Geoffrey Kondogbia po shkëlqen me Valencia-n dhe është shumë i kënaqur me atë që po bën në Spanjë.
Spikati fillimisht në Francë te Monaco dhe më pas pati një ankand për shërbimet e tij.
Milani dhe Interi dueluan për shërbimet e tij dhe në fund zikaltrit ishin ata që paguan më shumë dhe e morën.
Në Milano nuk dha asgjë nga se pritej dhe u huazua në Spanjë te Valencia.
Aty ka gjetur veten dhe është i lumtur, por jo vetëm kaq, ai është i gatshëm të paguajë klauzolën për të marrë kartonin e tij nga skuadra italiane.
“Te Interi problemi i vërtetë është çekuilibrimi. Është pak ambient kaotik, pasi në 2 vitet e fundit kanë ndërruar 4-5 trajnerë dhe shumë lojtarë. Këto lloj situatash janë të vështira për t’u shprehur, aq më tepër kur je një lojtar i ri dhe ke nevojë për mbështetje dhe vazhdimësi.
Një klub ka nevojë për vazhdimësi, edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë në fillim, pasi pavarësisht kualitetit, është e vështirë të shkosh përpara, nëse ndërron vazhdimisht. Unë jam shumë i lumtur te Valencia dhe po punoj shumë për të merituar qëndrimin këtu, pasi dua të luaj gjatë për këtë skuadër. Jam i lumtur këtu dhe jam gati të paguaj nga xhepi klauzolën për kartonin tim”, u shpreh Kondogbia.
Këto deklarata vijnë vetëm pak orë pasi në mediat spanjolle po qarkullonte lajmi se Valencia nuk ka para për të paguar kartonin e francezit dhe ai do të duhet të kthehet te Interi në fund të sezonit.
Valencia duhet të paguajë 25 milionë euro për ta blerë Kondobian.
Zor që mesfushori ta paguajë vetë këtë shumë, por mungesa totale e dëshirës për t’u kthyer tek Interi është qartë.
a.s/dita
