Skënderbeu qëndron mbi kalë, fitore dhe kualifikim

redaktor

Skënderbeu mundi 1-0 Neftxhi Bakú dhe arriti kualifikimin e merituar në raundin e tretë eliminator në Champions League, ku do të ndeshet me Shahtjor Karaganda të Kazakistanit. Në një takim ku porta kundërshtare u bë tabelë qitjeje, është e vështirë të veçosh më të mirin, megjithatë heroi i minutave të fundit u bë nigeriani Nurudin Orelesi, autor i golit të fitores. Mesfushori gjuajti fort me të majtën në hyrje të zonës, topi u devijua nga një mbrojtës dhe tundi rrjetën. Ishte minuta e 117-të dhe koha nuk mjaftonte për azerët që të shënonin. Jo vetëm kaq, por ishin përsëri kampionët e Shqipërisë që mund të kishin shënuar me një kundërsulm të shpejtë, por Tomiç gaboi në pasim, në një kohë që katër fanella të kuqe prisnin para portës.

Takimi nisi i shpejtë për skuadrën vendase, me qarkullim të dendur të topit e me vështrim nga porta azere. Josa i përmbahet pikërisht asaj që kishte thënë në vigjilje të takimit: sulm, por pa aventurë, pasi një gol i pësuar do të ishte fatal. Korçarët luajnë mirë në krahë, Lika, Sefa e Tomiç vrapojnë pa fund, Orelesi tregon muskujt, ndërsa Shkëmbi klasin e zakonshëm në shpërndarjen e lojës. Azerët përpiqen të balancojnë dhe e ulin disi ritmin e Skënderbeut, por vetë nuk janë në gjendje të krijojnë asnjë rast me aksion. Rrezikojnë në fundin e pjesës së parë me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, e grushtuar me vështirësi nga Shehi. Ndërkaq, Skënderbeu kishte humbur një rast të mirë, kur Pejiç, me shpinë nga porta, përpiqet të stopojë një top të vështirë, kur Sefa kishte hapësirë të mjaftueshme për të gjuajtur fuqishëm. Pas pushimit, ritmi pëson rënie të dukshme. E pranishme është frika për të mos pësuar, sidomos nga ana e Skënderbeut, pasi për një gol të azerëve do të duhej të shënonte dy. Korçarët i lëshojnë terren kundërshtarit dhe Neftchi e qarkullon topin mirë, por deri në 25-30 metra larg portës. Më tej, mbrojtja nuk lejon më. Miqtë krijojnë një rast të rrezikshëm, çka e bën Josën të ndërhyjë, duke nxjerrë Likën, tepër pasiv krahasuar me pjesën e parë. Në lojë futet Morina, por situata nuk ndryshon, deri në minutat e fundit të takimit. Pejiç i ikën mbrojtjes në një kundërsulm të shpejtë, por pengohet nga prapa në mënyrë të parregullt. Karton i kuq i pastër, pasi ndaloi një rast të qartë goli! Shkëmbi kroson, grushton portieri, pa e larguar topin dhe aty Radas kërcen para kohe, e gjuan topin me kokë teksa është në rënie, duke e dërguar mbi tra. Një rast i shkëlqyer, që do të sillte kualifikimin dhe shmangien e shtesave. Kroati Pejiç humbet një tjetër rast ideal para porte, duke gjuajtur jashtë, ndërsa më vonë ngatërrohet me këmbët e tij në vend që të gjuante. Rastet vazhdojnë pa fund, azerët mendojnë vetëm për penalltitë, por ai që largon ankthin e 11-metërshave është Orelesi. Predhë nga jashtë zonës dhe kualifikim. Pas dy përpjekjeve të dështuara, Skënderbeu e sheh veten në turin e tretë eliminator!

 

 

Kundërshtari

 

Shahtjor Karaganda në turin e tretë

Skënderbeu do të ndeshet me kampionen e Kazakistanit, Shahtjor Karaganda. Shorti është plotësisht i kalueshëm, ndonëse nuk duhet marrë kurrsesi lehtë. Kazakët kanë shkaktuar një nga surprizat e turit të dytë, duke eliminuar BATE Borisov, me dy fitore 1-0.

 

7

Vjet pritje kishte Shqipëria për të parë kampionen e saj në turin e dytë eliminator në Champions League. Për herë të fundit ishte kualifikuar Tirana, më 2005.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *