Temperatura përtej vlerave normale nuk është sëmundje, është një shenjë që tregon që një infeksion viral ka filluar. Temperatura është shenja e parë e sëmundjeve të ndryshme, të cilat mund të variojnë nga një infeksion i lehtë, ose si shenjë e sëmundjeve që rrezikojnë jetën.
Ermira Kola, shefe e Shërbimit të Reanimacionit Pediatrik, lidhur me prezencën e temperaturës thekson se: temperaturat e larta dhe mosrënia e temperaturës nuk janë tregues që lidhen me prognozën e sëmundjes, pra nuk lidhen me gjendje të rënda të fëmijës. Temperatura mund të jetë shumë e lartë në një infeksion të lehtë dhe mund të jetë jo shumë e lartë në një sëmundje të rëndë.
Mjekja thekson se temperatura në fëmijët e vegjël, shpesh herë është fobi për prindërit, të cilët tentojnë në çdo mënyrë për ta ulur sa me shpejt atë, në shifra normale. “Në fakt, ndonëse duket paradoksale temperatura është skalioni i parë mbrojtës i trupit kundër viruseve dhe baktereve shkaktarë të infeksionit. Temperatura është mekanizëm mbrojtës, që do të thotë që nëse ne e lëmë fëmijën me temperaturë, mekanizmat mbrojtëse të fëmijës do të aktivizohen mjaft mirë dhe mjaft shpejt, duke ndikuar në ecurinë e mirë të sëmundjes. Fobia e prindërve ndaj temperaturës dhe abuzimi me dhënien shpesh dhe me doza të larta të medikamenteve ulëse të temperaturës, janë të dëmshme për fëmijën”, vë në dukje mjekja.
Sipas saj, fillimisht, që të realizohet transmetimi i temperaturës nga trupi, jashtë tij, duhet të bëhet heqja e rrobave, të mbahet vetëm me pelena. Të jepen lëngje shpesh e nga pak. Rekomandohen banja me ujë të vakët, kompresat nuk kanë vlerë. Të përdoren ulës të temperaturës, si: algofen, paracetamol, etj, qoftë në formë shurupi, ose suposti. E rëndësishme është që dhënia e tyre të jepet në shifra të temperaturës mbi 38.5 gradë celsius dhe jo më shpesh se 4 ose 6 orë. Kujdes, aspirina nuk duhet të jepet në moshat fëminore.
p.k/dita
