Dhimbjet e kokës, mos abuzoni me qetësuesit

anazapta

Prof.Dr. Jera Kruja, shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT, jep këshillat se si mund të mbajmë nën kontroll dhimbjet e kokës si dhe masat që duhen marrë për të shmangur komplikacionet që rrjedhin prej tyre

Pranvera Kola

Dhimbjet e kokës janë ndër dhimbjet më të zakonshme që na shoqërojnë në jetën e përditshme. Mostrajtimi në kohë i këtyre dhimbjeve shpesh mbart edhe pasoja të rënda. Realiteti tregon se janë të shumta rastet kur këto dhimbje neglizhohen duke i shndërruar këto dhimbje në kronike. Të gjitha moshat janë të riskuara për t’u prekur nga dhimbjet, ndërkohë që në raportin meshkuj-femra, tek këto të fundit dhimbjet e kokës rezultojnë të jenë më të shpeshta. Mënyra më e mirë në parandalimin e tyre është marrja e ndihmës mjekësore që në stadet më të hershme.

Në një intervistë për gazetën “Dita”, prof.dr. Jera Kruja, shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë në QSUT, njëherësh edhe presidente e Shoqatës Shqiptare të Dhimbjeve të Kokës jep këshillat se si duhet të kujdesmi për dhimbjet e kokës.

Sipas saj, pacientët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në përdorimin e qetesuesve, pasi mund të mbartin pasoja. Përdorimi i tyre duhet bërë vetëm pas rekomandimit të dhënë nga mjeku specialist.

Dhimbjet e kokës po bëhen gjithnjë e më të shpeshta edhe në vendin tonë. Si paraqitet ecuria e përhapjes së tyre?

Dhimbja e kokës është tipi më i shpeshtë i dhimbjes rekurente dhe simptoma më e shpeshtë në neurologji. Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) në bashkëpunim me “Lifting the Burden” botuar në Atlasin e Çrregullimeve të Dhimbjeve të Kokës (2011), rreth 50 – 75 për qind e të rriturve nga 18 – 65 vjeç, kanë të paktën një episod me dhimbje koke gjatë vitit paraardhës.

Në vendin tonë shifrat janë pak a shumë të ngjashme me vendet e tjerë të Evropës dhe nuk më rezulton se kemi një prirje për rritje të prevalencës gjatë viteve të fundit. Ka mundësi që studimet më të hollësishme dhe njohja gjithnjë në rritje e këtij problemi të kenë dhënë një iluzion se rastet me dhimbje të kokës po shtohen.

Po faktorët që ndikojnë në krijimin e këtyre dhimbjeve cilët janë?

Dhimbjet e kokës ndahen në dy grupe: dhimbje parësore (pa ndonjë shkak të dukshëm, ku bën pjesë edhe migrena) dhe dytësore (pasojë e një shkaku, përshembull tumor ose hemorragji e trurit, sinusit etj). Megjithëse pacientët duan të dinë shkakun e dhimbjes së kokës, kjo mund të mos jetë e mundur.

Si faktorët gjenetikë, ashtu edhe ata mjedisorë kontribuojnë në procese të cilat nuk njihen mirë. Shumë pacientë kërkojnë ndihmë për identifikimin e faktorëve shpërthyes. Rëndësia e faktorëve shpërthyes në rastin e migrenës është e mbivlerësuar. Kur ata janë sinjifikativë për një pacient të veçantë, ata zakonisht janë tepër evidente.

Identifikimi i faktorëve shpërthyes mund të jetë më i vështirë kur efektet e tyre janë kumulative, duke kontribuar së bashku tek “pragu” mbi të cilin nxitet fillimi i atakeve. Madje edhe kur identifikohen, faktorët shpërthyes nuk janë gjithmonë të shmangshëm.

Në kundërshtim me besimin e gjerë, nuk ka “dietë për migrenën”. Të vetmit faktorë shpërthyes dietetikë për të cilët disponohen prova të sigurta janë alkooli dhe monosodium glutamati.

Cilat janë simptomat e dukshme që mund të drejtojnë pacientin për të kërkuar ndihme tek mjeku specialist?

Për arsye të prevalencës së lartë të dhimbjeve të kokës, zakonisht kontaktohet në fillim mjeku i familjes. Për këtë arsye Shoqata Shqiptare e Dhimbjeve të Kokës, e formuar nga Profesor Bajram Preza, të cilin kam pasur nderin ta pasoj, ka ndërmarrë disa aktivitete për edukimin e mjekëve të familjes nëpërmjet kurseve të zhvilluara në Tiranë (në bashkëpunim me drejtorinë e Autoriteti Rajonal Shëndetësor, ASHR) dhe në Durrës (në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale).

Tashmë është përkthyer edhe një broshurë e botuar nga Federata Europiane e Dhimbjeve të Kokës, në bashkëpunim më shoqatën “Lifting the Burden” që shërben si udhërrëfyes ndërkombëtar në diagnostikimin dhe menaxhimin e dhimbjeve të kokës nga mjekët e shërbimit primar.

Rekomandoj që kjo broshurë të jetë pjesë e bibliotekës së çdo mjeku të përgjithshëm, farmacisti e përse jo edhe pacienti.

Në cilat raste mjeku i familjes mund të kërkojë një konsultë nga mjekët specialistë neurologë?

Mund të rendis disa situata nga më të rëndësishmet: kur ka pasiguri për diagnozën pas investigimeve të kryer, kur vendoset diagnoza e dhimbjes së kokës të tipit “cluster”, kur ka dyshim për dhimbje koke dytësore serioze ose raste kur investigimi mund të jetë i nevojshëm për të përjashtuar patologji serioze.

Indikacion për konsultë nga një mjek specialist kemi në rast të çdo dhimbje koke të re apo e papritur tek një pacient i veçantë por veçanërisht: në shfaqjen e një dhimbje koke si rrufe, në dhimbje të re të kokës tek një pacient mbi 50 vjeç, dhimbje e re e kokës tek një fëmijë përpara pubertetit, dhimbje e re e kokës tek një pacient me histori kanceri, infeksioni HIV apo edhe imunodeficience, në rast dhimbje koke që përkeqësohet në mënyrë progresive për javë të tëra apo më gjatë, dështimi  i vazhdueshëm i trajtimit, etj.

Cilat janë kategoritë më të riskuara për t’u prekur nga dhimbjet e kokës, si dhe a ka diferencime ne lidhje me raportin femra-meshkuj?

Në përgjithësi gratë e vajzat vuajnë më shumë nga dhimbjet e kokës duke pasur parasysh rastet me migrenë (raporti femra-meshkujt është 3:1), dhimbjet tensive episodike, dhimbjet nga abuzimi me qetësues.

Ka disa hipoteza që shpjegojnë këto ndryshime si: fluktuacionet e hormoneve seksuale, faktorët gjenetikë, ndryshimet në ekspozimin ndaj ngacmimeve mjedisore, si edhe ndryshimet në përgjigjen ndaj perceptimit të stresit dhe dhimbjes.

Po për fëmijët ç’mund të themi?

Dhimbjet e kokës mund të takohen në çdo moshë, përfshirë edhe fëmijët. Në moshë të vogël ka vështirësi diagnostikimi se dhimbja e kokës mund të mos ekzistojë, por edhe forma të veçanta të dhimbjes së barkut, ose të ashtuquajturat “të vjella ciklike”, mund të jenë shenja të një migrene që merr formën klasike vetëm me rritjen e moshës së fëmijës.

Me gjithë atë nuk mund të jepen shifra të sakta prevalence sepse sipas Atlasit të Çrregullimeve të Dhimbjeve të kokës (2011) mungojnë ende studimet e plota e të besueshme epidemiologjike në këtë drejtim.

Shpesh ndodh që dhimbjet e kokës të trajtohen me anë të një qetësuesi të marrë në kushtet e shtëpisë, apo dhe tek farmacisti, pa u konsultuar më parë me mjekun specialist. Sa e rrezikshme është kjo gjë, dhe me çfarë pasojash e përball pacientin?

Si e përmenda edhe më përpara, në rast të një diagnoze të përcaktuar (kur dhimbja është një simptomë e përsëritur), pacienti mund të marrë vetë një mjekim të krizës, duke u bazuar në një këshillë të mëparshme të mjekut ose farmacistit.

Theksoj edhe një herë të trajtohet në mënyrë individuale një dhimbje koke e shfaqur për herë të parë. Për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të rritur numrin e personave të kualifikuar, gjatë këtij muaji, në bashkëpunim me Urdhrin e Farmacistëve, kemi planifikuar zhvillimin e kurseve me farmacistët e Tiranës.

Çfarë u këshilloni pacientëve për të parandaluar sa më shpejt dhimbjet e kokës këto komplikacione dhe si duhet bërë trajtimi i tyre?

Dhimbjet e kokës duhet të trajtohen në bazë të formës klinike, shpeshtësisë së krizave, moshës e seksit së pacientit. Duhet të kemi parasysh të mos abuzojmë me qetësues. Duhet të përcaktohet në se kemi indikacion për mjekim krize (qetësues) apo parandalues. Zakonisht është numri i krizave në një muaj që diferencon këtë përzgjedhje. Më pas, për secilin grup, duhet të zgjidhet medikamenti më i përzgjedhur, duke pasur parasysh edhe efektet anësore të çdo preparati. Zbatimi i saktë i algoritmeve të diagnostikimit si edhe i udhërrëfyesve të trajtimit, siguron një sukses të qendrueshëm në ndjekjen e një të sëmuri me dhimbje koke.

Share This Article
10 Comments
  • Sh siperfaqesore…kaq gjera i kemi te lexuara edhe vete…Madje aq me teper qe kur shkon per vizite tek mjeket per dhimbje koke, e kur “ndonjeri” prej tyre te merr nje anamneze….te jep nje kure ilacesh, duke te mos bindur ne do te beje efekt, aq me teper kur pacienti di pak me teper se doktori….e gjithe mjeksia tek ne te le sh per te deshiruar, si per nga sjellja ne pergjithesi e mjekeve, si nga pergatitja e ulet e tyre, e aq me teper nga eksperimentimi “ilace& paciente”….sa po vjen koha aq me teper shtohen doktoret e paafte neper spitale apo klinika….edhe atyre qe ju ka dale emri si per doktore te mire apo me te vjeter ne detyre, te japin nje pergjigje aq te thate, ose te presin ne klinikat private ne te cilat majmen akoma e shume, dhe ne na rritet shija e hidhur cdo dite e perserisim shprehjen e zekonshme: ” qe na lente zoti me shendet qe te mos biem viktime e ketyre mjekeve qe na bejne teorine e librave dhe qe skane aspak sjelle HUMANIZMI…”

  • shume keq ! Te jesh humane nuk i duhet futur frika pacientit jo ka kete jo ka ate dhe patjeter duhet te veje te mjeku : Mendoj se jo gjithmone eshte e nevojshme te veje pacienti tek mjeku :Hyn ne internet dhe lexon gjera te tilla qe per mendimin tim i fusin friken cdo njeriu duke dhene turli mendimesh qe ka kete apo ate vetem e vetem per te shkuar tek mjeku per tu vizituar , per te dhene ca lek qe i kane aq shume qejf mjeket sidomos ne SHQIPERI .Shume ne normale do ta quaja une dhe kushdo tjeter dhe dhenje keshille se cfar duhet perdorur per momentin dhe pastaj nese do ishte e vazhdueshme sigurisht qe budalla pacient sot nuk ka dhe do veje te mjeku se sben sepse i dhimbset jeta e tij .Shume gingune mjeke jane te socmit per me teper te jete mjeke nje femer qe mund te jete dhe nene dhe te mos kete piken e humanizmit vetem ketu degjojme .Pse nuk vendosin veten etyre ne vend te tjereve qe nuk kane fatin te jene mjeke dhe te japin te pakten qofte dhe nje keshille se ndaj mjekesia quhet humane :Ska humanizem ! Ka humbur njerzilleku !Kjo mjeke e nderuar a mund ta dije se sa njerez nuk kane lek per buke jo me te paguajne per nje vizite qe mund ti beje ajo pacientit ?Me vjen shume keq per te- Uroj te mos i ndodhe ndonje e keqe per veten e saj se athere do e ndehej keq

  • mb jera jame anisa plaka ,nga elb isha aty ne date 8 mora nje mikime nga ty dhe tani nuk e di se cpata po me eshte mbushure trupi me pufka komplete, ika sote ne elb bera nje vizite te doktoresha e lokures dhe ajo me dha se e ke nga ilacet qe me dhe ti cfare te bej ti vazhdoj apo te vi aty te ty te bej nje vizite ,

  • Kjo nuk eshte mjeke, por eshte nje shtrige qe tallet me jetet e pacienteve, duke shfrytezuar pozicionin qe ka. Pyesni nje pacient nese ka gjetur sherim ndonjohere nga kjo, apo ka marre ndonje recete nese s. ‘ ka paguar. Turp qe punon akoma aty, uroj qe fiks fare te merret njehere dhe me kete hipokrite.

  • Falenderoj doktoreshn e me duket se eshte shum e qarte per rastet e vecanta qe duhet te shkojne te mjeku specialist. Kurset me mjeket e tjere dhe farmacistet behen per te pasur sa me shum njerez qe te ndihmojne te smuret. Per mua eshte nje mjeke me dinjitet dhe humane.

  • Pershendetje..kam dhimbje koke mpirje koke prej disa kohesh..me informoni..cfr duhet te bej..te fjith mjeket me kane thene e ke emocionale..po nk e duroj dot..behem shum nervos..faleminderit..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *