Mostrajtimi në kohë i simptomave të hepatiteve virale shndërrohet në një kërcënim serioz për mëlçinë, dëmtimi i të cilës mund të shkojë deri në forma të rënda, sa të rrezikojë edhe jetën e pacientit. Ndër më problematikët mbetet mostrajtimi në kohë i hepatitit B, i cili bëhet shkak për infeksion kronik të mëlçisë.
Duhet të dyshoni për praninë e kësaj sëmundjeje në rastet kur konstatoni simptoma të tilla si: zverdhje të lëkurës dhe syve, ngjyrë të errët të urinës, lodhje ekstreme, të përziera dhe të vjella, dhimbje të papritura të barkut, etj.
Virusi i hepatitit B mund të shkaktojë infeksion kronik të mëlçisë, e që më vonë mund të çojë në cirrozë, apo kancer të mëlçisë, ndaj nuk duhet të neglizhohet në asnjë rast zbulimi që në stadet më të hershme.
Gjasat që infeksioni me virusin e hepatitit B të bëhet kronik, varet nga mosha kur personi infektohet. “Fëmijët më të vegjël se 6 vjeç që infektohen me virusin e hepatitit B kanë më shumë gjasa për të zhvilluar infeksione kronike. Sipas të dhënave të strukturave të shëndetit publik, 80-90 për qind e foshnjave të infektuara gjatë vitit të parë të jetës, si dhe 30-50 për qind e fëmijëve të infektuar para moshës 6 vjeç zhvillojnë infeksion kronik të mëlçisë. Ndërsa më pak se 5 për qind e të rriturve që janë të infektuar do të zhvillojnë infeksion kronik. Po ashtu, 20-30 për qind e të rriturve me infeksion kronik do të zhvillojnë cirrozë, ose kancer të mëlçisë, çka shton riskun edhe për pasoja fatale.
Ndaj, në asnjë rast nuk duhet të neglizhohet trajtimi i hershëm i hepatiteve, e sidomos hepatitit B.
Duke qenë se pjesa dërrmuese e personave të infektuar nuk kanë shenja të dukshme klinike që në stadet më të hershme, këshillohet që të bëni teste gjakut, pasi nëpërmjet tyre mund të bëhet i mundur edhe evidentimi i këtij hepatiti.
Ekspertët e ISHP-së, sqarojnë më tej se hepatiti B është një infeksion i mëlçisë mjaft i rrezikshëm për jetën, pasi ai mund të shkaktojë sëmundje kronike të mëlçisë, dhe i vë njerëzit në rrezik të lartë vdekjeje nga cirroza dhe kanceri i mëlçisë. Kanceri i mëlçisë është pothuajse gjithmonë fatal dhe shpesh zhvillohet te persona në moshën më produktive. p.k/dita
