Fitim Çaushi
Sa e dhimbshme ishte humbja e Mjeshtrit të Madh Rexhep Çeliku, më mirë mund të shihej gjatë homazheve në Muzeun Kombëtar. Njerëzit duhet të mbanin radhën për të kaluar pranë trupit të tij të pajetë dhe të ngushëllonin familjen.
Ishin me dhjetëra mijëra qytetarë, ardhur nga Tirana, Vlora, Kukësi, Shkodra, Saranda, Zhulati i Gjirokastrës, Fieri, Durrësi. Morën pjesë artistë nga Ansambli Folklorik “Lidhja e Prizrenit”, artistë nga Karshiaka e Shkupit, artistë nga Ansambli Foklorik “Shote Galica” Drenas, artistë nga Ansambli “Shota” Prishtinë, nga Mitrovica, Tetova dhe qytete të tjera të Kosovës.
Në orën 13.00 dolën nga dera e Muzeut artistët e ansamblit “Shota” të Prishtinës, veshur me kostumet kombëtare, mbi supe mbanin shqiponjën e vallëzimit shqiptar. Pamje impresionuese, njerëzit filluan të lotonin dhe formuan korridorin ku po kalonte Shqiponja e përulur nga sëmundja e pabesë.
Ishte madhështore ajo zbritje për në “Sheshin Skënderbej” dhe ai shoqërim solemn deri tek makina që po e priste për ta çuar në banesën e fundit. Ngashërimi nuk pushonte, lule pafund nga fëmijët, artistët shqiptarë, kosovarë dhe diasporës, intelektualë dhe qytetarë të zakonshsëm, që e kishin admiruar dhe adhuruar Artistin e Madh që evokoi historinë, qëndresën shqiptare dhe trashëgiminë shpirtërore, më mirë se kushdo tjetër. I gjithë ai shoqërim ishte emocionues, ishte nderim madhor për atë figurë që përbënte binomin Artist – Njeri!
Impresionues ishte përjetimi i thellë i Artistit të Popullit Luftar Paja, i cili u shpreh se “Rexhep Çeliku është i pavdekshëm, do të rrojë në shekuj, mjafton të shkelësh butonin dhe ai gjallërohet si në legjendë, si një kreshnik i maleve shqiptare.”
Tepër i hidhëruar ishte solisti i madh i kombit tonë Ilir Shaqiri: “Të ngushëllojmë njëri-tjetrin, se e kishim mikun e përbashkët” – shprehet ai përmes lotëve – “Xhepi ishte i tërë kombit shqipitar, jo vetëm me interpretimet e tij, por edhe kishte punuar ditë të tëra me ansamblet folklorike të Kosovës. Puna e tij është sot e gjallë dhe do të shpaloset nga shumë gjenerata artistësh kosovarë.”
Udhëheqësi artistik i Ansamblit “Shote Galica” në Drenas, Shaqir Hasi, e përjeton me dhimbje të thellë humbjen e mikut të tij që disa herë e ka ndihmuar për përgatitjen e valleve të ansamblit: “Rexhep Çeliku ishte njeri i rrallë, tepër i thjeshtë, tepër njerëzor, kishte një kulturë të brendshme që nuk e ekspozoi kurrë përmes pozave, punonte me shumë pasion dhe i donte shumë artistët e rinj të Kosovës, lodhej, por edhe ndjente kënaqësi kur çunat i ekzekutonin figurat koreografike sikundër ua mësonte Xhepi. Ndonëse fukara, me një rrogë fare të thjeshtë, ai mbeti i pa tjetërsueshëm dhe po aq pasionat për vallzimin tradicional shqiptar, sa edhe para ndryshimeve politike.”
Në të dy ditët e lajmit tronditës për humbjen e Rexhep Çelikut, ndodhte një fenomen tepër i rrallë, miqtë e Xhepit, përmes telefonatave ngushëlloheshin nga miq e shokë të tyre. Ata e ndjenin shumë humbjen e Shqiponjës, dhe meqënëse nuk kishin lidhje me familjen, e shkarkonin dhimbjen e tyre duke ngushëlluar ata që kishin lidhje shoqërore me Xhepin. Ishte një komunikim tepër i rrallë, që tregonte jo vetëm nderimin për atë artist të papërsëritshëm, por edhe për traditën e lashtë të popullit, për t’u ndodhur pranë njerëzve në çaste trishtimi, edhe kur ata nuk kanë lidhje gjaku.
Dhimbja kishte prekur tërë popullin. Këtë e ndjeva sa u ktheva në Gjirokastër. Aty ndjehej keqardhja për ikjen e djalit të qytetit, sepse origjina e Rexhep Çelikut ishte nga Gjirokastra dhe ajo i kishte dhënë edhe titullin “Qytetar Nderi”. Një rast spontan do të më bindte për këtë të vërtetë: Në klinikën stomatologjike të kirurgut Sedat Shameti, po kuroheshin një nënë dhe nusja e saj, si dhe një burrë me gruan nga Izvori i Tepelenës. Kur mjeku më ngushëlloi, sepse i dinte lidhjet e mija shoqërore me Xhepin, nëna që ishte ulur në vendin që do t’i kryhej shërbimi, u ngrit në këmbë: “Na ka dhëmbur shumë djalë xhani, kur ngrinte ato krahët lart në valle, na dukej se po ngjitej në qiell. T’i rrojnë fëmija!”, dhe u shkreh në vaj. I tha me një solemnitet dhe aq natyrshëm, sa u befasova, u ngurosa: Edhe në fshatrat e thella të Tepelenës, të jetë shpërndarë dhimbja!
Rexhep Çeliku ishte në çdo shtëpi, në çdo shpirt shqiptari, por jo duke sharë e ulëritur, duke bërë demagogji dhe llafollogji, por duke u shpurë shqiptarëve, frymëzim, dashuri për jetën, duke iu shpurë artin e madh të popullit, copëza historie nga Kosava e deri në Çamëri.
Mjashtrin e Madh, Rexhep Çeliku e qau i gjithë populli, e përcolli i gjithë kombi, përveç deputetëve të Kuvendit dhe sektorit të kulturës në Gjirokastër, që nuk kishin nge ta nderonin me homazhe në Muzeum Kombëtar, përveç Ministres së Kulturës, e cila ishte shumë e përkushtuar ndaj këtij ceremoniali mortor. Vallë do të kenë fatin këta “titullarë”, të përcillen për në banesën e fundit me kaq nderim dhe solemnitet nga ndërgjegjja e kombit?!

Shume faleminderit