Kontrata 3-mujore, infermierët që do zgjedhin të parët vendin e punës

Pranvera Kola
friendly nurse visiting recovering senior patient

Kur ka mbetur edhe pak nga mbyllja e aplikimeve, autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë kanë kërkuar nga infermierët që janë në kërkim të një vendi pune, që të mos neglizhojnë aplikimin online në portal. Në të kundërt nuk mund të konkurojnë për asnjë vend të lirë pune në spitalet, poliklinikat, apo qendrat e tjera mjekësore të vendit.

Data 1 shkurt është përcaktuar si afati i fundit i lënë në dispozicion të të gjithë kandidatëve që duan të punësohen nëpërmjet portalit www.infermierpershqiperine.al. Brenda kësaj date, secili kandidat duhet të ketë dorëzuar edhe dosjen e kërkuar të dokumenteve pranë dikasterit të Shëndetësisë, për të vijuar më pas fazën e dytë të konkurimit që do të jetë testimi me shkrim.

 Afatet për dy fazat e konkurimit

Aplikimi mund të kryhet për vendet e lira në bazë qarku. Pra ju mund të aplikoni për të gjitha vendet e lira në qark për pozicionet e punës në qendra shëndetësore, apo në spitale. Pas aplikimit bëhet vlerësimi i dosjes dhe kandidatët që e kalojnë këtë fazë të parë, njoftohen për testimin me shkrim. Në mbyllje të fazës së aplikimeve pritet që të bëhet publike edhe data konkrete se kur do të zhvillohet testimi me shkrim për të gjitha qarqet.

Testimi do të ketë dy pjesë: “Pyetje rreth bazës ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor, çështjet që lidhen me etikën dhe komunikimin e infermierëve dhe që vlerësohet në total me 20 pikë, si dhe pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe specialiteteve përkatëse që vlerësohen me 50 pikë”.

Do të jetë Ministria e Shëndetësisë institucioni përgjegjës që do administrojë dhe monitorojë procesin e testimit të kandidatëve për profesionistët e shkencave teknike mjekësore në institucionet shëndetësore publike në bashkëpunim me Komisionet e Vlerësimit të ngritura prej saj dhe institucionet shëndetësore ku janë ngritur qendrat e testimi.

Përzgjedhja e vendeve të punës

Pas testimit, pikët e grumbulluara për secilin aplikant shpallen online dhe fituesit lajmërohen për të ndjekur procedurën për punësim sipas renditjes në listën e shpallur për çdo qark. Në bazë të renditjes së shpallur kush merr më shumë pikë do të ketë mundësinë e zgjedhjes i pari për punësim në shërbimet e kujdesit parësor dhe atij spitalor. Gjithçka do të zhvillohet në bazë të qarku.

Në rastet kur dy kandidatë kanë rezultuar të jenë me pikë të barabarta përparësi do t’i jepet vlerësimit të certifikatave të pjesëmarrjes në aktivitetet e edukimit në vazhdim të ndjekura brenda dhe jashtë vendit, si dhe fotokopjes së noterizuar të dëshmive të kualifikimeve shkencore që kandidatët kanë vlerësuar gjatë fazës së aplikimeve.

“Pasi verifikohen listat e detajuara për çdo qark, komisioni fton të parët në përzgjedhjen e vendeve të lira të punës kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta në të dy fazat e testimit. Në rast të mosplotësimit të vendeve të lira të punës në një qark të caktuar ky vend vakant i ofrohet kandidatëve të qarqeve të tjerë, duke filluar nga kandidati që ka më shumë pikë, pavarësisht qarkut se ku ai ka konkurruar, por duke ju përmbajtur kategorisë në të cilën edhe ka aplikuar. Kandidati ka të drejtë të refuzojë deri në 3 vende punë në bazë të rezultatit të pikëve që ka. Kandidati emërohet nga drejtori i institucionit shëndetësor me kontratë individuale pune me afat tre mujor si periudhë prove”, saktësohet në rregulloren e zbardhur nga dikasteri i shëndetësisë.

Pas përfundimit të kësaj kontrate, drejtori i institucionit shëndetësor vlerëson punën e bërë nga infermieri dhe vendos nëse do të lidhë më tej  me këtë profesionist kontratën me afat të pacaktuar. /p.k/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *