Lionel Messi ishte ndër titullarët e vetëm të Barcelonës që u aktivizua për një pjesë lojë në miqësoren e humbur me Bayern Munchen, megjithatë ylli argjentinas e vlerësoi kundërshtarin duke e etiketuar një skuadër të madhe. 25-vjeçari e justifikoi në njëfarë mënyrë humbjen me faktin se katalanasit sapo i kanë nisur përgatitjet. “Bayerni është një skuadër e madhe me lojtarë shumë të mirë. Është diçka që ne e dinim. Ne kemi vetëm pak kohë që i kemi nisur përgatitjet ndërsa kjo ishte ndeshja jonë e parë. Ky takim ishte shumë i vlefshëm për nga intensiteti që u luajt dhe për shkallën e vështirësisë. Jemi akoma në fazën përgatitore dhe duhet të stërvitemi shumë”, deklaroi Messi.
Trajneri Martino
I pyetur për ndikimin që ai ka patur në përzgjedhjen e Gerardo Martinos si pauses i Tito Vilanovas, Messi Sqaroi: “Unë nuk kam pse t’u jap shpjegime të tjerëve. Kjo është çështje e klubit, e presidentit dhe e atyre që kanë marrë vendimin për të firmosur me Martinon. Unë thjesht jam i lumtur që ai do të jetë trajneri im. Kam thënë në të kaluarën që ai është një trajner i madh dhe këtë e ka treguar. Ai mund të bëjë mirë te Barcelona sikurse me Newell’s Old Boys. Por vetëm kaq, sepse nuk kam ndikuar në vendimin e klubit”.
Martino në Barcelonë
Nga ana tjetër dje Gerardo Martino mbërriti në Barcelonë ku do të marrë drejtimin e skuadrës katalanase pas largimit të Tito Vilanovas nga stoli Blaugrana. Argjentinasi u ul në aeroportin ndërkombëtar të Barcelonës gjatë orëve të pasdites të së enjtes, i shoqëruar nga asistenti i tij, Jorge Pautasso dhe stafi i përbërë nga Marcelo Fernandez e Elvio Paolorosso. Pasi shkeli në tokën spanjolle, Martino vizitoi selinë e klubit, ndërsa prezantimi zyrtar i teknikut do të bëhet të premten rreth mesditës. Martino do të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare me Barcelonën dhe gjatë ceremonisë do të jenë të pranishëm edhe presidenti Sandro Rosell, drejtori sportiv, Andoni Zubizarreta. Kjo është eksperienca e parë si trajner për Martinon në Europë pas sukseseve të tij në Paraguaj dhe me kombëtaren e këtij vendi. Përpara disa ditësh ai u largua nga stoli i New Old Boys, skuadër me të cilën u kualifikua deri në gjysmëfinalen e Kupës Libertadores.
