Simptomat dalluese ndërmjet rrufës dhe gripit

Pranvera Kola

Rrufa dhe gripi janë dy ndër infeksionet virale më të shpeshta që shfaqen gjatë kësaj stine, të cilat nëse nuk marrin kujdesin e duhur në kohë, mund të shoqërohen me ndërlikime të shumta. Pavarësisht shenjave specifike, në pjesën dërrmuese të rasteve diferencat ndërmjet rrufës dhe gripit janë të pakapshme nga pacienti, çka bën që edhe trajtimet e ndjekura të mos jenë të duhurat.

Bluzat e bardha të Institutit të Shëndetit Publik, sqarojnë se është shumë e rëndësishme që të bëhen dallimet ndërmjet gripit dhe rrufës, pasi nuk janë të pakta rastet e pacientëve që paraqiten në urgjenca me ndërlikime, kjo për shkak të ndjekjes së praktikave të gabuara të vetëtrajtimit të këtyre gjendjeve në kushtet e shtëpisë, apo përdorimit të medikamenteve pa asnjë rekomandim mjekësor.

Duke iu rikthyer shenjave dalluese, temperatura është një ndër simptomat që duhet t’i kushtoni më shumë rëndësi. Kur bëhet fjala për rrufë, shfaqja e temperaturës është mjaft e rrallë. Ndryshe ndodh me gripin, që në pjesën dërrmuese të rasteve shoqërohet me temperaturë të lartë (37-38 gradë celsius), gjendje e cila mund të zgjasë 3-4 ditë.

Një tjetër shenjë dalluese ndërmjet këtyre dy infeksioneve virale është edhe prania e dhimbjeve të kokës. Duhet të dini se në rastet e gripit dhimbjet e kokës janë të pranishme dhe me kalimin e ditëve bëhen gjithnjë e më të forta. Ndërsa në rastin kur prekeni nga rrufa shfaqja e dhimbjes së kokës mund të jetë një fenomen i rrallë.

Gjithashtu edhe dhimbjet e muskujve mund të diferencojnë këto dy gjendje. Kur kemi të bëjmë me grip përballemi me dhimbje më të forta muskujsh, të cilat mund të kalojnë edhe në stade të rënda. Ndërsa në rastin e rrufës, dhimbjet e muskujve janë të lehta, shpesh herë edhe të papërfillshme.

Pacientët e prekur nga gripi ndjehen përgjatë gjithë kohës të lodhur dhe të dobët, gjendje kjo që mund të zgjasë deri në 2 apo 3 javë. Kjo simptomë nuk është pranishme kur bëhet fjala për rastin e rrufës.

Rraskapitja është një tjetër simptomë mjaft e shpeshtë që shfaqet në rastet e gripit, ndërsa tek rrufa nuk para ndodh që të ndihemi të rraskapitur.

Një tjetër shenjë dalluese ndërmjet gripit dhe rrufës është edhe bllokimi i hundëve. Sipas bluzave të bardha, kur kemi të bëjmë me rrufë, pacientët ankohen shpesh për hundë të bllokuara dhe rrjedhje të tyre, gjë që tek rastet me grip mund të ndodhë shumë më rrallë.

Dhimbjet e fytit janë të pranishme në të dyja rastet dhe bëhen mjaft të dukshme. Po ashtu edhe kolla mund të jetë e pranishme në të dy rastet, por kur bëhet fjalë për grip, kolla mund të jetë shumë e rëndë dhe e shpeshtë, teksa në rastet me rrufë është më pak e pranishme.

Rrufa

Rrufa përshkruhet si një infeksion viral, që karakterizohet nga bllokimi i hundëve, si dhe shtim të sekrecioneve të tyre, teshtima të shumta, djegie të fytit dhe të kraharorit, si edhe një diskomfort i përgjithshëm i organizmit. Në përgjithësi rastet e rrufës nuk shoqërohen me shfaqjen e temperaturave të larta.

Gripi

Gripi është një infeksion viral akut shkaktuar nga virusi i gripit, i cili përhapet lehtë nëpërmjet spërklave, teshtimave, kollitjes, si dhe gjatë bisedimit. Më rrallë një individ mund infektohet me virusin e gripit duke prekur objekte të ndotura me këtë virus dhe pastaj të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *