Nga Moikom Zeqo
1 –
Ti efemera ime (e imja?),
Vetëm një çast të putha dhe e kuptova
Se emri yt s’ishte pavdekësia,
Vetëm një çast
Dhe ti ishe e tëra ky çast !
E ç’është një kometë e panjohur,
Që duke dashur të shkëputet nga e panjohura
Bëhet e njohur,
Por prap’ ikën
Tek e panjohura!
Një kometë,
Që përplaset në polin e dashurive tona,
Bjen, thërmohet
E shpërthen në shira mirazhesh –
Ishte dhe s’është më!
Eja, eja, eja!
Herë toka do të zhveshë stinët
Në garderobën e muzgut,
Herë unë
Në gjendjen time ambivalente dhe kaotike
S’jam unë siç isha në fillim
Kur vjen vjeshta e moshës.
A s’janë pranvera dhe vjeshta
Si pozitivi dhe negativi
I së njejtës fotografi ?
Ti ikën, ikën. Ti mbase s’kishe ardhur,
Ndaj s’kishe dhe si të ikje!
Se nëqoftëse në të vërtetë s’erdhe tek unë
Çdo ikje s’ka kuptim!
Durrës 2 korrik 1971
2 –
Hapësira e vjeshtës rri e mbështetur
Mbi bryla vigane shkëmbenjsh!
Gjithë bota ka rënë në mendime për ty!
Vetëtimat shkrepin, zhduken
Si metafora të guximshme poetësh!
Gjithçka është mendimi im dhe i botës për ty!
Shkodër e hënë 15 nëntor 1971
3-
Në xhamin e urbanit
Pikat e shiut shkasin si mornica të kaltra
Urbani vjen nga periferia në qendër
Ti je mbështetur tek unë
Por jo si gjithmonë e dashur.
Jam i shqetësuar. Parandiej diçka.
S’dua që ditët e ardhshme
Të shkasin në trupin e dashurisë si mornica
S’dua që fytyrat tona
Të mjegullohen si xhamat e urbanit në ngrica!
Shkodër, e hënë, nëntor 1971
4-
Unë ta putha fytyrën tënde të bukur
Por kjo s’ishte dashuri!
Duart e mia u pleksën mbi flokët e tua,
Ti kërkoje me ngulm të të pushtoja,
Por kjo s’ishte dashuri!
Kur u ngritëm
Me epshin e shuar
Pashë sytë e tu me një shkëlqim s’di se si.
Jo kjo s’ishte dashuri !
Shkodër, nëntor 1971
*****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

E respektoj erudicionin, kontributin e madh ne shkence dhe patriotizmin e profesor Moikomit! Por, e mira eshte te mos merret me poezi, sepse i ka hermetike, te papertyepshme, sikur te futen gozhdo mes dhembeve.
Sherim te shpejte!
Poezia e mire nuk lexohet,sic mund te besh me kete me siper,e cila vjen si nje perzierje midis prozes dhe vjershes,si kjo me siper),poezi e vertete vec ndjehet.
Ndjenja eruptive e angushtise, vjen dhe te merre frymen,per krijesen efemere,me te cilen je ndare apo qe eshte larg per momentin,sic e perjeton tek vargu i Kadarese:
Ca pika shiu,rane mbi qelq
Dhe une per ty,se cndjeva mall