Prof. Ksenofon Krisafi
Pjesa që botohet më poshtë është shkëputur nga libri Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike, Gjenevë, 1998-2002, i Ksenofon Krisafit, që del së shpejti në qarkullim. Ai trajton aspekte nga veprimtaria diplomatike e autorit në vitet 1998-2002, kur ushtronte funksionin e ambasadorit të Misionit të Përhershëm shqiptar në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë.
Libri iu kushtohet diskutimeve politiko-diplomatike që kanë të bëjnë me ngjarjet e asaj kohe në Kosovë si dhe skenarëve që projektoheshin për të ardhmen e saj. Përshkrimin dhe analizën e kontekstit dhe të rrethanave në të cilat zhvillohej diplomacia e shtetit shqiptar në Gjenevë, për Kosovën, autori i ka mbështetur kryesisht në shënimet nga Ditari i tij, ku, kohë pas kohe, ka përshkruar përjetimet dhe mbresat personale nga ngjarje të ndodhura në kohë dhe në vende të ndryshme, nga takime me personalitete, kolegë, bashkëkombas kosovarë e të tjerë.
Ka shfrytëzuar gjerësisht edhe dokumentacionin e Misionit shqiptar në Gjenevë, të OKB dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe të dhëna e njoftime të shumta që transmetoheshin në prag, gjatë dhe pas Luftës në Kosovë, nga mediat ndërkombëtare, (radio, televizione, organe shtypi, agjenci informacioni), libra, botime etj.

Autori shkruan se “fjalimet, ndërhyrjet dhe aktiviteti i gjithanshëm, intensiv diplomatik, në interes të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, për të cilat bëhet fjalë në libër, përfaqësojnë vetëm një pjesë fare të vogël të veprimtarisë së shtetit shqiptar në atë kohë, të konkretizuar në angazhimin e përditshëm të Misionit. Ato janë, pa dyshim edhe një kontribut modest personal, intelektual e shpirtëror, i autorit ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj.
Në atë kohë politikanë e diplomatë shqiptarë janë shprehur dhe e kanë mbrojtur me pathos e patriotizëm Kosovën në qindra fjalime, deklarata dhe ndërhyrje, në konferenca dhe organizata ndërkombëtare, në organe, institucione, forume etj… Autori është ndalur posaçërisht në veprimtaritë më kryesore të kryera nga Misioni i Gjenevës, sektor që e ka mbuluar vetë dhe që e njeh mirë. Ai është përqendruar kryesisht te pjesa më përfaqësuese e fjalimeve dhe ndërhyrjeve të veta në forumet e Gjenevës, si titullar, pa mohuar ose anashkaluar punën e përfaqësive të tjera diplomatike të Shqipërisë në shtete ose organizata të tjera ndërkombëtare, të strukturave përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), diplomatëve të tjerë të Misionit si dhe të delegacioneve të ardhura nga Tirana, të cilët kanë kontributet e tyre të pamohueshme. Në Shqipëri e jashtë saj, në organet e medias së shkruar dhe audiovizive janë publikuar e transmetuar një numër i pambarimtë artikujsh dhe emisionesh…
Në libër përshkruhen zhvillime dhe episode që ndihmojnë për të ndjekur dhe kuptuar më mirë zanafillën dhe rrjedhën e ngjarjeve, për të cilat bëhet fjalë në fjalimet, ndërhyrjet dhe veprimtaritë diplomatike të Misionit shqiptar dhe autorit në forumet e diplomacisë shumëpalëshe të Gjenevës.
Koha e shërbimit te autorit në Gjenevë përkoi me shpërthimin violent të krizës së Kosovës, Luftën e popullit të saj për liri, ndërhyrjen e NATO-s si dhe me përçapjet e shumta të faktorit ndërkombëtar për gjetjen e zgjidhjeve. Duke qënë përherë dhe gati vazhdimisht objekt diskutimesh edhe në organizatat ndërkombëtare të Gjenevës, çështja e Kosovës zuri një pjesë të konsiderueshme të kohës së punës dhe të veprimtarive diplomatike të Misionit.
Për shpëtimin e Kosovës luftonte me heroizëm UÇK-ja, kontribuonte gjithë faktori shqiptar brenda e jashtë saj, bombardonin avionët e NATO-s për paralizimin e fuqisë ushtarake të Beogradit, vepronte intensivisht diplomacia botërore, por ishte gjithashtu i tëri në këmbë edhe shteti shqiptar me strukturat e veta, i angazhuar maksimalisht në frontet politike, diplomatike etj. Në vijën e parë të frontit diplomatik, ku nuk luftohej me avionë, artileri e armatime, por me veprimtari të dëndur diplomatike, debat të fuqishëm institucional dhe me argumente politike e juridike, kishte përgjegjësinë e madhe atdhetare të ishte edhe diplomacia e shtetit shqiptar. Autori, si përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar në Misionin e Përhershëm në Gjenevë, pati shansin dhe privilegjin, por edhe peshën e rëndë, që ta përjetonte nga afër atë periudhë, sa dramatike e të dhimbshme, aq edhe heroike e të lavdishme të shqiptarëve të Kosovës. Rastësia bëri që të përjetonte ngjarje unikale dhe, në njëfarë kuptimi, të bëhej pjesë e tyre.
Në atë kohë as optimisti me fantazinë më të zhvilluar nuk e përfytyronte se shumë shpejt, do të vinte një ditë që Kosova të kishte ambasadorët e vet të akredituar në shtetet e tjerë ose në organizatat ndërkombëtare. Kosovës dhe vëllezërve tanë iu qoftë rruga e mbarë drejt një të ardhmeje të bukur, të begatë e të sigurt, gjithë dritë e shkëlqim, në krah dhe bashkë me gjithë shqiptarët e tjerë, kudo që ndodhen.”
Nga libri i mësipërm ne shkëputëm pjesën e mëposhtme:
Kisha afro dy muaj në krye të Misionit shqiptar në Gjenevë, kur në mëngjesin e ftohtë të së hënës së 17 janarit 1999, trokiti në derë dhe hyri furishëm në zyrat tona një djalë i Kosovës, Tahir Shabani nga Ferizaj, që jetonte në qytetin Gaillard të Francës, ngjitur me Gjenevën. Dukej shumë i trishtuar, i shfytyruar, gati pa frymë. Pa u ulur ende nisi të më tregonte hollësi nga një ngjarje makabre e ndodhur në fshatin Reçak dhe më vuri përpara një tufë fotografish dhe disa CD me skena të tmerrshme të masakrës që hordhitë serbe kishin kryer.
Ndodhia nuk ishte e panjohur për mua, atë e kisha ndjekur dy ditë më parë në ekranet e kanaleve të ndryshme televizive si dhe në lajmet e shumë agjencive, të cilat njoftonin se më 15 janar, fshati Reçak ishte zgjuar i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që i mbijetuan krimit, aty rreth orës 6.30, forcat serbe sulmuan fshatin me artileri të rëndë. Fshatarët u përpoqën të largohen prej tij apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt ua bëri të pamundur … në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve edhe një grua. Më tronditën thellë dhe më mbetën në mendje pamjet rrëqethëse të djemve, burrave e të moshuarve, të pushkatuar e të shtrirë pranë ose njëri mbi tjetrin në një luginë të vogël, ende mbuluar nga bora dhe përgjakur gjithandej, si dhe klithma e dhimbshme e një djali, që i buronte nga thellësia e shpirtit të traumatizuar nga pirgu i kufomave. William Walker, shef i Misionit të Vëzhguesve të OSBE në Kosovë, i pranishëm në vend, ka dëshmuar me shkrim se: “Në një përroskë sipër fshatit, pashë trupin e parë. Ai ishte i mbuluar nga një batanie dhe kur e kthyen mbrapsht, vura re se ai nuk kishte kokë në trupin e vet… Më tej ishin tre trupa të tjerë… me plagë në kokë dhe gjak në veshjet e tyre… kudo pashë vrima plumbash në kokat dhe trupat e tyre. Më thanë se kishte trupa kudo. Inspektorët dhe gazetarët më pyetën nëse doja t’i shihja, por iu përgjigja jo, kisha parë mjaft.”
Ngjarja e 15 janarit ishte parathënia e kobshme e tragjedisë që serbët po luanin me motrat dhe vëllezërit tanë kosovarë. Ajo ishte gjithashtu një nga ngjarjet që shënoi kthesën e madhe në qëndrimin e diplomacisë ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
I ngarkuar me shumë dhimbje, thellësisht i trishtuar nga ç’kisha parë, me atributin e posaçëm të pozicionit zyrtar që mbaja, i kërkova menjëherë takim Mary Robinson-it, Komisare e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, ish presidente e Irlandës, një grua me influencë dhe reputacion në qarqet diplomatike të Gjenevës. Kur i shkova në zyrë, me një tronditje që nuk fshihej, i lashë mbi tavolinë fotot dhe CD e masakrës dhe i thashë se mjetet e informimit nga Kosova transmetojnë nga ora në orë zhvillime të tjera të rënda, që flasin se vendi është mbuluar nga tymi dhe flakët, nga djegiet dhe shkatërrimet. Kudo shihen pamje të trishta varresh që hapen çdo ditë, fëmijë, gra e pleq të masakruar. Kosovarët janë në ikje duke braktisur shtëpitë dhe trojet e veta. Çetnikët “modernë” serbë djegin dhe vrasin me gjakftohtësi, pa iu dridhur dora, këdo që iu del përpara. Kosova e tërë është e përgjakur dhe e shndërruar në gërmadha. Opinioni ndërkombëtar, i cili nuk ka munguar t’i gjendet krah popullit të Kosovës, duhet të veprojë më me forcë për të ndalur Milosheviçin dhe klikën e tij. Kërkohen masa urgjente që, në përputhje me kompetencat e Komisariatit të Lartë për të drejtat e njeriut, t’u vihet në ndihmë njerëzve të masakruar, të cilëve po iu mohohet e drejta bazë, ajo për jetën. Nuk mund të vazhdohet më tej pa folur hapur, qartë dhe me forcë, pa identifikuar tërësisht të vërtetën dhe autorin e saj, si dhe pa ndërhyrë për të frenuar një tragjedi akoma më të tmerrshme se ajo e Bosnjes, që është në prag të derës. Vendi më i përshtatshëm në mjediset politiko-diplomatike të Gjenevës ishte Komisioni i të drejtave të njeriut i OKB.

Ndryshe nga takimi i mëparshëm me të, kësaj here e pashë znj. Robinson të prekur. Ajo kishte një informacion të mjaftueshëm mbi zhvillimet në Kosovë, ndër të tjera edhe nga njoftimet që i mbërrinin vazhdimisht nga terreni dhe nga burime të tjera të shumta. Por mekanizmat e institucioneve ndërkombëtare të burokratizuara tej mase vihen në lëvizje me shumë vështirësi. Ishte kjo arsyeja që do të kalonin sërish javë dhe, megjithëse ajo i ndiqte me prioritet të posaçëm zhvillimet në Kosovë, nga ana e zyrës së saj do të vazhdonin të dilnin deklarime në formë sloganesh të ftohta. Ne na dukej se nuk kishte ende veprime efikase ose denoncime të drejtpërdrejta të adresuara ndaj shkelësve të të drejtave dhe lirive themelore të kosovarëve, autorët e të cilëve ishin identifikuar tashmë qartësisht. Kushdo e dinte se Beogradi dhe klika e instaluar atje urdhëronin marrjen e jetës së qindra të pafajshmëve në Kosovë. Prandaj, nëpërmjet ndërhyrjeve të tjera të mëvonshme, formale dhe informale, Misioni do t’i përsëriste znj. Robinson, kërkesën për të ndërmarrë një nismë energjike, konkrete, efikase dhe të shpejtë, siç mund të ishte fjala vjen mbajtja e një sesioni të jashtëzakonshëm ose debati të posaçëm gjatë sesionit të Komisionit të të Drejtave të Njeriut, kushtuar posaçërisht zhvillimeve tragjike në Kosovë.
Pamjet e masakrës së Reçakut, kapërcyen Atlantikun dhe lanë gjurmë të fuqishme në Pallatin e Xhamtë të OKB në Nju Jork. Ngjarja tërhoqi menjëherë vëmendjen e organeve të saj, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Kofi Annan. Më 17 janar 1999, ai deklaroi se ishte i shokuar nga “masakra e Reçakut” dhe iu bëri thirrje autoriteteve kompetente që të ndërmerrnin një hetim të thelluar.
Ato ditë autoritetet jugosllave shpallën personna non grata shefin e Misionit të OSBE në Kosovë, William Walker dhe i kërkuan që të largohej nga Jugosllavia brenda 48 orëve, vendim që ngjalli reagime të shumta. Beogradi nuk ia falte faktin që, duke qenë ndër të parët, i cili pa me sytë e vet ekzekutimet barbare në Reçak, guxoi me tmerr, indinjatë dhe revoltë, të thoshte të vërtetën me plot gojën. Ai njoftoi organizmat ndërkombëtare dhe mjetet e informimit publik botëror.
Diplomati amerikan Hill, e quan si më të tmerrshmen në ato muaj dhe thotë se ajo, “u krahasua me masakrën e Srebrenicës, në Bosnjë, që kish qenë edhe shkaku i ndërhyrjes së NATO-s. Vrasjet në Srebrenicë, që arritën në shtatë mijë, ishin më shumë, por efekti ishte i njëjtë. Vrasësit e Reçakut u denoncuan nëpër botë dhe vendosën ndërhyrjen ushtarake në një udhë pa kthim.”
Më 18 janar, para se të fillonim veprimtaritë e zakonshme të asaj dite mësuam se atë ditë Këshilli i Sigurimit i kërkoi Beogradit që të dënonte fuqimisht masakrën dhe të urdhëronte nisjen e menjëhershme të një hetimi të plotë duke bashkëpunuar me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPI). Por për shkak të qëndrimit kundër të Rusisë dhe të Kinës, ai nuk mundi të shprehej për mbështetjen e vet ndaj misionit të hetimit. I bëri thirrje gjithashtu që të rishikonte vendimin për shpalljen e Uilliam Uoker “persona non grata” dhe të hiqte dorë nga kërkesa për dëbimin e tij nga Kosova.
Ngjarja, që u bë e njohur zyrtarisht nga njoftimet e OSBE-së, u diskutua gjerësisht edhe nga organet e saj. Më 18 janar 1999, presidenca norvegjeze e quajti masakrën e Reçakut një ndër “fatkeqësitë më të tmerrshme”. Ajo deklaroi se një numër i madh i viktimave të egërsisë më të fundit ishin ekzekutuar në mënyrë brutale. Këshilli i Përhershëm i OSBE i mbledhur me urgjencë, konfirmoi se pavarësisht nga ngjarja, do të vazhdohej vendosja e Misionit të saj të Verifikimit në Kosovë.
Masakrën e Reçakut e dënoi “pa rezervë” edhe Rusia. Ministri i saj i jashtëm, Igor Ivanov, iu kërkoi autoriteteve jugosllave që të bashkëpunonin me ekspertët e pavarur ndërkombëtarë që do të merreshin me hetimin e çështjes. I kërkoi Beogradit që të rishikonte vendimin për deklarimin e William Walker personna non grata. Por nuk mungoi që të shprehej kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku, sipas saj, “zgjidhja mund të vijë vetëm në kuadrin e një rregullimi politik.”
Vendimi i Beogradit për shpalljen e Walkerit personna non grata, i ballafaquar me kundërshtimet e vendosura nga ndërkombëtarët, u revokua në ditët në vazhdim.
Demonstrime në Gjenevë
Në orën 17.30 të 19 janarit 1999, katër ditë pas masakrës së Reçakut, 52 organizata politike e jo-politike shqiptaro-zvicerane, me pjesëmarrjen e disa mijëra vetëve, organizuan një marshim protestues rrugëve të Gjenevës, me moton “Heshtja që vret”, i cili mori trajtat e një demonstrimi madhështor. Ishin të pranishëm shqiptarë të Kosovës, të Shqipërisë dhe nga viset shqiptare, si dhe simpatizantë të Kosovës nga e gjithë Europa, përfaqësues shtetesh dhe organizatash ndërkombëtare. Binte në sy sidomos pjesëmarrja masive e studentëve shqiptarë. Ishte i pranishëm edhe stafi i Misionit së bashku me familjarët. Veprimtaria synonte të shprehte protestën ndaj uzurpimit serb të pushtetit në Kosovë si dhe të sensibilizonte opinionin e gjerë publik, kundër represionit të Beogradit ndaj shqiptarëve, për acarimin e skajshëm të situatës atje. Vargu i pafund i demonstruesve me pankarta dhe flakadanë qiriri, përshkoi rreth 2-3 kilometra, duke marshuar në heshtje rrugëve kryesore të Gjenevës, për ta përfunduar marshimin në sheshin Place des Alpes. Për përmasat e veprimtarisë, jehonën, pjesëmarrësit dhe itinerarin e përshkuar krijohet një ide e përgjithshme nga një shkrim i botuar më 20 janar 1999 në shtypin shqiptar të Zvicrës, nga Hevzi Kryeziu. Aty thuhej ndër të tjera se “Në mesin e mbi 5.000 pjesëmarrësve, që i bënë nderime viktimave të masakrave në Kosovë dhe u solidarizuan me popullin e Kosovës, ishin edhe ambasadori shqiptar në Zvicër, përfaqësues i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë selisë së OKB-së në Gjenevë, deputetë e personalitete të shquara të Gjenevës. Pjesëmarrësit e këtij marshimi u tubuan në sheshin Place Neuve. Pas nderimit të viktimave të forcave ushtarake e policore serbe në Kosovë, pjesëmarrësve iu drejtua Ueli Leuenberger, drejtor i Universitetit Popullor Shqiptar. “Shkaqet që na shtynë të protestojmë rrugëve të Gjenevës janë masakrat e fundit në Kosovë, ku forcat e armatosura serbe, paramilitarët dhe policët e Millosheviqit, Sheshelit, Drashkoviqit dhe shokëve të tyre, po bëjnë kërdi mbi popullatën civile shqiptare të Kosovës. Ky regjim fashist i Beogradit, kjo klikë kriminelësh fashistë, po ua pret kokën pleqve, po ua nxjerr sytë dhe zemrat fëmijëve dhe grave, për të vetmin ‘faj’, se ata janë shqiptarë. Si të quhet ndryshe ky regjim kriminelësh, pos regjim fashist, kur qëllimi i tij është spastrimi etnik i Kosovës dhe zhdukja fizike e popullit shqiptar”, u shpreh z. Leuenberger. “Të gjitha këto po ndodhin para syve të opinionit ndërkombëtar, para OKB-së, para Evropës dhe ShBA-ve, të cilat assesi nuk po ia dalin të ndalin këtë bandë kriminelësh. Është koha e fundit, që përgjegjësit botërorë ta kuptojnë se duhet kërkuar një zgjidhje tjetër për Kosovën, një zgjidhje të drejtë – kosovarëve do t’u njihet e drejta për vetëvendosje, e cila do t’ua mundësonte të drejtën për jetë, për liri dhe paqe”, theksoi mes tjerash z. Leuenberger. Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare “duhet ta kuptojë dhe të kërkojë që këtë çështje ta zgjidhë jo me Millosheviqin dhe bandën e tij, por duke luftuar atë dhe diktaturën që ka vënë ai”.
Në Gjenevë rrallë herë kishte pasur një veprimtari kaq masive dhe mbresëlënëse. Manifestimi u përcoll me interes dhe simpati nga banorët e qytetit, kalimtarët e rastit si dhe nga disa media audiovizive dhe të shkruara.
Ndërkaq në Kosovë zhvillimet po shkonin me shpejtësi drejt zgjidhjes ekstreme përmes alternativës së ndërhyrjes ushtarake. Të nesërmen, më 20 janar 1999, NATO mori vendim për rritjen e dispozitivit të saj luftarak në Adriatik.
Në paraditen e 27 janarit të vitit 1999, me rastin e vizitës në Gjenevë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Kofi Anan, pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Zvicër si dhe shumë të tjerë, zhvilluan një tjetër manifestim paqësor në rrugët e qytetit dhe para Kombeve të Bashkuara. Ata i dorëzuan Z. Anan një peticion. Në konferencën e shtypit për gazetarët ai foli edhe për ngjarjet në Kosovë. Tha se Këshilli i Sigurimit asnjëherë nuk ka diskutuar plotësisht mundësinë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Kjo do të varet nga zhvillimi i ngjarjeve në terren. Nëse ai nuk do të vendosë për të ndërhyrë, këtë mund ta bëjnë individualisht shtete që kanë mundësi dhe interesa, siç ka dëshmuar edhe përvoja e kohëve të fundit. Pas mbarimit të manifestimit një grup kosovarësh filloi një grevë urie, me rastin e së cilës shpërndanë një komunikatë ku paraqitën kërkesat e veta.
Misioni, zëri institucional i Kosovës në Gjenevë
Në kanalet kryesore televizive botërore dhe në ballinat e gazetave prestigjioze, shfaqeshin gati përditë dhe shpërndaheshin në çdo skaj të rruzullit, pamje të trajtimeve çnjerëzore, të paimagjinueshme, që ndërmerreshin ndaj popullit kosovar nga ushtritë dhe njësitë paraushtarake serbe. Ato krijonin një atmosferë të veçantë dhimbjeje dhe keqardhjeje, e cila pak nga pak u kthye në një ndjenjë të fuqishme simpatie dhe solidariteti ndaj shqiptarëve. Ashtu si përfaqësitë e tjera diplomatike e konsullore shqiptare në vende të ndryshme në ato kohë, Misioni dhe stafi i tij, përfaqësuesi i Shqipërisë zyrtare, shiheshin nga shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit shtetëror të shtetit zyrtar, si “strehëza” e të gjithëve. Nisur nga detyrimet konstitucionale, në një farë mënyre ai ishte përfaqësuesi dhe zëri institucional i shqiptarëve të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të Gjenevës. Simpatia e përgjithshme kolektive, mbështetja dhe solidariteti i komunitetit diplomatik, qarqeve gazetareske, njerëzve të thjeshtë të Gjenevës e përreth, “zbrazeshin” edhe tek Misioni ynë. Ndjenim, doemos një përgjegjësi të madhe për domosdoshmërinë e informimit dhe sensibilizimit të mbarë opinionit në një nga qëndrat më të mëdha të diplomacisë multilaterale, metropol kryesor diplomatik botëror, siç është Gjeneva. Kërkohej të gjendeshin mjetet dhe rrugët e përshtatshme për të bërë të njohura ngjarjet në Kosovë si dhe qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare. Duhej vepruar shumë shpejt që strukturat ndërkombëtare me seli në atë qytet, të ndërmerrnin masat e nevojshme, në zbatim të detyrave funksionale, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare, për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Kosovë.
Situata në Kosovë, tragjedia e vëllezërve kosovarë duhej përballuar me vendosmëri, përkushtim dhe me një angazhim që nuk njihte orar. Ndikonin si faktorë lehtësues udhëzimet dhe porositë e përditshme që vinin nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe organet e tjera të shtetit shqiptar, përkrahja dhe simpatia e dukshme e manifestuar nga kolegë ambasadorë e diplomatë, nga drejtues e funksionarë të organizatave ndërkombëtare, gazetarë e qytetarë të zakonshëm. Shpejt do të arrihej përshtatja me një ritëm të veçantë pune, me impenjime të shumta e të njëkohshme në organizata të ndryshme, ku diskutohej për Kosovën. Gati çdo javë dhe ngandonjëherë çdo ditë, mbanim fjalime dhe bënim ndërhyrje në mbledhje të organizmave të OKB dhe organizatave të tjera. Kërkohej vëmendje e veçantë për t’u formuluar me gjuhë të kujdesshme, pa iu shmangur ndjenjave të fuqishme të pathosit e patriotizmit, që imponoheshin vetvetiu nga situatat. Nuk mungonin shprehjet e hapura të simpatisë, vlerësimet, ftesat për dreka e darka nga ana e kolegëve të tjerë për vazhdimin e diskutimeve dhe bisedave informuese etj., çka kërkonte sërish një përqendrim të fuqishëm vëmendjeje, ekuilibër dhe kujdes të madh në deklarimet që bëheshin.
Ishte, një odisé përpjekjesh, me netë pa gjumë, stres e dhimbje shpirti, që i provonim përditë e përnatë në ato kohë, me merakun e madh për t’iu gjendur pranë vëllezërve të Kosovës dhe çështjes së tyre të madhe.”
