Gjeneza intelektuale e “Kartës së Adriatikut”

anazapta

Shumëkush ka dëgjuar për “Kartën e Adriatikut”, por askush deri më sot, madje as vetë zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar në gjysmën e parë të viteve 2000, nuk i kanë mësuaj detajet mbi historinë e formulimit të këtij dokumenti të rëndësishëm që mundësoi disa vjet më vonë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më poshtë unë shpjegoj për herë të parë si lindi ideja e “Kartës së Adriatikut” dhe si nisi realisht në Uashington përpjekja për hartimin e këtij dokumenti dhe nënshkrimin e tij.

Vetëm dy muaj pas Samitit të Pragës, në Uashington, madje pikërisht në selinë e Ambasadës së Shqipërisë atje, nisi të materializohej për të parën herë ideja për krijimin e “Kartës së Adriatikut”, si një instrument që do të formalizonte dhe zgjeronte marrëdhëniet politike dhe ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk morën ftesë në Pragë (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Mbi ngjarjen që çoi materializimin e kësaj ideje do të lexonin në vijim të këtyre kujtimeve. Këtu dëshiroj t’i prezantoj publikut shqiptar një individ si Bruce Jackson, me të cilin Tirana zyrtare, veçanërisht kryeministri Nano, zëvendëskryeministri Meta, ministri i Mbrojtjes Majko dhe ministri i Jashtëm Islami u njohën nga afër në vitet 2002-2005. Ai dhe dy ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, Paige Reefe dhe Randy Schuneman (të cilët, në vitet 2003-2005 lobuan në Uashington për anëtarësimin në NATO respektivisht të Shqipërisë dhe të Maqedonisë) kishin menduar, në fakt, qysh para Samitit të Pragës, të ndërmerrnin një lëvizje të re për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me tre vendet e mbetura jashtë saj nga Grupi Vilnius.

 

 

“Memorandumi Jackson”

Më 11 nëntor të atij viti, Bruce Jackson u kishte dërguar Këshilltares së Presidentit Bush për Çështjet e Sigurimit Kombëtar, Kondoleeza Rice, ambasadorit Dan Fried dhe NënSekretarit të Shtetit, Mark Grossman, një memorandum, subjekti i të cilit ishte “The Adriatic Charter”. Një kopje të këtij dokumenti, i cili ishte dhe mbeti për një kohë tepër konfidencial, Jackson ma dha mua në fillim të janarit 2003. Qëllimi i atij memorandumi, siç formulohej në paragrafin e parë, ishte që të analizonte agjendën “post-Pragë” të Adminstratës amerikane lidhur me Ballkanin Perëndimor dhe t’i sugjerohej Shtëpisë së Bardhë që politika e Shteteve të Bashkuara në Europën Juglindore të avancohej më tej, duke krijuar një mekanizëm për përshpejtimin e ndryshimeve demokratike në këtë rajon. Në të argumentohej dhe, për herë të parë, formulohej pikëpamja se ekzsitonin “mundësitë për të koordinuar përpjekjet integruese rajonale dhe euro-atlantike të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në kuadrin e një “Karte të Adriatikut”.

Në memorandumin e z. Jackson theksohej se vendimi që do të merrej dhjetë ditë më vonë në Samitin e Pragës për të ftuar shtatë vende të grupit Vilnius të anëtarësoheshin në NATO rrezikonte t’i izolonte tri ndër demokracitë më të brishta të Ballkanit Perëndimor. Këto vende, thuhej në memorandum, nga njëra anë ishin dëmtuar prej luftrave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe, për këtë arsye, kishin mbetur prapa me reformat e tyre demokratike e ushtarake, por, nga ana tjetër, në dallim nga vendet e Vishegradit dhe vendet e Kartës së Balltikut, përpjekjet e tyre integruese pengoheshin nga mungesa e kohezionit rajonal. Memorandumi përmendte, ndër të tjera, këta faktorët që e bënin të vështirë integrimin e “demokracive të Adriatikut” dhe kontributin që mund te jepnin ato në forcimin e sigurimit europian:

(a) Difuzioni gjeopolitik i tyre, për shkak të të cilit, nëse vendet e këtij rajoni do të liheshin të orientoheshin vetë, Kroacia do të preferonte t’i rimorkjohej Austrisë për anëtarësimin e saj në NATO dhe në Bashkimin Europian, ndërsa Shqipëria do të mbështetej tek vullneti i mirë i të huajve, siç janë për ta italianët dhe grekët. Këto tendenca fraksioniste agravoheshin edhe më shumë nga vakumi i krijuar në Ballkanin qendror nga mungesa e Bosnje-Herzegovinës dhe e Serbisë në trendet politike europiane.

(b) Shovinizmi kroat. Në Zagreb, faktorë kulturorë të ngjashëm me racizmin i bëjnë edhe më të theksuara dasitë që ekzistojnë midis demokracive të brishta në rajon. Në rastin e kroatëve, ndjenja se ata i përkasin Europës katolike dhe mospëlqimi prej tyre i popujve të Jugut (diçka e ngjashme me ksenofobinë e një bavarezi), e pengojnë bashkëpunimin rajonal. Kroacia dëshiron më shumë t’i largohet Ballkanit sesa t’i bashkohet Europës.

(c) Identiteti kombëtar dhe fetar. Të trija demokracitë e Ballkanit Perëndimor kanë pasur eksperinca krejtësisht të ndryshme kombformuese. Maqedonasit janë akoma në proces e sipër së formuari si komb, ndërsa eksperienca kroate përmban akoma aspekte të shëmtuara të nacionalizmit të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Përveç ekspecionalizmit të saj nacional, Kroacia është një vend katolik; Maqedonia është një vend ortodoks, ndërsa Shqipëria është një vend edhe mysliman edhe i krishterë dhe ka, gjithashtu, edhe një komunitet jofetar.

Në rrethanat e mësipërme, thuhej në memorandumin e z. Jackson, duket se s’ka asnjë gjasë që demokracitë e reja të Adriatikut të mund të arrijnë atë “kohezion politik” që arritën vendet e Vishegradit, ose vendet balltike pa një farë ndikimi dhe drejtimi nga jashtë. Për këtë arsye, ky dokument rekomandonte që, ndërsa pas Samitit të Pragës, Aleanca do të kishte një periudhë kohe prej 18 muajsh për ratifikimin nga Senati ammerikan dhe nga parlamenti i çdo vendi të veçantë anëtar i NATO-s të vendimit për zgjerimin e saj me shtatë anëtarë të rinj, zgjedhjet presidenciale të vitit 2004 dhe krijimi i administratës së dytë të Presidentit Bush e bënin “të besueshme në mënyrë të arsyeshme” se mundësia tjetër për t’u bërë ftesë këtyre tre vendeve që t’u anëtarësoheshin në NATO do të ishte, afërsisht, qershori i vitit 2006. “Kështu”, vijonte më tej memorandumi, “Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë tre vjet e gjysëm kohë për të përfunduar reformat e tyre demokratike dhe për të demonstruar se ato mund t’i kontribuojnë sigurimit euro-atlantik. Një ekzaminim i shpejtë i këtyre dy objektivave tregon se ato mund të arrihen më së miri (madje, ndoshta vetëm) përmes veprimit të përbashkët”.

Duke venë në dukje se disa çështje të rëndësishme, si për shembull, sigurimi i kufijve midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, ishin bërë ndërkohë subjekt i diskutimeve midis qeverive të këtyre dy vendeve, në memorandum theksohej se “duket qartë se një forum rajonal, i cili do u lejonte vendeve të Adriatikut të shfrytëzonin resurset e përbashkëta dhe eksperiencat më të mira të njëri-tjetrit, mund të shërbente për të përpshpejtuar reformat në fushën e mbrojtjes, për të thelluar integrimin e minoriteteve dhe për të organizuar operacione të përbashkëta kundër trafikantëve”. Në memorandum vihej në dukje, gjitashtu, se eksperienca e sukseshme e vendeve të grupit Vilnius konfirmonte se “demokracitë e vogla të Europës Qendrore mund t’i kontribuojnë sigurimit euro-atlantik duke i kontribuar sigurimin rajonal”. Ky argument, theksohej në memorandum, nuk është askund më i vërtetë sesa në Ballkan, prandaj “the Holy Grail (Kupa e shenjtë) e Europës Juglindore është ai mekanizëm apo institucion, i cili përfundimisht do t’i lidhë kombet e Ballkanit Perëndimor në një marrëdhënie të vazhdueshme bashkëpunimi, respekti reciprok dhe qëllimi të përbashkët, të ngjashëm me marrëdhëniet që kanë sot vendet balltike dhe ato nodrike”.

