Kalimi te Levante, Sadiku: Hap i rëndësishëm për karrierën time

DITA Online

 

Armando Sadiku ka bërë deklaratën e tij të parë si futbollist i Levantes.

Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit spanjoll, sulmuesi 26-vjeçar i përfaqësueses shqiptare ka shprehur kënaqësinë e tij për mundësinë që Levante i dha për të luajtur në një kampionat elitar si La Liga.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Shokët e mi të skuadrës janë djem vërtet të mirë dhe më ndihmuan shumë në stërvitjen time të parë me skuadrën. Për mua është një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time. Jam shumë i lumtur për mundësinë që Levante më dha për të luajtur në La Liga. I kam ndjekur disa ndeshje të Levantes dhe besoj se mund të bëjmë shumë gjëra të mira së bashku”, tha Armando Sadiku, futbollist i Levantes.

Te Levante, Sadiku do të luajë së bashku me Enis Bardhin, futbollist shqiptar nga Maqedonia.

“Është një djalë shumë i mirë, me të cilin flas shqip dhe mund të më ndihmojë shumë këto ditë të para këtu. Një përshëndetje edhe për të gjithë tifozët tanë dhe Forca Levante”, deklaroi Sadiku.

Armando Sadiku është pjesë e rëndësishme e kombëtares së Shqipërisë.

Ai debutoi me përfaqësuesen shqiptare gjatë qëndrimit të Gianni De Biasit në stolin e “Shqiponjave Kuqezi” në një duel kundër Gjeorgjisë. Sadiku mori pjesë në finalet e “Euro 2016”, në Francë.

Ai shënoi në ndeshjen kundër Rumanisë (1-0).

Urimet e para, pas zyrtarizimit, që e ka bërë në faqen e vet edhe klubi spanjoll i La Liga-s, Sadiku i ka marrë nga Tramezzani dhe De Biasi, nën drejtimin e të cilëve pati një hop cilësor me fanellën kuqezi.

Levante, skuadra e re e shqiptarit, aktualisht ndodhet në vendin e 16-të të La Liga-s, pas 21 javësh kampionat, në kufirin e zonës së mbijetesës.

Interesant është fakti se ndeshja e radhës për Sadikun dhe skuadrën e tij të re do të luhet kundër gjigantëve spanjollë dhe europianë, Real Madridit, më 3 shkurt, në orën 20:45.

Mbetet të shihet nëse sulmuesi shqiptar do të përfshihet në lojë, qoftë edhe me minutazh të reduktuar, pasi koha në dispozicion për t’u përshtatur është e vogël.

a.s/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *