Pikturat më të famshme ë botë janë rikrijuar duke përdorur dritën e një elektriku dore. Artisti i njohur për punën e tij me dritën, Michael Bosanko, ka përfunduar pikërisht dje koleksionin e kopjeve të kryeveprave botërore. Artisti thotë se punon me teknikën e fotografimit të dritës që në vitin 2004. Seria e fotove përfshin rikrijimin e kryeveprave të Da vinçit, Van Gogh-ut etj.
“Për të rikrijuar një kryevepër, unë lë hapur kamerën në kohë reale dhe lëviz burimin e dritës në mënyrë të atillë që të kapet nga sensorët e kameras. Më duhet të mbështetem kryesisht te përfytyrimi i asaj që po bëj dhe fantazia, për të krijuar imazhet, pasi ndërsa jam në lëvizje nuk mund të shoh atë që kam vizatuar deri në fund të punës”, shpjegon ai teknikën e realizimit të krijimeve.
Teknika e fotografimit të dritës është përdorur për herë të parë nga fotografi shqiptar me famë botërore, Gjon mili. Në bashkëpunim me piktorin Pablo Pikaso, Gjon Mili realizoi disa foto të seri fotosh të ngjashme në vitin 1949.
Seria e njohur si Vizatimet e dritës, e realizuar në vitin 1949, shfaq Pikason duke lëvizur një dritë për të krijuar një figurë të ngjashme me kafshën që çirret në pikturën e tij Guernica apo gruan plot forma të The dreamer (Ëndërrimtarja). / Gazmira Sokoli