Më tej, memorandumi vinte në dukje se politika e Shteteve të Bashkuara nuk është tërësisht indiferente ndaj rezultatit të përpjekjeve të këtyre tre vendeve për t’u kualifikuar për anëtarësim në NATO në periudhën pas Pragës. Ai theksonte se “integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Aleancë do të siguronte pjesën më të pastabilizuar të Europës, do të mundësonte forcat tona [ushtarake] të ridislokoheshin dhe do të përfoconte lidhjet mes Turqisë dhe Europës. Për më tepër, suksesi i transformimit demokratik në Ballkanin Perëndimor do të ishte jo më pak se finalizimi i vizionit të Presidentit [George W. Bush] për një Europë të lirë nga Balltiku në Detin e Zi. Integrimi i Ballkanit Perëndimor do të ishte prova e parë se politika e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur paqen dhe për të zgjeruar zonën ku shtrihet ajo ka rezultuar në fitoren e demokracive të reja multietnike dhe multifetare në luftë me diktaturën, me mungesën e stabilitetit dhe me urrejtjen. Evidenca se Aleanca Atlantike ka pasur sukses në krijimin e demokracive të qendrueshme në Ballkan do ta përforconte argumentin tonë se ne mund t’u ofrojmë alternativa demokratike popujve të Afganistanit dhe të Irakut”.

Në këtë memorandum, Bruce Jackson argumentonte, gjithashtu, se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, në përgjithësi, institucionet e përkohëshme ad hock kanë qenë mjaft të efektshme. Duke filluar me vendet e Vishegradit, pastaj Partneriteti për Paqe [Partnership for Peace], Plani i Veprimit për Anëtarësim [Membership Action Plan], Karta e Balltikut dhe duke arritur kulmin me Grupin Vilnius dhe dimensionin e tij jugor, këto asociacione të ndërmjetme dhe struktura të përkohëshme kanë shërbyer për të përshpejtuar reformat demokratike në të gjithë Europën Qendrore dhe Juglindore”. Sipas tij, politika e Shteteve të Bashkuara duhej të rikonsideronte përdorimin e mekanizmave tranzitorë në Ukrainë, në vendet rreth Detit të Zi dhe në Ballkanin Perëndimor. Jackson vlerësonte në këtë memorandum se “Karta e Balltikut është modeli më i përshtatshëm për atë që mund të bëhet “Karta e Adriatikut”.

 

 

Kush është Bruce Jackson?

bruce Në Tiranë, emrin e tij e kishin dëguar për herë të parë vetëm në tetor të atij viti, kur z. Jackson shprehu dëshirën të vizitonte Tiranën për të parën herë. Duke komunikuar në atë kohë me kryeministrin Fatos Nano, i shpjegova atij se ç’përfaqësonte ky individ në Uashington dhe cilat ishin lidhjet e tij me Shtëpinë e Bardhë. Unë e cilësova z. Jackson një farë “ministri pa portofol” për administratën e Presidentit Bush dhe i shpjegova pse ishte e rëndësishme që të bashkëpunohej me të. Jo rastësisht, ndoshta, disa muaj më vonë, më 1 May 2003, revista amerikane American Prospect botonte një portret të z. Jackson, shkruar nga John B. Judis, i cili titullohej, po ashtu, “Minister without portfolio”.

Në fund të viteve 1990 dhe pothuajse gjatë gjithë periudhës së administratës së Presidentit Bush, Bruce Jackson ka qenë një ndër ata të paktë qytetarë amerikanë, të cilët, pa pasur asnjë funksion në administratë, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm (si këshilltarë) në politikën e jashtme zyrtare të Shteteve të Bashkuara. Një rol të tillë në politikën e jashtme të Presidentit Reagan kishin luajtur më parë, gjatë skandalit Iran-Contra, individë si Michael Ledeen e të tjerë. Gjatë administratës së Presidintit Bush, individë të tillë kanë lujtuar një rol të rëndësishëm në projektimin e politikave qeveritare, veçanërisht lidhur me zgjerimin e NATO-s, me politikën ndaj Lindjes së Mesme dhe, veçanërisht, me përgatitjet dhe justifikimin e Luftës në Irak. Rasti i neokonservatorit Richard Perle, i cili kishte qenë Ndihmës Sekretar i Mbrojtjes në administratën e Presidentit Regan dhe, pas vitit 2001 (deri më 2003), kryetar i Bordit të Politikave të Mbrojtjes, është mjaft i njohur. Edhe pse thjesht një konsulent, si kryetar i këtij bordi, Perle ushtroi një influencë mjaft të madhe në hartimin e strategjisë së administratës së Presidentit George W. Bush për Irakun, sidomos lidhur me strategjinë që duhej të ndiqte Uashingtoni ndaj qëndrimit të Kombeve të Bashkuara për Irakun. Edhe pse më pak i njohur sa Richard Perle, Bruce Jackson ishte një ndër ata konsulentë, i cili ka ndikuar mjaft në politikën e jashtme të administratës Bush.

Në vitet 1980, pra, në periudhën e Presidentit Reagan dhe Bush (i ati), Jackson kishte punuar në shërbimet sekrete derisa ai u emërua të punonte në Pentagon si ndihmës i Richard Perle dhe i neokonëve të njohur Paul Wolfowitz dhe Dick Cheney. Në vitin 1993, Bruce Jakson u largua nga Pentagoni dhe nisi të punonte për korporatën Martin Marietta, e cila, më 1995, u bashkua me kompaninë Lockheed, duke krijuar gjigandin Lockheed Martin, një ndër kontraktruesit më të mëdhenj të prodhimit të armëve në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1997, Jackson u emërua drejtor për zhvillimin global në Lockheed Martin, detyrë që synonte gjetjen e tregjeve të reja ndërkombëtare për produket e kësaj korporate.

Në mes të viteve 1990, ndërsa punonte për Lockheed Martin, Jackson u bë një promovues i zellshëm i zgjerimit të NATO-s në Europën Qendrore dhe Lindore dhe, në vitin 1995, krijoi organizatën think-tank “U.S. Committee on NATO”, në të cilën bënin pjesë figura të tilla republikane të njohura si, Donald Rumsfeld, Dick Cheney, Colin Powell, Stephen Hadley, Richard Perle, etj. Jackson ishte dhe mbeti deri në fund (2002) President i kësaj organizate. Ai dhe Komiteti i tij luajtën, në fakt, një rol shumë të rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e Senatit amertikan që të votonte, më 1997, për pranimin e vendeve të Vishegradit (Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke) në NATO, duke u shprehur, siç mbahet mend, se kostoja e çdo taksapaguesi amerikan për pranimin e këtyre vendeve në Aleancën e Atlantikut Verior do të ishte sa ajo e një karameleje.

Fill pas pranimit të vendeve të Vishegradit në NATO, më 1 maj 1999, Bruce Jackson dhe “U.S. Commitee on NATO” filluan punën për formalizimin, vetëm një vit më vonë, në maj të vitit 2000, të një grupi të ri vendesh, i cili u quajt “Vilnius Ten”. I krijuar në Vilnius të Lituanisë, në një takim të ministrave të jashtëm të tre vendeve balltike, Sllovakisë, Sllovenisë, Rumanisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, ky grup vendesh u quajt në fillim Vilnius-9 dhe, një vit më vonë, Vilnius-10, kur në takimet formale dhe në veprimtaritë e përbashkëta të këtyre vendeve filloi të merrte pjesë edhe Kroacia.

