Një ditë pas mbylljes së afateve për vetëdeklarimin e lidhjeve të paligjshme të ujit, Task-Forca e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka zbarkuar sot në terren, për identifikimin e rasteve abuzive.
Autoritetet e Bashkisë bëjnë me dije se aksioni i nisur për verifikimin dhe ndërprerjen e të gjitha rasteve të lidhjeve të paligjshme nga bizneset bëhet me synim përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në kryeqytet.
Tetë grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në zonën e Astirit dhe të Dajtit. Në zonën e Dajtit, u bënë 15 verifikime të hollësishme në biznese të dyshuara për lidhje të paligjshme, si dhe 10 të tjera në zonën e Astirit.
Nga kontrolli rezultuan katër raste të abuzimit me ujin e pijshëm, ku për një rast është kryer edhe shoqërimi i shkelësve. Gjithashtu, në dy linjat kryesore të transmetimit, ajo dn 700 dhe dn 1000, që dalin nga impianti i Bovillës, u konstatuan gjithsej 14 lidhje të paligjshme.
Aktualisht procesi i verifikimit të lidhjeve të paligjshme në këto tubacione po vijon ende. Ndërkohë, afati për vendosjen e lidhjeve të ligjshme dhe me kontratë më UKT është zgjatur deri më 28 shkurt vetëm për konsumatorët familjarë. p.k/dita
