Shkodra nderon 10 personazhet e vitit

Ornela
????????????????????????????????????

 Nga Ramazan Çeka

Viti 2017 në qytetin e Shkodrës u mbyll me shumë veprimtari kulturore e artistike, ashtu si i ka hije një qyteti të tillë, i cili shtroi sofrat e tij sipas traditës, thirri në skenë kompozitorët, këngëtarët dhe poetët më të mirë, duke organizuar Festivalin e Këngës “Luleborë”, por ndërkohë nuk mbeti aspak mbrapa Agjencia e Spektakleve “Buna 1” për të organizuar për të pestin vit radhazi spektaklin gala “Best 10 north”, një spektakël që përveç anës dëfryese ka qëllim që të nderojë personalitetet më të spikatur të qytetit të Shkodrës për kontributin e tyre në fusha të rëndësishme social-kulturore, ekonomike, politike e sportive.

Nuk është e lehtë të zgjidhen 10 më të mirët, kur ky qytet padyshim është një metropol që historikisht ka nxjerrë shumë figura të shquara, jo vetëm lokale, por edhe kombëtare. Pra nuk ishte e lehtë edhe për publikun që të zgjidhte më të mirët.

Agjencia e Spektakleve “Buna 1” edhe këtë radhë, ashtu si më parë, rreth 5 javë më përpara ditës së spektaklit dhe shpallje së fituesve, jo vetëm e publikoi në mediat lokale, por e bëri edhe pjesë të votimit publik online, ku secili nga dashamirësit e fushave përkatëse mund të votonte për personazhin që mendonte se duhej të nominohej si më i miri.

Ishin 5 javë që publiku shkodran nuk qëndroi aspak imdiferent, përkundrazi secili prej tyre e dha voten e tij për të ardhur në natën finale, ku në një atmosferë të jashtëzakonshme, mes këngëve dhe humorit, në skenën e Teatrit “Migjeni” do të organizohej edhe kjo mbrëmje e mrekullueshme, që duhet nënvizuar se nga viti në vit ka një rritje të madhe të nivelit të saj artistik, por akoma më shumë të organizimit të saj, meritë e së cilës është padyshim ideatori dhe organizatori i saj z.Arben Mazi, president dhe producent i Agjencisë së Spektakleve “Buna 1”.

Një sallë e tejmbushur, me një spektator të mrekullueshëm, i cili në këtë mbrëmje sfidoi temperaturat e ulta të janarit, krijuan një atmosferë të ngrohtë që në fillim, kur moderatorja aq e bukur dhe simpatike Siçiljana Mazi hapi spektaklin e deri në fund kur ky publik duartrokiti jo vetëm fituesit, por gjithë të ftuarit që u ngjitën në skenë dhe i dhanë vlerat e kulturës shkodrane.

Për të ardhur në këtë mbrëmje shifra e votuesve online ishte befasuese. Kishin votuar mbi 48000 persona, jo vetëm nga Shkodra e Shqipëria, por edhe nga gjithë bota ku jetojnë e punojnë bashkëatdhetarët tanë.

Spektakli filloi me shpalljen e çmimit të piktorit më të mirë të vitit, të cilin e fitoi Andi Hila dhe që ia dorëzoi piktori i njohur z.Arjan Hyseni.

Shpallja e fituesëve u gërshetua ashtu siç ishte organizuar ky spektakël me shumë të ftuar artistë, biznesmenë, politikanë, sportistë etj, duke e bërë këtë mbrëmje një spektakël të vërtetë dhe duke iu shmangur kështu ceremonive zyrtare.

Këngëtarët e ndezën atmosferën në skenë dhe në sallë, duke e kthyer këtë spektakël në një mbrëmje krejtësisht shkodrane, ku dhe të ftuar nga rrethe të tjera këtë natë e ndjenë veten shkodranë të vërtetë. I tillë ishte edhe poeti dhe shkrimtari i njohur z.Preç Zogaj, i cili pas një ligjërate elokuente për Shkodrën dhe kulturën e saj, i dorëzoi çmimin biznesmenit më të mirë të vitit që u fitua nga z.Dedë Malota.

Spektakli vazhdoi sipas programit ku u ngjitën me radhë në skenë këngëtarët e mrekullueshëm shkodranë Nimet Leka, Lulka Mërkulaj, Indrit Mlika dhe “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili.

“Best 10 north” pas pesë javësh votime kurorëzoi në këtë natë më të mirët, që me punën e tyre kanë spikatur dhe kanë dhënë kontributin në fusha të ndryshme, ashtu siç i përmendëm më sipër.

Spektakli filloi me shpalljen e piktorit më të mirë. Siç e përmendëm më sipër edhe biznesmenin më të mirë. Për të nderuar edhe të tjerët u ftuan në skenë edhe tetë personalitete të tjerë shumë të shquar që ua dorëzuan çmimet fituesve më të mirë, të cilët po i rreshtojmë më poshtë.

Shkrimtarja më e mirë e vitit, poetja Mimoza Rexhvelaj e mori çmimin nga shkrimtarja tjetër e njohur Fatime Kulli.

Tekstshkruesi më i mirë i vitit u shpall Qazim Çela, i cili u nderua me këtë çmim fitues, të cilin ia dorëzoi “Mjeshtri i Madh” Kujtim Alia.

Me çmim fitues si aktori më i mirë i vitit në artin dramatik u nderua z.Bruno Shllaku, çmim të cilin atij ia dorëzoi aktorja e Teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës znj.Mimoza Marjanaku.

Me kënaqësi të madhe u prit nderimi me çmimin fitues për aktoren e mirënjohur të humorit shkodran Drande Xhai, të cilin ia dorëzoi një koleg i saj “Mjeshtri i Madh” Zef Deda.

Këngëtari folklorik më i mirë i vitit u shpall z.Fran Kodra, i njohur jo vetëm për interpretimin, por edhe për krijimtarinë muzikore e letrare. Çmimin fitues ia dorëzoi koreografi i njohur shkodran Aldo Nika.

Meritat e sportistit më të mirë të vitit i meritoi Arjan Kajoshi dhe për t’ia dorëzuar këtë çmim u ngjit në skenë Kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër znj.Greta Bardeli.

Po në këtë fushë çmimi fitues shkoi për tranierin më të mirë të vitit për grupmoshat, të cilin e fitoi z.Jozef Sermi, çmim të cilin ia dorëzoi përsëri znj.Bardeli.

Nuk mund të mos nominohej dhe të fitojë djali shkodran Ditmir Bushati si politikani më i mirë i vitit, çmim të cilin ia dorëzoi një përfaqësuese e diplomacisë shqiptare znj.Donika Hoxha.

Pas shpalljes së çmimeve për 10 më të mirët, organizatorët kishin menduar edhe për çmime të tjera speciale për dy sportistë elitarë që bëjnë krenarë jo vetëm Shkodrën, por gjithë Shqipërinë, për atletin Izmir Smajlaj dhe peshëngritësin Erkand Qerimaj, të cilëve për t’ua dorëzuar çmimin kishte nderin gazetari sportiv Gjergj Kola.

Më pas moderatorja e mrekullueshme Siçiljana Mazi falënderoi sponsorët që bënë të mundur realizimin e këtij spektakli, duke filluar nga Kompania “Hako” si sponsor gjeneral, “More” Adriatik-Shkodër me president z.Mark Babani, Bar Restorant “Meridian”, Mega Security, Kancelari “Mazi”, Bar Restorant “Bexhisteni”, si dhe Sallonin e Bukurisë “Nensi”.

Moderatorja falënderoi gjithashtu gjithë televizionet lokale, që jo vetëm bënë publikimin paraprak për të ardhur tek nata finale, por edhe regjistrimin e këtij aktiviteti kaq të bukur si TV 1 Channel, Star +, Rozafa dhe TV Kopliku.

U dhanë edhe çmime të tjera mirënjohje për vajza dhe djem shkodranë, për personalitete të nderuara të sportit, të artit dhe kulturës që sot janë ikona të këtyre fushave, duke filluar nga basketbollistja e shquar e Vllaznisë znj.Xhuli Shestani, për të ardhur tek gjigandi i futbollit shqiptar z.Sabah Bizi, tek aktori dhe shkrimtari i shquar i humorit “Mjeshtri i Madh” Gëzim Kruja e për të përfunduar tek çmimi tjetër i karrierës, akorduar “Mjeshtrit të Madh” Bujar Qamili.

Shumë interesante ishte se këto çmime iu dorëzuan këtyre emblemave nga sportistë dhe artistë të njohur, por edhe dashamirës të artit dhe sportit shkodran, duke filluar nga Atmira Borshi (Cungu), Edi Martini, Raimonda Marku dhe z.Fuat Vjerdha.

Si qershia mbi tortë spektakli kishte nevojë të mbyllej me një këngë shkodrane, të cilën askush më mirë nuk mund ta realizonte se sa këngëtari i mrekullueshëm Bujar Qamili, i cili me zërin e tij sikur u kujtonte bashkëqytetarëve të vet se në këtë skenë çdo vit do të vijnë 10 e më shumë më të mirë, të cilët, jo vetëm do të jenë më të mirët, por gjithmonë vit pas viti do të jenë më të mirët e më të mirëve.

Kjo është Shkodra, që kurrë nuk i mungojnë më të mirët.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *