Historia e trazuar përmes mureve të pjerrëta që ndan më dysh Greqinë
Më 25 korrik të vitit 1893 u përurua Kanali i Korinthit në Greqi. Që nga ajo kohë ai nuk ka ndryshuar shumë: është i gjatë 6.3 km dhe i gjerë pak më shumë se 25 metra. Ndan më dysh gjirin me të njëjtin emër duke lidhur detin Jon me atë Egje dhe shmang rrethrrotullimin e Peleponezit. Kanali është shumë i ngushtë dhe shumë pak i thellë (vetëm 8 metra) për anijet e mëdha tregtare dhe përdoret kryesisht për trafikun turistik.
Historia
Ideja për ta ndarë më dysh gjirin e Korinthit dhe për t’u kursyer anijeve 700 km lundrim rreth Peleponezit është antike. Tentativa e parë, gjysmë legjendare i takon shekullit të VI para Krishtit. Sipas rrëfenjës, Periandri, tirani i Korinthit, projektoi ta priste rripin e tokës, por u shkurajua nga profecia e një orakulli. Në vend të kësaj, ai ndërtoi një rrugë që lidhte të dyja anët e gjirit dhe mbi të cilën, për shekuj të tërë skllevërit tërhiqnin anijet që duhej të kalonin në anën tjetër.
Një tentativë të dytë u bë disa shekuj më vonë, kur mbreti i Maqedonisë, Demetrio Poliorcetes, një prej sovranëve të shumtë të mbërritur në pushtet pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, thirri disa teknikë nga Egjipti për të studiuar operacionin. Edhe tentativa e tij nuk u vu kurrë në provë nga frika se mos ndryshimi në lartësi midis deteve Jon dhe Egje mund të fundoste gjithë bregdetin.
Disa shekuj pasi Greqia kaloi nën dominimin e Romës dhe perandorë të ndryshëm ndërmorën idenë për ta ndarë më dysh gjirin, Neroni ishte ai që e çoi përpara projektin (mbetjet e skllevërve të tij u gjetën në fund të 1800-s, kur nisën punimet për kanalin). Neroni u detyrua të ndërpriste gërmimet për t’u kthyer në Romë pas një rebelimi që kishte shpërthyer atje. Pak kohë më vonë, vrasja e tij bëri që të harrohej projekti. Një përpjekje e fundit u bë nga Republika e Venecias, që në shekullin e shtatëmbëdhjetë kontrollonte të gjithë Peleponezin (në atë epokë quhej Morea). Por edhe atëherë pengesat teknike bënë që projekti të mos realizohej.
Në fillim të 1800-s Greqia mori pavarësinë nga perandoria otomane. Në 1830-n, qeveria e re greke nisi gërmimet për kanalin, por u bllokuan kur inxhenierët francezë prezantuan një projekt me kosto shumë më të lartë sesa kapaciteti i shpenzimeve të vendit. Një shoqëri e re greke i vijoi ato dhe brenda tri vitesh i përfundoi. Më 25 korrik të vitit 1893, kanali u përurua para mbretit. Bëhej fjalë për një gjest simbolik, meqë kanali nuk mund të hapej ende për lundrim. Muret e larta deri në 90 metra ishin të paqëndrueshme në shumë pika: dridhjet e shkaktuara nga kalimi i shumë anijeve shkaktonin rrëzimin e gurëve. Vetëm në nëntor, pasi pjesë të ndryshme të kanalit u siguruan, u bë e mundur hapja për trafikun tregtar.
Kanali sot
Kanali i Korinthit është shumë i ndryshëm nga kanalet e tjera të famshme si ai i Panamasë apo Suezit. Natyrisht është më i shkurtër dhe më i ngushtë për të lejuar kalimin e pjesës më të madhe të anijeve. Sot trafiku përgjatë kanalit është i kufizuar ekskluzivisht për tragetet e vogla turistike.
Karakteristika tjetër e kanalit, që e ka bërë një atraksion mjaft popullor, janë muret e tij që janë të gërmuara thuajse vertikalisht me një kënd 80 gradë. Këto mure kaq të larta dhe të pjerrta kanë përbërë gjithmonë një prej problemeve të tij, që veç të tjerash shtrihet në një zonë sizmike. Rëniet e mureve janë mjaft të zakonta dhe shpesh kanali duhet të mbyllet për punime pastrimi, siç ndodhi herën e fundit në vitin 2006./D. Gjuzi


E NXE SALIUN KY KANAL…SE DO TE VIJE TA BEJE ME NOT KALIMIN..