“Xhamia e Kullat nuk rrinë bashkë, s’jemi antiislamë”

editor

Një tryezë me përfaqësues nga Shoqëria Civile, Inxhinierë, Arkitektë, Urbanistë dhe Mjedisorë, mbajtur në Tiranë, e ka quajtur Vendimmarrje të gabuar vendimin Nr. 2, datë 29.05.2013 të KKT, “Për miratimin e dhënies së lejës zhvillimore komplekse për Xhaminë e Namazgjasë”.

Në një rezolutë të firmosur nga pjesëmarrës në këtë tryezë thuhet se ky vendim shkakton “shkatërrimin e parkut publik, përmes ndërtimit arbitrar të një objekti fetar me procedura jo transparente, për qëllime politike, si dhe të dy kullave të larta si qendra tregtare që qëndrojnë të fshehura pas projektit të xhamisë”.

Rezoluta i është dërguar Presidentit Nishani, Berishës dhe Bashës, Ramës dhe Metës, përfaqësueses së OBSH-së në Tiranë si dhe për dijeni Komunitetit Mysliman dhe ambasadave në Tiranë.

“Gjithë analiza dhe ekspertiza shkencore, mbështetur në kondicionet urbane, arkitekturore dhe mjedisore, si edhe në vlerësimin e mbështetjen e opinionit publik për këtë çështje na detyron t’ju bëjmë me dije se:

1. Këto tre institucione, në asnjë rast dhe në asnjë shembull të vendeve të tjera në botë, nuk mund të qëndrojnë së bashku; 2. Të tre këto institucione kanë: – funksione të lejuara krejt të ndryshme nga njëra- tjetra, madje – funksione të lejuara që përplasen me njëra- tjetrën.  3. Të tre këto institucione janë në dis-harmoni të plotë nga pikëpamja urbane dhe në  kundërshtim të plotë me ligjin e mesiperm, për shkak të: – afërsisë së patolerueshme me njëra- tjetrën,

– intensitetit të lartë të ndërtimit (mbi 3.2),  – të koefiçientit të lartë të zënies së territorit (mbi 0.9); – thuhet ndër të tjera në rezolutë.

Nënshkruesit shkruajnë më tej: “Ne, përfaqësuesit e organizatave të Shoqërisë Civile, shprehim keqardhje për mënyrën se si meren vendimet për zhvillimin e Tiranës, pa patur një plan të detajuar urbanistik, në të cilin Shoqëria Civile të thotë fjalën e saj, si dhe për mos reagimin e institucioneve të shtetit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, të cilat edhe pse të urdhëruara dhe autorizuara nga ligji nuk kanë bërë asnjë reagim ndaj protestave tona të përsëritura publike në mbrojtje të interesit publik, duke shprehur qartë mungesën e transparencës në lidhje me këtë çështje, si një projekt i madh fitimprurës. Komuniteti Mysliman, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se një vepër urbane që ngrihet duke dhunuar planin urban ekzistues dhe cënuar hapësirën publike, nuk mund të gëzojë kurrë statusin e një vepre publike dhe aq më tepër të admirohet nga mbarëshoqëria”.

Nënshkruesit theksjojnë se “nuk kemi ndjenja anti-islame, por jemi kundër ndërtimit të dy kullave për qëllime biznesi dhe të xhamisë, jo vetëm për shkak të vendit të përzgjedhur, por edhe për mënyrën se si kjo e fundit kërkon të ndërtohet, si një projekt arkaik”.

Rezoluta kërkon anullimin e Vendimit Nr. 2, datë 29.05.2013 të KKT,  dhe “ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndalimin e prerjes së pemëve dhe zaptimin e tortuarëve publikë nga subjektet e tyre të ndërtimit në kufij me këtë pronë, deri në një fazë tjetër pasi të jenë diskutuar dhe gjetur zgjidhje të tjera në tryeza ndërmjetesimi me të gjithë aktorët e interesuar dhe përfshirë në këtë konflikt në mbrojtje të interesit publik; me Shoqërinë Civile, Arkitektë, Urbanistë dhe Mjedisorë”.

Ndër nënshkruesit janë Av.Kastriot FRASHËRI  Instituti i Çështjeve Kombëtare –INA, Prof. Dr. Sazan GURI  Zyra Qytetare e Mbrojtjes së Mjedisit – ZQMM, Ark. Ledian Bregasi Unioni Shqiptar  i Arkitektëve – AUA, 4-Lindita LUTFIJA Shoqata “Life”, Leonard DEDEJ, Ark. Artan SHKRELI Fondi Shqiptar për Monumentet e Kulturës,  Prof. Dr. Kujtim ÇASHKU Akademia Multimedia “MARUBI”, Artan LAME Qendra Shqiptare e Trashegimise, etj. Sipas nënshkruesve për kontakte me ta mund të përdoren numrat 068 20  70 560 dhe 066 60 00 067

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *