Ka përfunduar raundi i 14-të i dialogut Kosovë Serbi pa asnjë marrëveshje. Siç njofton zyra e Përfaqësues së Lartë për Politik të të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, gjatë këtij raundi nuk është arritur marrëveshje për energji dhe telekom, por ka përparim të dukshëm rreth procesit zgjedhor të 3 nëntorit.
“Të dy kryeministrat kanë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet lokale që janë caktuar të mbahen më 3 nëntor. Ata janë pajtuar që të ndërmarrin të gjithë hapat konkret për tu siguruar që zgjedhjet të mbahen me pjesëmarrje të kënaqshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga kabineti i Baroneshës Catherine Ashton, dërguar mediave përmes postës elektronike.
Gjatë këtij dialogu është njoftuar se është diskutuar edhe implementimi i përgjithshëm i marrëveshjes së 19 prillit i cili duhet të vazhdojë “me të njëjtin intensitet për të mbajtur momentumin e mirë që është arritur deri më tash”.
Maja Kocijancic, zëdhënësja e baroneshës Ashton i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në këtë moment nuk ka ende një datë se kur do të jetë takimi i radhës”.
Thaçi pas takimit ka deklaruar se është arritur përparim i dukshëm kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokalë në Kosovë me qëllim që numër sa më i madh i serbëve të merr pjesë.
“Takimi ka kaluar në frymë konstruktive, mirëpo sa i përket telekomunikacionit dhe energjetikës nuk është arritur zgjidhje përfundimtare, por në ditët e ardhshme pritet që edhe disa gjëra te sqarohen”, ka thënë Thaçi, raporton Blic, transmeton orainfo. Tema të këtij takimi ishin telekomi, energjetika dhe zgjedhjet lokale në Kosovë. /Telegrafi/
