesore pse kupola e pushtetit të mundur ka organizuar këto ditë vape një garë pa garë e një debat pa debat për të gjetur mëkëmbësit e kryetarit të PD-së, në një kohë që pronari i përjetshëm i atij garnizoni paraushtarak është si përherë në krye të punëve, pra edhe në krye të komandës së kësaj gare të shpifur me manekinë.

Ecë e dëgjojë njërin prej këtyre aspirantëve për roje të kryetarit të vërtetë, kur thotë plot goja:”Z. Rama duhet ta dijë mirë se ai që e ka mundur një herë, e mund përsëri!” Dhe e ka fjalën për grabitjen në mes të ditës e në sy të mbarë botës të kutive  në zgjedhjet e fundit për Bashkinë e Tiranës. Mirë që i vodhi  votat e i mori kutitë në krahë dhe i mbushi në bodrume me “votat e hedhura gabim” vetëm për atë, po pse nuk i rri sipër e të falënderojë ata që ia njohën atë vjedhje. Se sikur është ca tepër të na thotë pa lapë syri që e “fitoi” atë Bashki me zgjedhje të lira e të ndershme. E po qe se e shkon ndër mendje se me ato lloj zgjedhjesh ka për të fituar dhe zgjedhje të tjera e ca më tepër zgjedhje politike, na shtyn t’i themi atë këngën e vjetër popullore:

”Harro mushkë Valarenë “… Se nuk vidhen më zgjedhje në Shqipëri pas atij zgjimi të bukur popullor të 23 qershorit 2013!

Pastaj, nga ky debat i mbikëqyrur nga afër prej pronarit të përjetshëm  të PD-së, nuk del as se si do të arrijnë, të mundurit aq keq nga plebishiti i 23 qershorit, të krijojnë “opozitën më të fuqishme në historinë e Shqipërisë”…Mos vallë duke u mbështetur në përvojën e tyre të deritanishme, që gënjeshtra e madhe për arsyet e humbjes së rëndë të 23 qershorit do të mbulohet me gënjeshtra përherë e më të mëdha e vetëm duke ia hedhur fajin kundërshtarit? I vetmi faj i kundërshtarit të tyre kryesor në zgjedhjet e 23 qershorit, nëse mund të quhet faj për të ngushëlluar disi të mundurit, është se i mundi të gjithë kundërshtarët e vet. Se ia vodhën fitoren një herë në vitin 2009 dhe i dogjën provat e vjedhjes nën Urën e Farkës. Ia vodhën pastaj Bashkinë e Tiranës në vitin 2001, dhe atë vjedhje të hapët e njohën dhe ndërkombëtarët, mbase se pastaj duhej të jepte dorëheqje qeveria e mundur në pjesën dërrmuese të vendit. Këtë herë nuk u lejuan më të vjedhin hajdutët profesionistë të zgjedhjeve dhe koalicioni i Edi Ramës fitoi  edhe për ato herë që e vodhën. Ky është faji i kundërshtarit tuaj, zotërinj pushtetarë të mundur nga populli më 23 qershor.

Nëse nuk keni kurajo qytetare dhe aq dinjitet sa të njihni humbjen, të paktën na thoni troç që pronari i përjetshëm i PD-së paska vendosur ta kthejë shiritn nga e para , duke caktuar “kryetar”  partie shërbyesit e tij besnikë , si në ato vite kur ishte President i Republikës dhe  kryetar ishte njëherësh dhe i vërtetë i PD-së, por mos u përpiqni të gënjeni shqiptarët dhe anëtarësinë e PD-së se po bëni reforma. Se kjo palo garë pa garë nuk është reformë, por është një deformim i mëtejshëm i PD-së. Dhe besoj që dhe ju e dini që e Djathta ka nevojë të ngutshme për reformë e jo për deformime të mëtejshme.

Pushtetarët e mundur nga plebishiti popullor i 23 qershorit, nëse vërtet e duan të shëndetshme alternativën e Djathtë të këtij vendi, le të mos e mbajnë më gjatë peng të pushtetit të tyre të sëmurë, por të bëjnë analizën e thellë e të hapët të arsyeve të humbjes turpëruese të 23 qershorit, të nxjerrin përgjegjësitë për të gjithë zinxhirin komandues, të shkarkojnë me votë përgjegjësit e zullumeve me pushtetin dhe të hapin partinë për të marrë ajër të pastër nga mbarë vendi. Duke na dhënë shfaqje bedatesh shterpë e garash farsë, ajo alternativë është e dënuar të kthehet në dyqan shtëpie për pronarin e saj të përjetshëm dhe demokracia shqiptare do të vuajë gjatë pasojat e mungesës së opozitës së shëndetshme.

Share This Article
2 Comments
  • Z. GUMENI;
    Uroj që EDI RAMA me mazhorancën e re të pastrojnë institucionet e Shtetit që duhet të jenë të pavarura, pasi sot ato janë të mbushura me plehra të Saliut të Viçidolit.
    Ky pastrim duhet filluar që nga Presidenca ku vegjeton një sakat mental e fizik.
    Sa shumë ju shkon juve z GUMENI detyra e lartë e PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, si përfaqësues e garantues i Unitetit të Kombit.

  • Daut. Pleqeri te mbare. Mos u bej dhe ti si Aleksander Biberaj, Shikoni punen tuj tani se per aq mend sa kishit moret aq vota. Dmth asgje.
    Nuk shkohet perpara me Lizander Saracin qe u pergojon gjithandej si parti krahinore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *