(Vijon nga numri i kaluar)
Të vëna para presionit politik, strukturat shtetërore greke u hodhën në veprim duke deklaruar se do t’i shkonin deri në fund veprimtarisë kriminale të organizatës së njohur me emrin “MAVI”, ose ndryshe fronti për Çlirimin e Vorio Epirit. Provat këtë radhë ishin të dukshme dhe nuk mund të anashkaloheshin. Të paktën sa të kalonte vala e parë. Ndër provat më të forta të komandos që synoi të përsëriste masakrën e Peshkëpinë dhe në Llongo të Gjirokastrës ishin raport-shërbimi me numër 1057/9 i datës 19 mars 1995, i hartuar nga rajoni policor i Delvinaqit, në të cilin thuhej se janë kapur 6 automatikë “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj. I gjithë inventari i saktësuar në këtë raport shërbimi përbëhej nga 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake.
KONTROLLI NË BANESAT E KOMANDOVE
Gjatë kontrollit që policia greke zhvilloi në banesën e komandantit të komandos Jorgo Anastasulis, toger i ushtrisë, bllokoi një kompjuter personal. Në kompjuter u zbulua mes të tjerash dhe një kopje e njoftimit që iu dërgua më 11 prill 1994, me faks gazetës “Elefterotipia”, një ditë pas ngjarjes së Peshkëpisë, ku Mavi ndërmerrte autorësinë e masakrës. Në banesën e oficerit të ushtrisë greke u gjetën dhe shënime me udhëzime për të ndërtuar lëndë eksplozive artizanale. Shtrirja e hetimeve brenda territorit grek dhe në ambasadën helene në Tiranë, nxori elementë të rëndësishëm që dëshmonin një lidhje dhe koordinim të veprimeve terroriste të komandos së Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit me diplomatë dhe pjesëtarë të shërbimeve sekrete të vendit fqinj.
Gjatë kontrolleve të paralajmëruara, policia greke mundi të gjejë me dhjetëra fletushka të “MAVI”-t dhe sende komprometuese të saj.
Rezultatin më të papritur, që demaskonte përfshirjen e strukturave shtetërore greke në ngjarjen e Peshkëpisë, e arriti grupi që hetoi lidhjen e disa pjesëtarëve të personelit të ambasadës helene në Tiranë me organizatën terroriste MAVI.
SHËRBIMI INTELIGJENT GREK
Tre ditë pas sulmit të dështuar në Llongo të Gjirokastrës, më 21 mars 1995, një grup i special i shërbimeve inteligjente greke mbërriti në Tiranë. Ardhja e tyre u bë, pasi nëpunësi i kësaj ambasade, Panajotis Muleris ishte kapur nga autoritetet shqiptare me fletushka të cilat përmbanin thirrje armiqësore kundër tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë. Kjo ngjarje e bujshme ishte pasqyruar dhe nga media greke. Qeveria greke u detyrua ta largonte menjëherë diplomatin e saj, i cili u zbulua se kishte lidhje me organizatën që fshihej pas autorëve të Masakrës së Peshkëpisë. Policia greke dhe agjentët e zbulimit të vendit fqinj vendosën aparatura përgjimi dhe survejimi në të gjitha bazat e dyshuara të organizatës në Athinë, për të lokalizuar dhe arrestuar pjesëtarët dhe drejtuesit e lartë të saj.
Një tjetër detaj që provonte autorësinë e masakrës së Peshkëpisë ishin provat e gjetura në banesën e mjekut shqiptar Andrea Kokaveshi. Gjatë kontrollit me urdhër të prokurorit të Athinës, u bë e mundur gjetja e 7 automatikëve “Kallashnikov”, të groposura në oborrin e vilës private të mjekut Andrea Kokaveshi, 67 vjeç nga Himara. Më pas u gjet edhe një automatik tjetër si dhe u arrestua nipi i doktorit, 36-vjeçari Engjëll Kokaveshi, me shtetasi Shqiptare.
KONKLUZIONET
Konkluzionet e arritura nga përgjimet dhe survejimet e kryera prej hetuesve grekë, janë përshkruar dhe në shkresën e klasifikuar si tepër sekret të 21 marsit 1995 të shërbimeve inteligjent grek. Ky raport sekret mban numrin 11065. Në të thuhet midis të tjerave: “Pas kontrollit që u krye, u gjet thesi që kishte fshehur Kokaveshi dhe që përmbante një uniformë të forcave të ndjekjes dhe tri maska. Engjëll Kokaveshi, nënshtetas shqiptar, është njëkohësisht mik i ngushtë oficerit të arrestuar të ushtrisë, Jorgo Anastasulis. Së bashku ata i kishin groposur armët në oborrin e mjekut Andrea Kokaveshi”.
DIPLOMATË NË PLANIN E MASAKRËS
Përfshirja në përbërjen e komandos terroriste e oficerëve të ushtrisë dhe policisë greke, diplomatëve të ambasadës helene në Tiranë si dhe e shtetasve shqiptarë me kombësi greke, nuk linte asnjë dyshim për autorësinë e masakrës së Peshkëpisë dhe sulmit të dështuar ndaj repartit kufitar të Llongos. Autoritetet shqiptare edhe pse kishin kapitulluar pa kushte më 10 prill të vitit 1994, kur u vranë dëshmorët e atdheut, kapiteni i parë Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, tashmë nisën të marrin frymë lirisht. Ata vërtetë ishin përgjegjës se i kishin lënë me pushkë pa fishekë ushtarët që duhej të ruanin kufirin nga armiku, por së paku tani kishin mundësinë të kërkonin dënimin e autorëve të masakrës, ose së paku ekstradimin e shtetasve shqiptarë të akuzuar për ngjarjen.
ARMË SHQIPTARE NË GREQI
Zbulimi i arsenalit të kallashnikovëve shqiptarë të grabitur në postën e Peshkëpisë, në oborrin e mjekut Andrea Kokaveshi në Athinë ekzaltoi dhe ministër e Brendshëm të Greqisë, Papathemelis. Pas operacionit të policisë greke Papathemelisë deklaroi me pompozitet se armët e gjetura në oborrin e mjekut Kokaveshi ishin me të njëjtin numër me ato që kishte deklaruar të humbura qeveria shqiptare më 10 prill 1994. Ky fakt dëshmonte qartësisht lidhjen mes autorëve të masakrës që u kushtoi jetën dy ushtarakëve shqiptarë, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm në kohën kur ndodhi ngjarja dhe aktualisht President i Greqisë, Karolios Papulias deklaroi: “Mbërritëm në zemër të MAVI-t”, duke aluduar për arrestimin e komandantit të komandos oficeri të ushtrisë greke Jorgos Anastasoulis dhe policit Apostolis Karvelas. Arrestimet e njëpasnjëshme dhe disa kontrolle të suksesshme në bazat e MAVI-t dhanë shpresë se kësaj organizate ultra nacionaliste i kishte ardhur fundi.
“MAVI”, Ç’ËSHTË E Ç’PËRFAQËSON
Po kush është në të vërtetë MAVI dhe çfarë përfaqëson ajo?
MAVI janë simbolet e Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit. Kjo organizatë ka vepruar në Shqipëri qysh gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Ajo është formuar në vitin 1942 nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva. Në korrik të vitit 1942, Ilias Kosta, Mihal Mano, Jakis Taso, Anastasios Kokaveshi, etj., themeluan degën e kësaj organizate në Tiranë. MAVI vepronte edhe në kuadër të Lidhjes Kombëtare Demokratike Greke, në krye të së cilës ishte antishqiptari i njohur për masakrën ndaj popullsisë çame, Napoleon Zerva.
MAVI pothuajse u zhduk nga qarkullimi pa arritur të bëjë asgjë gjatë kohës së regjimit komunist. Organizata terroriste greke Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit, menjëherë pas ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri në fundin e vitit 1990, krijoi bindjen se kishte ardhur koha për të ringjallur dhe njëherë ëndrrën shoviniste për ti shkëputur Shqipërisë pjesën jugore të saj. Elementët nacionalistë ekstremistë grekë të mbështetur nga grupe politikanësh të rëndësishëm, klerikë ortodoksë dhe segmente të shërbimeve sekrete nisën rekrutimin, stërvitjen dhe më pas koordinimin e strukturave paramilitare për të sulmuar shtetin shqiptar. Synimi ishte i qartë dhe më mirë se kushdo tjetër do ta dëshmonte ngjarja e Peshkëpisë.
RIORGANIZIMI I “MAVI“
Pasi u grumbulluan elementët e duhur, ish-pjesëtarë të ushtrisë dhe shërbimeve sekrete greke, shqiptarë me kombësi greke, dhe mercenarë të paguar, u bë stërvitja dhe trajnimi i tyre në baza të fshehta, në thellësi të territorit helen. Nga informacionit që u publikuan pas ngjarjes nga organizata terroriste MAVI, dëshmohej se trajnimi i komandos që sulmoi Shqipërinë ishte bërë në një bazë të fshehtë në ishullin e Kretës.
Ndërsa matanë kufirit autorët e masakrës së Peshkëpisë ishin mbyllur pas hekurave të burgut, në Shqipëri u nxorën para një gjykate ushtarake oficerët drejtues të repartit, të akuzuar për mosmarrjen e masave të sigurisë. Ata u akuzuan se kishin lënë gati me pushkë druri ushtarët e repartit të Peshkëpisë duke i ekspozuar totalisht përballë komandos greke. Dënimet ndaj tyre ishin minimale, sa për të kaluar lumin. Gjithsesi është fakt se pas ngjarjes së Peshkëpisë, ushtria shqiptare e rriti në mënyrë të ndjeshme vigjilencën dhe gatishmërinë në kufirin grek.
GREKËT FALIN “MAVI”
Më 12 korrik 1995, kur dukej se gjithçka ishte vënë në vijë prokuroria e Athinës në mënyrë krejt të papritur i pushoi të gjitha akuzat ndaj pjestarëve të organizatës terroriste “MAVI”, duke u lënë në ngarkim vetëm armëmbajtjen pa leje. Alibia e të shtatëve të komandos terroriste se kishin qenë për gjah në kufirin shqiptar gjeti zbatim. Menjëherë pas këtij vendimi
Reagoi Kryeministri greke Andreas Papandreu, i cili bëri që prokuroria e Athinës ti kthehej dhe njëherë çështjes. Ndërhyrja e Papandreut u kontestua nga partia opozitare “Demokracia e Re”, dhe qarqet nacionaliste greke që e akuzuan si njeriun i cili e bëri Greqinë fajtore për ngjarjen e Peshkëpisë. Gjashtë muaj më vonë më datë 17 janar 1996, Papandreu u largua nga detyra. Dhe dy muaj më pas, më 21 mars 1996, saktësisht një vit nga vendimi me arrest burgu të dhënë nga gjykata e Janinës, të gjithë të arrestuarit u liruan për mungesë provash nga Gjykata e Athinës. Këtë radhë ata u trajtuan si heronj që kishin luftuar për çlirimin e Epirit të Veriut nga Shqipëria.
RIFORMULOHEN AKUZAT PËR “MAVI”
Përpjekja e fundit për dënimin e autorëve të masakrës së Peshkëpisë u bë në fillimin e vitit 1997, por edhe kjo dështoi duke i lënë të lirë vrasësit e kapitenit të parë Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini. Më datë 17 shkurt 1997 agjencia shtetërore greke ANA raportonte se:
„Gjykata e Apelit për krime të rënda ka nisur gjyqin ndaj shtatë personave të akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe si pjesëtarë të organizatës Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit. The Criminal Appeals Court is trying George Anastasoulis, Apostolos Karvelas, Freddy Peleris, George Christou, Mario Koutoulas and the brothers Haralambos and George Pappas. Grupi u arrestua në mars 1995 në veriperëndim të Greqisë“. Në raportin e ANA-s thuhej se dëshmitarë në këtë gjyq ishin dhe ish ministri i jashtëm grek Karolos Papoulias, ish-Ministri i brendshëm Sifis Valiraqis, nënsekretarja e jashtme Virxhinia Cuderu si dhe ish shefi i shërbimit sekret grek (EYP) Leonidas Vasilikopoulos.
DËNIM VETËM PËR ARMË PA LEJE
Autorët e masakrës së Peshkëpisë ia hodhën paq edhe nga ky proces duke u dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërsa për akuzat e tjera morën pafajësi. Pesë shtetasit shqiptarë të akuzuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë, janë kthyer në Shqipëri disa herë gjatë viteve të fundit. Mjafton të përmendim faktin se dy prej tyre kanë qenë deri dhe komisionerë që përfaqësonin interesat e kandidatit Vasil Bollano në zgjedhjet vendore të vitit 2000 dhe 2003 në Himarë. Ndërsa dy të tjerë janë paisur me dokumente zyrtare dhjetëvjeçare nga policia e Gjirokastrës në 16 prill të vitit 2006.
“HARROHET” MASAKRA E PESHKËPISË
Agjensitë ligjz batuese në Shqipëri e hetuan çështjen vetëm gjatë qeverisjes së parë të Partisë Demokratike, sepse pas vitit 1997 E DERI SOT, askush nuk u kujtua të vendoste drejtësinë në vend. Madje u desh të kalonin 14 vjet nga ngjarja që në vitin 2008 eshtrat e dëshmorit të atdheut kapitenit të Parë Fatmir Shehu të preheshin në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës. Në vitin 2006 prokuroria e Përgjithshme bëri një përpjekje për të nisur hetimin, duke i kërkuar informacion shtesë policisë dhe shërbimit informativ në lidhje me personat e dyshuar për këtë ngjarje. Por nuk pati asnjë rezultat. Madje për tre shtetasit shqiptarë nga Himara dhe dy vëllezërit Papa nga Dropulli nuk ka asnjë urdhër kërkimi nga policia. Çdo 10 prill, familjarët dhe të afërm të dy dëshmorëve të atdheut ngjiten sërish në repartin e Peshkëpisë për të nderuar viktimat e komandos terroriste të Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit… Ata kërkuan vazhdimisht t’u tërhiqnin vëmendjen autoriteteve të drejtësisë për të zbardhur krimin që u mori jetën dy kufitarëve në krye të detyrës. Ka kaluar më shumë se një dekadë e gjysmë nga masakra e Peshkëpisë, por autoritetet shqiptare ende nuk kanë ndëshkuar autorët e këtij krimi të rëndë, madje kanë lënë në harresë dhe gjakun e dy dëshmorëve të atdheut Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini.

me keta do bere sic e bene izraelitet me kriminelet naziste,po kush do ta beje?na i ka ulur greku breket ne fund te kembeve.
Eshte nje Paradox ne Greqi te degjohet se : Greku denoi Grekun se vrau nje Shqipetare.
Jam dakoty me ty ILIR dhe EGLI.Nje pjese e konsiderueshme e gjerave jo te mira qe u kane ndodhe Shqiptareve dhe shqiperise e kane origjinen e organizimit ne greqi.Me e pakta per grekun me te mire eshte ta varesh per gjuhe.Kur nuk ke shtet nuk ke cfare te besh.
vetem nji gje ka ber sala ne jeten e vet.i futi ne burg spiunet grek