Shtatë piktura të famshme, të vjedhura tetorin e shkuar në Muzeun e Roterdamit (Holandë) janë djegur plotësisht në Rumani. Pikturat e famshme të Freud, Gaugin, Monet, Picaso etj nuk i përkasin më trashëgimisë kulturore botërore, pasi janë kthyer në hi në shtëpinë e njërit prej personave që i vodhën.
Hajdutët e dyshuar u arrestuan në fillim të këtij viti, por pikturat nuk u gjetën kurrë. Por tashmë hetuesit kanë konfirmuar se pikturat e Lucian Freud, Paul Gauguin, Henri Matisse, Meijer de Haan, Claude Monet dhe Pablo Picasso janë shkatërruar. Pasi janë vënë në pranga nga policia, hajdutët e kanë kuptuar se ishte shumë e vështirë t’i shisnin veprat, vlera e të cilave varionte nga 50-100 milionë euro. Në këtë mënyrë, ata kanë marrë vendimin drastik të zhdukjes së tyre.
Pikturat janë djegur nga nëna e njërit prej hajdutëve, Olga Dogaru, e cila ka konfirmuar për televizionet rumune se i ka futur në furrë pikturat miliona dollarëshe, pasi mësoi se i biri kishte përfunduar në burg për vjedhjen e tyre. Sipas BBC, analizat e hirit kanë konstatuar prani boje, telajoje dhe gozhdësh. Procesi gjyqësor në ngarkim të Radu Dogaru është parashikuar për në 13 gusht. Së bashku me të, në bankën e të pandehurve do të ulet edhe një person tjetër, ndërsa për bashkëpunim akuzohen katër persona, mes të cilëve edhe gruaja që shkatërroi pikturat.
Vjedhja
Rasti në fjalë përbën një vjedhje spektakolare, për shkak të mënyrës se si është kryer dhe vlerës së madhe të veprave të artit. Pikturat janë marrë natën, pa shkaktuar as më të voglën zhurmë. Shtatë pikturat e çmuara janë “Koka e Arlekinos” e Pablo Pikasos (1971); “Lexuesja në bardh e verdhë” e Henri Matisse (1919); “Ura e Vaterlosë” dhe “Ura Charing Cross” e Claude Monet (1901); “Gruaja para dritares së hapur” e Paul Gauguin ( 1888); “Autoportret” e Van Meyer de Haan dhe “Gruaja me sy mbyllur” e Lucien Freud (2002). / Gazmira Sokoli








O Zot,cfare vandalizmi.Ka kudo njerez-mostra.
Mundet qe Ilir Meta te kete bere shkollen me keta hajdut !