Sipas skemës së miratuar nga Qeveria një ditë më parë, universitetet do të financohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet granteve të përcaktuara sipas tre zërave kryesorë.
Konkretisht, bëhet fjalë për grantin e politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë, i cili do të jetë deri në 10 për qind të totalit të grantit vjetor. Granti i dytë është ai i mësimdhënies, që do të jetë jo më pak se 85 për qind e totalit të grantit vjetor, si dhe nga granti i punës kërkimore-shkencore dhe i veprimtarive krijuese, i cili llogaritet të jetë në masën 5 deri në 10 për qind.
Fondet e përcaktuara për grantin e mësimdhënies përfshijnë fondin për institucionet publike të arsimit të lartë që do të jenë në masën 90 për qind, si dhe fondin e mbështetjes studentore deri në masën 10 për qind në vit që do të jepet në formën e bursave. Tre janë kategoritë që do të mund të përfitojnë bursë nga shteti për vijimin e studimeve të larta në universitetet publike të vendit.
Bursat për studentët e shkëlqyer
Bursat e studimit për studentët e shkëlqyer u jepen studentëve me notë mesatare maksimale në hyrje, në rang vendi, pavarësisht nga programi i studimit dhe institucioni në të cilin ata kanë zgjedhur të ndjekin studimet. Studenti vazhdon të përfitojë nga ky grant nëse rezultatet e tij, gjatë të gjitha viteve të studimit vazhdojnë të jenë të shkëlqyera.
Bursat për ndjekjen e degëve prioritet
Bursat e studimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit në institucione publike të arsimit të lartë, që përbëjnë prioritet kombëtar, iu shpërndahen studentëve që studiojnë në fushat e përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave.
Bursat për shtresat në nevojë
Ndërsa bursat e studimit për studentët që u përkasin shtresave sociale në nevojë, iu shpërndahen studentëve që janë shpallur fitues në institucionet publike të arsimit të lartë dhe plotësojnë kriteret për t’u konsideruar si studentë në nevojë, të përcaktuar si të tillë, me vendim të Këshillit të Ministrave.
p.k/dita
