Anemia nga mungesa e hekurit diagnostikohet nëpërmjet disa analizave të gjakut, si: matja e përqendrimit të hemoglobinës, niveli serik i ferritinës dhe niveli serik i receptorëve të transferritinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon aneminë nga mungesa e hekurit kur niveli i hemoglobinës është nën 11.0 gr/dl.
Mjekët thonë se nuk duhet të neglizhohet marrja e ndihmës se specializuar në stadet më të hershme, pasi anemia tek fëmijët dëmton performancën konjitive dhe intelektuale, zhvillimin motor, bashkërendimin, zhvillimin e gjuhës dhe arritjet në shkollë. Fëmijët që vuajnë nga anemia janë më të rrezikuar për të zhvilluar infeksione të natyrave të ndryshme. Kjo pasi anemia rrit sëmundshmërinë nga sëmundjet infektive, dëmton funksionin normal të imunitetit qelizor.
Simptomat e anemisë nga mungesa e hekurit përfshijnë:
- Mungesë oreksi.
- Letargji.
- Shtesë të pakët në peshë.
- Vonesë në zhvillimin fizik dhe mendor.
- Infeksione të shpeshta.
Për të parandaluar pasojat e aneminë tek fëmijët, ushqimet e pasura me hekur duhet të jenë pjesë e ushqyerjes së fëmijës që në momentet e para të fillimit të ushqimeve shtesë. Ushqimet që përmbajnë hekurin i cili është më i thithshëm, janë mishi i kuq dhe peshqit e yndyrshëm. Ato janë burimi më i pasur i hekurit.
Po ashtu, ushqimet e pasura me vitaminë C duhet të jenë pjesë e çdo vakti, pasi kjo rrit përthithjen e hekurit që kanë ushqimet bimore. Gjatë vaktit (në veçanti kur merren ushqime me përmbajtje bimore si grosha, bizelet, thjerrëzat, etj), mund t’i jepet fëmijës një lëng frutash (sidomos agrumesh) i shtrydhur, i holluar me ujë në raport 1:1. /dita
