Pranvera Kola-DITA
E ndërsa maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2018, edhe universitetet nga ana tjetër kanë miratuar kriteret që do të zbatojnë për përzgjedhjen e fituesve të rinj që do të pranojnë përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019.
Nota mesatare e studimeve të shkollës së mesme, si dhe mesatarja e lëndëve preferenciale, janë dy
kriteret vendimtare që do të zbatohen për shpalljen e fituesve të rinj përgjatë garës së 2018-s. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara kriteret e miratuara për të gjitha programet e studimit në të 6 fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës. Programet e studimit në këtë universitet rezultojnë të jenë ndër më të preferuarat nga maturantët.
Kriteret për pranimet e reja në Fakultetin Ekonomik
Shpallja e fituesve në të gjitha degët e studimeve të Fakultetit Ekonomik do të përcaktohet nga dy kritere. Kriteri i parë është vlerësimi nëpërmjet mesatares së gjimnazit. Nota mesatare e shkollës së mesme për të gjitha vitet, përfshirë dhe provimet e maturës shtetërore ( e cila do llogaritet si mesatare e thjeshtë), vlerësohet me 50 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve.
Ndërsa kriteri tjetër që vlerësohet po me të njëjtën peshë, është mesatarja e lëndëve prioritet. Konkretisht, sa i takon këtij treguesi, bëhet e ditur se nota mesatare e gruplëndëve (për të gjithë vitet gjatë të cilave shtrihen lëndët, përfshirë notat e maturës shtetërore) vlerësohet me 50 për qind, e cila ndahet sipas këtyre lëndëve:
“matematikë 15 për qind, ekonomi 15 për qind, fizikë 10 për qind, si dhe gjuhë e huaj 10 për qind”.
Kriteret për fituesit në Fakultetin e Drejtësisë
Edhe ky fakultet ka përcaktuar dy kriteret bazë që do të zbatohen për vitin e ri akademik sa i takon përzgjedhjes së fituesve të rinj. Vlerësimi do të bëhet nëpërmjet pikëve të siguruara nga nota mesatare e përgjithshme (mesatare e thjeshtë), e cila përbëhet nga nota mesatare e të gjithë viteve të shkollës së mesme (përfshirë edhe notat e provimeve të maturës shtetërore).
Nga ky kriter maturanti do të fitojë 50 për qind të pikëve të rezultatit final. Kriteri i dytë ka të bëjë me mesataren e lëndëve prioritet nga të cilat gjithashtu maturanti do të sigurojë 50 për qind të pikëve. Lëndët e përcaktuara si prioritet për degën e Drejtësisë janë: gjuhë dhe letërsi shqipe, histori, qytetari, ekonomi, si dhe gjuhë e huaj (e parë). Secila për këtyre lëndëve preferenciale vlerësohet me 10 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve.
Kriteret për fituesit në degët e Fakultetit të Histori-Filologjisë
Ndryshe nga dy fakultetet e përmendura më lart, për të vijuar studimet e larta në degët e këtij fakulteti, maturantët do të vlerësohen nga mesatarja e shkollës së mesme dhe ajo e provimeve të maturës. Konkretisht, për programet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë do të vlerësohet me 80 për qind të rezultatit përfundimtar mesatarja aritmetike e tre viteve të studimit të shkollës së mesme. Ndërsa do të vlerësohet me 20 për qind të rezultatit përfundimtar mesatarja aritmetike e lëndëve të Maturës
Shtetërore. Çka do të thotë se rol vendimtar në shpalljen e fituesve do të luajë mesatarja e gjimnazit.
Kriteret për fituesit në degët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja
Sikundër ka ndodhur edhe përgjatë vitit të shkuar, shpallja e fituesve në programet e studimit të këtij

fakulteti do të përcaktohet vetëm nga mesatarja e gjimnazit. “Kriter pranimi do të jetë mesatarja e thjeshtë, e cila rezulton nga mbledhja aritmetike e notave të tre viteve dhe notave të marra në provimet e Maturës Shtetërore, pjesëtuar me numrin në total të notave të mbledhura’, saktësohet nga drejtuesit e këtij institucioni të arsimit të lartë.
Kriteret për fituesit tek Fakulteti i Shkencave Sociale
Fakulteti i Shkencave Sociale ka përcaktuar tre kritere që do të zbatohen për pranimet e reja të 2018-ës. Kriteri i parë është nota mesatare aritmetike e tri viteve të shkollimit, e cila përbën 50 për qind të vlerësimit.
Kriteri i dytë ka të bëjë me notën mesatare aritmetike të tri provimeve të maturës së detyrueshme ( gjuhë-letërsi, matematikë, gjuhë e huaj), kriter i cili vlerësohet me 40 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve. Ndërsa kriteri i tretë do të jetë vlerësimi i lëndëve të përcaktuara nga provimet me zgjedhje. Ky kriter ka 10 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve.
Lëndët e përcaktuara si prioritet janë: Qytetari, Sociologji, Filozofi, Psikologji, Histori, Gjeografi, Biologji, Ekonomi, Teknologji, si nga kurrikula bërthamë, ashtu edhe nga ajo e avancuar. Nëse maturanti jep dy provime me zgjedhje nga lista e këtij kriteri, tëherë llogaritja bëhet duke marrë notën mesatare të tyre.
Kriteret për Fakultetin e Shkencave të Natyrës
1 Mesatarja e thjeshtë aritmetike e përgjithshme që përbën 50 për qind të vlerësimit, e cila përbëhet 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë dhe 25 për qind nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
2. Nota mesatare e gruplëndëve 50 % e vlerësimit (kurrikula bërthamë).
Në gruplëndët përfshihen lëndët me përqindjet përkatëse:
Programi i studimit Biologji
Biologji 30%
Kimi 10%
Fizikë 5%
Matematikë 5%
Programi i studimit Bioteknologji
Biologji 20%
Kimi 10%
Fizikë 10%
Matematikë 10%
Programet e studimit Kimi; Kimi Industriale dhe Mjedisore; Kimi dhe Teknologji Ushqimore
Kimi 20%
Biologji 10%
Fizikë 10%
Matematikë 10%
Programi i studimit Matematikë
Nota mesatare e tri viteve të lëndës Matematikë 50%
Programi i studimit Fizikë
Fizikë 20%
Matematikë 20%
Kimi 5%
Biologji 5%
Programi i studimit Informatikë; Teknologji Informacioni dhe Komunikimi
Matematikë 25%
TIK 10%
Fizikë 10%
Biologji 5%
Programi i studimit Inxhinieri Matematike dhe Informatike
Matematikë 30%
Nota mesatare e matematikës në maturën shtetërore 20%.
Kriteret për fituesit në filialin e Sarandës
Kriteret e pranimit për të dy programet e studimit të Filialit Sarandë do të jenë të njëjtat me kriteret që do të kenë fakultetet bazë, që janë kushtet e miratuara për Fakultetin e Ekonomisë programi Administrim Biznesi, si dhe kriteret për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, programi gjuhë angleze.
p.k/dita
