Halili: Ja çfarë dëshmova në gjyqin e gjeneralëve Balluku, Dume e Çako

anazapta
Gjeneralet Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako

Sapo kishin dalë në pah kontradiktat mes Gjeneralëve në krye të ushtrisë Shqiptare, në vitin 1974, është zhvilluar një analizë në Drejtorinë Politike të Ushtrisë (që më vonë Enver Hoxha e quajti “Komitet Qendror në Ushtri”), në të cilën ishte i deleguar Ramiz Alia… Sipas dëshmitarëve të kohës e dokumenteve të afruara, një qëndrim-porosi i Alisë, kur mbledhja mbaroi me konkluzionin “problemet nuk janë pa zgjidhje”, ndryshoi rrjedhën e gjërave… “Ramiz Alia, duke marr revistën ‘10 korriku’ të ushtrisë, ku në faqet e para ishin fotografitë e Ballukut, Dumes e Çakos, në një faqe secila, tha: Nuk është kaq e thjeshtë, ka kult gjeneralësh. Ndaj, problemi të rishikohet, të diskutohet në parti e të merren masa…’ Kaq u desh, nisën analizat në shkallë vendi e sollën tragjedinë”, pohon Hetem Halili, ish-Inspektor në Drejtorinë Politike të Ushtrisë…

 

 

Hetem Halili
Hetem Halili

Zoti Halili! Ju jeni ndër dëshmitarët e paktë të gjallë që keni dëshmuar në gjyqin kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, të akuzuar e pushkatuar si tradhtarë?

-Po. Unë kam dëshmuar në këtë gjyq, e dëshmive të asaj kohe, nuk u heq asnjë presje edhe sot. Unë në atë kohë (viti 1974), kam qenë inspektor në Drejtorinë Politike që nga Enver Hoxha e udhëheqësit e kohës, po ashtu dhe në gjyqin kundër gjeneralëve, u quajt si “Byro Politike në Ushtri”. Pra, mendoj se para hollësive për dëshminë time, është me rëndësi të shpjegoj çfarë ishte Drejtoria Politike e Ushtrisë dhe situatën në atë kohë…

 

Kush ishte Drejtoria Politike e Ushtrisë, ose siç u quajt pas dënimit të “grupit armiqësor në ushtri”, si “Komitet Qendror brenda ushtrisë”?

-Ajo ishte një drejtori e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si të gjitha drejtoritë e tjera. Varej nga Komiteti Qendror dhe Ministri, nga të cilët merrte porosi dhe jepte llogari para tyre. Detyra e saj ishte forcimi i rolit udhëheqës të partisë në ushtri dhe përpunimi politike ideologjik i kuadrove, ushtarëve dhe personelit civil që punonte në strukturat e Forcave të Armatosura.

Për këtë kishte programe të veçanta një vjeçare për ushtarët, ku përfshiheshin katër orë punë politike në javë. Po kështu, program të veçantë kishte dhe për oficerët të cilit bënin një herë në javë.

 

Kur u krijua dhe çfarë përfshihej në këto programe?

-Nga krijimi e deri në deri në vitin 1966, programet ishin unike dhe miratoheshin nga drejtoria Politike dhe miratoheshin nga titullari i këtij institucioni. Ndërsa pas vitit 1966, kur u krijuan Komitetet e Partisë, një pjesë të programit e bënte Drejtoria Politike, një pjesë tjetër e hartonin Komitetet e Partisë në njësi e reparte, deri dhe organizatat bazë të Partisë në terren. Kjo kishte të bënte me problematikën, detyrat që kishin njësitë e repartet, vendet ku i kryenin këto detyra, etj…

 

Koha, funksioni dhe detyra juaj në Drejtorinë Politike të Ushtrisë?

-Jam emëruar në këtë institucion në prill të vitit 1970 dhe jam larguar në dhjetor të vitit 1974… Drejtor ishte Hito Çako, zëvendës ishin Ziqiri Mero për Sektorin e Përgjithshëm dhe Ilo Prifti, për edukimin. Unë kryeja detyrën instruktor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike të Ushtrisë.

Godina e Ministrise se Mbrojtjes
Godina e Ministrise se Mbrojtjes

 

Si ishte organizimi dhe si funksiononte Drejtoria Politike, që në fakt drejtonte ushtrinë atë kohë?

-Kishte Sektorin e Përgjithshëm që merrej me të gjitha çështjet e partisë, organizative dhe edukative… Çdo korpus kishte një sektor me një përgjegjës. Ishin disa korpuse… Fillimisht, unë kisha korpusin e Gjirokastrës. Ishte Sektori i Edukimit, i cili hartonte programin e edukimit dhe zbatimin e tij. Merrej gjithashtu dhe me problemet kulturore në ushtri dhe shtypin ushtarak. Ishte dhe Dega e Rinisë. Kjo merrej e drejtonte jetën, aktivitetin dhe punën e rinis në ushtri… Ishte Sektori i kuadrit. Ky bënte politikën e kuadrit në ushtri, lëvizjet, emërimet… Nomenklatura ishte deri tek komandanti dhe komisari i Brigadës. Mbante lidhje me Komitetin Qendror të PPSH, bënte propozime në Komitetin Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë për emërtesën e këtij të fundit… Drejtor ishte Luto Haxhiu.

 

Cili ishte roli i komandantëve?

-Drejtoria Politike, nuk kishte fuqi të drejtonte komandat, pasi ato kishin eprorë ushtarak. Po nëpërmjet komisarit, që ishte anëtar i komandës dhe përgjigjej njëlloj si komandanti, kuptohet dhe roli i Drejtorisë Politike…

 

Ju jeni marrë dhe me informacionin në shkallë ushtrie?

Gjeneralet Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako
Gjeneralet Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako

-Vinin informacionet mujore, unë i studioja, bëja një përmbledhje, ja jepja dhe drejtorit, ndërsa kopja e parë e informacionit shkonte në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për informacionet që shkonin  lart në Komitetin Qendror, ishte një porosi e posaçme: Të mos ishin më shumë se tre faqe… Kujdesi ishte që mos e lodhnim shokun Enver.

 

Kush e dha këtë porosi?

-Porosinë e dha Hito Çako, por ishte e drejtuesve të lartë të Komitetit Qendror, pra e udhëheqësve të kohës… Por jo nga Enver Hoxha…

 

Kishte gjë tjetër kjo porosi, mos synonte që t’i fshihej diçka Enverit?

-Po. Tashmë kjo gjë duket më qartë tani, e jo vetëm për mua që i kam përjetuar nga afër ato ngjarje…

 

Si punohej me letrat anonime dhe a i fshihej gjë udhëheqjes?

-Deri në këtë kohë, pra deri në vitin 1970, nuk merreshin në analizë letra anomime, por me sa duket, Enveri e kuptoi dhe urdhëroi që të analizoheshin letrat anonime… Për t’i fshehur udhëheqjes siç pyesni ju, jo, nuk i fshihej. Një herë në javë kishte pritje drejtori, dy herë në javë zëvendës drejtori… Çdo ditë unë prisja në postbllok njerëzit dhe i sqaroja… Të tjerët, takonin drejtorin…

 

Keni punuar 4-5 vjet me Hito Çakon. Çmendim keni?

-Mendimi im është pozitiv. Ishte njeri punëtor, i përgatitur nga ana ushtarake, ishte i zgjuar, tregonte kujdes për njerëzit, por ishte harbut nga goja… Nuk ishte për punëtor partie… Ishte ushtarak i aftë.. Duke qenë i tillë, ai pak a shumë, futi një frymë komandimi në parti, gjë e cila binte në sy… Ky nuk është punëtor partie, është besnik, por është ushtarak… Bile, nuk donte të merrte vesh nga punët e Partisë…

 

Hito Çako, ishte një nga drejtuesit e ushtrisë, pjesëtar i ‘Grupit armiqësor’ e gjykimi partiak u bë tek ju. Kur u dënua çfarë thatë?

-Diçka, filloi më parë… Që në vitin 1971, u dënua një organizatë partie si “antiparti”. Ishte në sektorin e autotraktorëve. Erdhi ekip nga Komisioni Qendror i Partisë… Merreshin me thashetheme, u përpoqën të fusnin në konflikt Ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku me Shefin e Shtabit Petrit Dumen.

 

Ku ishte kjo organizatë?

-Në Ministrinë e Mbrojtjes…

 

Pra ku fillon lufta ndaj “Gjeneralëve” dhe nga mori shkas ky sulm?

-Fillon në Plenumin e 12 të KQPPSH, 1971-1972, pas fjalimit të Enver Hoxhës “Atdheu është i të gjithëve e duhet të mbrohet nga të gjithë”.

Se, shumë kuadro e sektorë të rëndësishëm të jetës civile, që ishin oficerë rezervistë në ushtri, ministritë, nisën të shmangeshin stërvitjeve ushtarake… Disa dolën hapur dhe thoshin që “nuk kemi kohë”, “nuk bëhet”, etj…

 

Kishte informacion Enveri nga ju, pra Drejtoria Politike?

-Po kishte. Dhe vuri detyra konkrete…

 

Pra që këtej nis sherri në krerët e Ministrisë së Mbrojtjes?

-Sigurisht që po. Në zbatim të detyrave të Plenumit, ministri Beqir Balluku, u ngarkua të bënte materialin… Ai ngarkoi Spiro Shalësin, Ernest Jakovën, etj… Punoi për gati 2 vjet, por nuk po nxirrnin gjë në dritë…

 

Është thënë që gjithçka që priu goditjen e gjeneralëve nisi në Drejtorinë Politike?

-Në mars të vitit 1973, Drejtoria Politike i bëri një raport Komitetit Qendror ku ngrinte probleme të mos funksionimit të drejtorive e sektorëve të ndryshëm në ushtri, që sipas saj, ishin të shumtë e ishte vështirë të koordinohej puna… Dhe bënte propozime përkatëse për masa e ndryshime… Materialin e bënë Halim Ramohito, Hito Çako, por e mbajtën tepër sekret… Ja çuan Enverit. Ai e ktheu bashkë me shënimet e detyrat përkatëse…

 

Çfarë përmbanin shënimet e Enver Hoxhës për këtë material?

-Esencialen. Ai, Enveri thoshte: Nuk janë çështje organizative, por më thellë. Dhe i vë detyrë Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos: Thërrisni të tre, Beqirin, Hiton dhe Petritin, shikoni situatën dhe zgjidheni…

 

Si u veprua konkretisht?

-U diskutua, u mendua se u arrit në konkluzionin e nevojshëm, dhe në fund kur ishin gati duke dalë, Petrit Dume thotë: Ne kemi mosmarrëveshje parimore me Ministrin…

 

Si vazhduan ngjarjet më pas?

Materiali u kthye përsëri. Alarm. Morën materialin që më pas u quajtën “Materialet e Zeza”.

 

Si ushtarak i lartë e specialist, për ju, ishte “i zi” ky material?

-Nuk kishte ndonjë gjë. U shpërnda tek komandantë komisarë korpusesh, drejtorët në ministri. Ju dha dhe Dilaver Poçit, drejtor për Ushtrinë, ose përgjegjës i sektorit Ushtarak në KQPPSH. Pas kësaj nis sherri mes krerëve të ushtrisë…

 

Më konkretisht për konfliktin mes gjeneralëve?

– Këtu, të gjithë punën, e drejtuan Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo.

Kur u diskutua ky problem për Beqir Ballukun, në organizatën e  Partisë të Drejtorisë politike të Ushtrisë, erdhi i deleguar Ramiz Alia. Unë isha prezent. Duhet thënë se grupi që bëri materialin, u quajtën “kalemxhinj” nga udhëheqja… Përkatësisht, kalemxhinj u quajtën Spiro Shalësi dhe Ernest Jakova.. Kur një nga shokët e Drejtorisë Politikë, Duro Shehu, përgjegjës i sektorit të statutit, përmendi përveç atyre dhe një të tretë, përkatësisht Hysen Burbajn, ndërhyri Ramiz Alia e tha: “Nga e nxore Hysen Burgajn? Si kalemxhi. Mos shtoni më shumë se sa janë thënë. Të jemi korrekt për këto gjëra”. Vazhduan diskutimet…

 

Ku ishte Hito Çako në këtë kohë?

-Ishte bërë zëvendësministër i Mbrojtjes, në vend të tij kishte ardhur Dilaver Poçi.

 

Çfarë u tha për Hito Çakon në analizë?

-U kritikua. Ramiz Alia bëri një vërejtje esenciale. Mori revistën “10 korriku” e tha “ja si e bëni propagandën”. Intervistoheshin vetëm Gjeneralët… Fotografitë e tyre të mëdha, një faqe e para, një e dyta, një e treta… Fotografitë e tjera ishin mikroskopike… Ramizi tha: “Kjo nuk është propagandë! Më të mëdhenj se Enver Hoxha e Mehmet Shehu jeni ju gjeneralët e ushtrisë”… Këtu mori kthesë analiza, rianalizat, që çuan në përcaktimin e “Grupit armiqësor në ushtri”…

 

Çfarë problemesh të tjera ngritën në këto analiza?

-Për librat e përkthyer nga rusishtja. Ishin përkthyer tre libra. I pari ishte libri “Psikologjia dhe Ushtari” i kolonelit anglez Coople. I dyti ishte një libër për shqiptarët, por në vend të heronjve të BS, ishin vënë emrat e shqiptarëve, kopje… Dhe një përkthim për rininë, për Komsomolin, i cili vetëm u përkthye, por nuk u shpërnda… Pra Ramizi tha, përcaktoi në analizë ‘Kultin e Gjeneralëve’?

 

Kush i botoi këto libra?

-I botoi Hito Çtako. E vërteta është se këto libra që po anatemoheshin, Hito ua dërgoi Enverit, Mehmetit, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë… Por ata, si në heshtje, thanë që “ne i kemi lexuar, por nuk e dinim që janë të përkthyer”.

 

Çfarë tha tjetër për librat Ramiz Alia?

-Po. Të ngrihet një grup pune, t’i studiojë, t’i analizojë, të informohet Komiteti Qendror dhe të merren masa… Kjo e thelloi dhe solli përçarjen e gjeneralëve… Në shtator, në fjalimin që mbajti Enver Hoxha, e quajti Hito Çakon “Revizionist i gjallë dhe recitivist”… Kështu vazhdoi puna deri në dënimin e gjeneralëve… U bënë diskutime në gjithë ushtrinë…

 

Cila ishte karakteristikë në këto analiza?

-Është fakt i dhimbshëm. Ushtarakët sulmuan njëri-tjetrin me shpresën për të mbajtur vetë sa më pak përgjegjësi… Por dihet, kjo nuk funksionoi…

 

 

(Vijon nesër)

 

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Enveri nuk mendonte as per lufte e as per paqe.Nuk mendonte per lufte qe kur e ktheu ushtrine ne nje turme bashibozuke me famekeqen Letra e Hapur e KQ e vitit 1966.Nuk mendonte per paqen sepse bente ham-ham c’do dite e c’do vit pas vitit 1960 duke share gjithe Boten.
    Enveri ishte antikomunist gjenetik dhe ai , per fatkeqesine jo vetem te komunisteve por per fatkeqesine e te gjithe popullit shqipetar,uzurpoi poziten qe nuk i takonte,kreun e Partise dhe e futi vendin nga aventura ne aventure.
    Njerezit e afte e me karakter Enveri i urrente,servilet langaraqe e idiote i lartesonte.
    Ketu e kane rrenjen krimet e ndyra te Enverit ndaj ushtarakeve.Dhe,zaten,jo vetem ndaj ushtarakeve!!!!

  • enveri e nxori shqiperine nga eresira ne drite kurse kta pseudo demokratet na cuan ne varferi dhe armiqesi njari me tjetrin

  • Deri tani nuk ka dale ndonje gje esenciale per denimin e TRESHES se MBROJTJES me PUSHKATIM .
    Lufta qe beri ENVERI per mua ka qene e mire kalkuluar .
    Filloi dhe vrau ata qe e shpetuan ne lufte ,me pas 3 leberit ,dhe me ne fund i hapi rrugen BOSHNJAKUT RAMIZ ALIA ,edhe ky per mendimin tim i infiltruar ne radhe te pare nga U.D.B-ja dhe me vone ,pse jo dhe nga C.I.A.
    RAMIZI e vazhdoi vepren me SALI BERISHEN deri ne 2013 dhe besoj qe te jete fundi per nje vend qe beri nje staniacion TE MADH POST DIKTATURE per me se 23 VJET !

  • kjo eshte dora e ramis alese qellimi dhe detyre e tij te dobesonte ushtrine ti ulte moralin qe me vone te kishte rugen e hapur per te vajtur tek mehmet shehu ramis alia ishte agjent jugosllav keto detyra tani i ben berisha me amamin duke e lene ushtrine vetem me hubje gardhi dhe duke larguar ushtaraket me te mire a nuk eshte e njejta gje a nuk ashte e njejta politike berisha eshte serb

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *