Një ekspert rrjeti që ka punuar për disa dhjetëvjeçarë në bazën e NATO-s, në Ramstein të Gjermanisë, ka marrë fshehurazi dokumente të rëndësishme të rezervuara të kësaj organizate dhe dyshohet se mund t’ua ketë shitur ato shërbimeve sekrete. Manfred K., aktualisht pensionist, ka një pasuri prej 6 milionë eurosh, gjë që i shton edhe më shumë dyshimet se ai ka operuar si spiun
Rreth 6 muaj më parë baza e NATO-s në Ramstein (Renania-Palatinato) pësoi një grabitje mbresëlënëse të të dhënave ushtarake delikate nga një punonjës me prirje naziste. Forcat e sigurisë të cilat vijojnë të hetojnë çështjen, kanë kontrolluar shtëpinë e tij me një radar që monitoronte terrenin për objekte të fshehura. Kontrolli dha rezultate domethënëse, shkruan e përjavshmja gjermane “Der Spiegel”: Në garazh dhe nën një pllakë të kuzhinës u gjetën dy USB, brenda të cilave ndodheshin dokumente sekrete të NATO-s. Midis tyre ishin planet e ndërhyrjes së shpejtë, fotografi të zonave të ndryshme, adresa IP dhe kode programesh që ishin përdorur nga organizata ushtarake gjatë operacioneve luftarake. Një zyrtar i ushtrisë gjermane nënvizoi se materiali ishte “tejet delikat dhe një dorëzim i mundshëm i tij ndaj shteteve të tjera do të përbënte një rrezik të madh”.
Një tjetër si Snowden
Pronari i shtëpisë së kontrolluar është Manfred K., i dalë në pension pas një karriere 34-vjeçare si ekspert informatik në bazën e NATO-s, në Ramstein, struktura më e madhe e ushtrisë amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.
Kundër tij ka nisur një proces për tradhti të lartë në gjykatën e Coblenza-s dhe ai rrezikon të dënohet me 10 vite burg. Për momentin nuk është e qarte nëse këto informacione të aleancës ushtarake që lidh SHBA-në me Evropën u janë shitur shërbimeve sekrete të shteteve të tjera. Hetuesit gjermanë zbuluan se Manfred K. ka një pasuri personale prej 6 milionë e gjysmë eurosh të depozituara në llogari bankare në Luksenburg dhe Britani e Madhe. Një shifër e dyshimtë kjo, duke pasur parasysh kursimet e një jete të tërë edhe sepse informaticieni paguhej 7 mijë euro në muaj për punën e tij. Ai dhe bashkëshortja kanë bërë një jetë shumë modeste dhe vështirë të imagjinohet se kanë akumuluar një shumë të tillë edhe duke kursyer me grusht të hekurt.
Tentativë arratisjeje
Pyetjes nëse ai kishte arritur në një pasuri të tillë duke marrë rryshfete në këmbim të informacioneve, ende nuk i është dhënë një përgjigje. Ai pasi grabiti NATO-n provoi të arratisej jashtë Gjermanisë, duke u përpjekur të merrte lejeqëndrimi në Panama dhe duke dërguar në atë vend dokumente lidhur me gjendjen e pasurisë së tij. Gjithashtu në shtëpinë e tij u gjetën imazhe të shumta të Amerikës Qendrore. Sipas “Spiegel” modaliteti i veprimeve të Manfred K. nuk përjashton hipotezën e spiunazhit.
Hija e dyshimit mbetet e madhe rreth informaticienit, sidomos për shkak të sjelljes së tij gjatë viteve të fundit të punës. Në 2010-n u zbulua afrimiteti i tij politik me partinë neonaziste NPD. Manfred K. shkonte rregullisht në manifestimet e tyre dhe i kishte dhuruar 3 mijë euro ekstremit të djathtë. Mbështetja e tij ndaj këtij formacioni politik kishte qenë vendimtare për daljen e tij në pension të parakohshëm nga NATO. Gjithsesi gjatë gjyqit pritet të dalin në dritë fakte të reja nëse është një rast i dytë spiunazhi me rëndësi ndërkombëtare pas atij të ish agjentit të CIA-s, Edward Snowden, ose jo. /Dorina Gjuzi