Edhe pse angazhimet e tij me Komitetin për NATO-n i merrnin z. Jackson shumë kohë, në vitin 1999, Lockheed Martin e promovoi atë duke e bërë zëvendës president të korporatës. Një politikan neokonservator i njohur në Uashington, emri i të cilit nuk më vjen ndër mend tani që shkruaj këto radhë, e ka njohur nga afër z. Jackson në vitet 1990 dhe e ka cilësuar atë si “ndërmjetësi midis industrisë së mbrojtjes dhe neokonservatorëve. Ai na përkthente ne tek ata dhe ata tek ne”. Në fakt, Bruce Jackson ka qenë tepër aktiv në politikën republikane. Në vitin 1996 ai kishte qenë bashkëkryetar (për çështjet financiare) i fushatës presidenciale të kandidatit republikan Bob Dole. Në vitin 2000, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Bruce Jackson u bë hartuesi i platformës për politikën e jashtme në konventën e republikanëve. John McCain, nga ana e tij, e angazhoi atë në grupin e këshilltarëve të tij të afërt për politikën e jashtme gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008.

Bruce Jackson u largua nga Lockheed Martin në vitin 2002 për t’iu përkushtuar tërësisht zgjerimit të NATO-s dhe për të lobuar në Uashangtin për realizimin e këtij misioni. Ndërkohë, ai ishte bërë një misionar jozyrtar i administratës së Presidentit George W. Bush. Në shkurt të vitit 2003, gazeta Le Monde komentonte se Bruce Jackson kishte qenë kontraktuar nga qeveria rumune për të bërë të mundur që ky vend të merrte në Samitin e Pragës ftesën e anëtarësimit në NATO, pretendim të cilin vetë Jackson në atë kohë e kishte përgënjeshtruar.

Pas ardhjes në krye të Shtëpisë së Bardhë të Presidentit George W. Bush, zyrtarë të lartë të disa vendeve të Europës Lindore filluan ta shihnin z. Jackson si një përfaqësues të administratës amerikane, edhe pse ai nuk kishte asnjë pozicion zyrtar në atë administatë. Kolegu im ambasador i Lituanisë në Uashington, Vigodas Usackas, është shprehur në një rast se, për të, Bruce Jackson mund të konsiderohej “ambasadori jozyrtar i Shteteve të Bashkuara në NATO”. Eduard Shevardnadze, Presidenti i Gjeorgjisë nga viti 1995 deri më 2003, pas takimit të tij në Tbilisi me z. Jackson, e kishte cilësuar atë si “një zyrtar me influencë, opinioni i të cilit dëgjohet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”. Nga ana e tij, Nicholas Burns, në atë kohë ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO, i cilësonte angazhimet e z. Jackson si “një pjesë shumë e rëndësishme e përpjekjeve [të Uashingtonit] për të siguruar bashkëpunimin e qeverive të vendeve ish-komuniste”. Nga ana e tij, Julian Avans, duke shkruar për Euromoney, e cilësonte Bruce Jackson-in si “njeriun që e zgjeroi NATO-n në Lindje”.

Në vjeshtë të vitit 2002, kohë në të cilën Bruce Jackson më shprehu dëshirën të vizitonte Tiranën, ai sapo ishte ngarkuar të krijonte një Komitet për Çlirimin e Irakut [Committee for the Liberation of Iraq]. Në një intervistë të tij dhënë në atë kohë, mbaj mend që Jackson është shprehur, pak a shumë, me këto fjalë: “Njerëzit e Shtëpisë së Bardhë më thanë: ‘Ne duam që ju të bëni për Irakun të njëjtën gjë që bëtë për NATO-n”.

 

 

 

Share This Article
1 Comment
  • IK O FATOS ,E DIME QE JE BURRE I ZOTI/TE SHOHIM CFARE POSTI DO TE MBETET PER TY.MJAFT HENGRE.LERI TE TJERET TE HANE SE NUK PO BEN VEZE ME DY TE VERDHA TI>IK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *